Shqiptarëve në Gjermani, ju refuzohet e drejta e azilit, kthime vullnetare

413
Sigal

Një numër rekord prej 55 mijë emigrantësh janë
larguar në mënyrë vullnetare nga Gjermania gjatë këtij viti, më shumë se
dyfishi i numrit të të deportuarve. E përditshmja gjermane “Sueddeutsche
Zeitung” siguroi të dhënat për muajt janar-nëntor nga Zyra për Migracionin dhe
Refugjatët (BAMF), ndërsa vihet re se shumica e emigrantëve të vetëlarguar janë
nga Ballkani Perëndimor.

Shqiptarët formojnë grupin më të madh të të kthyerve vullnetarë me 15 mijë të
tillë, ndërsa serbët, irakianët dhe kosovarët kapin shifrat e 5.000 të kthyerve
vullnetarë. Gjermania regjistroi numrin rekord të azilkërkuesve gjatë vitit të
kaluar, me të paktën 890 mijë të tillë të mbërritur me fluksin rekord që prej
Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2016, Gjermania deportoi 25 mijë emigrantë. Dhe siç dihet, ata që
mbërritën në Gjermani prej vendeve të Ballkanit Përëndimor përgjithësisht nuk
kanë të drejtë për të qëndruar atje. “BAMF” thotë se një numër gjithnjë e më i
madh azilkërkuesish janë duke u rikthyer vullnetarisht në Irak, Iran dhe Afganistan.
Në këtë të fundit, vullnetarët e kthyer gjatë këtij viti kapin shifrat e 3.200
të tillëve, rreth 10 herë më shumë sesa u kthyen në vitin 2015. Më herët gjatë
këtij dhjetori, 34 afganë janë deportuar nga vendi, pasi iu refuzuan kërkesat
për azil.

Qeveria gjermane është angazhuar se do të përshkallëzojë normat e kthimit të
emigrantëve, edhe për shkak të kritikave nga mbarë vendi ndaj Kancelares Angela
Merkel, mbi të gjitha për politikën e saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve.

Megjithatë, ligji ndërkombëtar e ndalon “kthimin” e refugjatëve në zonat ku
mund të përballen me rreziqe të mëdha nga lufta apo persekutimi. Ndërsa çdo
kërkesë për azil duhet të vlerësohet individualisht, duke mos pasur asnjë lloj
diskriminimi ndaj grupeve të veçanta.

Bashkimi Europian, gjithsesi, nuk e ka ende një listë të miratuar të vendeve
“të sigurta” të origjinës, por shtete anëtare të unionit i marrin vendimet në
mënyrë individuale ndaj secilit azilkërkues.