SHBA: Përballje dramatike mes administratës aktuale dhe asaj të re për “Obamacare”

461
Sigal

Presidenti Barack Obama
i ka kërkuar demokratëve të luftojnë për të mbrojtur aktin e tij të kujdesit
shëndetësor, në një kohë kur skuadra e presidentit të rradhës, Donald Trump,
ëshë zotuar se shfuqizimi i ligjit do të jetë një prioritet për ta.

Në një takim privat
dy-orësh në Capitol Hill, zoti Obama ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të
partisë së tij, ndërkohë që republikanët ndërmorën hapin e parë në shpërbërjen
e kësaj reforme.

Zv/presidenti i
zgjedhur Mike Pence ishte gjithashtu i pranishëm në Kongres, ku ai i tha
republikanëve se ata do të zëvendësonin aktin e njohur si Obamacare.

Ligji ka zgjeruar
mbulimin shëndetësor për rreth 20 milionë amerikanë.

Por Akti i Kujdesit të
Përballueshëm i vitit 2010, është goditur nga kostoja e madhe dhe shumë shoqëri
sigurimesh janë tërhequr nga skema, duke i lënë amerikanëve më pak mundësi
zgjedhjeje.

Pas vizitës së rrallë
të presidentit në Capitol Hill, përfaqësues të Partisë Demokratike u shprehën
për mediat, se Obama kishte nxitur anëtarët të luftonin për të mbrojtur këtë
arritje në politikën e brendshme.

Ata gjithashtu
deklaruan se presidenti ka inkurajuar demokratët të qëndrojnë të fortë përballë
republikanëve, të cilët përgatiten të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë
dhe të dyja dhomave të Kongresit, për herë të parë në një dekadë.

Gjatë fushatës së tij
presidenciale, Donald Trump e ka kritikuar Aktin Obamacare, duke premtuar se do
ta zëvendësonte me “një program më të mirë e më pak të shtrenjtë”.

Ndërkohë, administrata
Obama deklaroi një ditë më parë se 8.8 milionë amerikanë ishin regjistruar në
Aktin Obamacare për 2017, rreth 200.000 persona më shumë krahasuar me të
njëjtën periudhë, një vit më parë.