SHBA – “Obamacare”, ultimatumi i Trump: Votohet sot

438
Presidenti Donald Trump ka kërkuar që nisma e propozuar prej tij dhe që parashikon ndryshime të ligjit Obamacare, të votohet sot në Kongres, pavarësisht se një pjesë e republikanëve e kanë kundërshtuar atë. Vendimi është marrë në orët e vona të së enjtes, teksa lajmi i futjes së propozimit në rendin e ditës, u konfirmua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. Nga ana tjetër, demokratët janë shprehur kundër ndryshimeve, pasi sipas tyre, zhbërja e planit Obamacare, u humbet kujdesin shëndetsor mbi 30 milionë qytetarëve.

Pavarësisht paralajmërimeve se një pjesë e republikanëve mund të mos mbështesin nismën e tij për të ndryshuar planin e Obamës për kujdesin shëndetësor, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se pavarësisht nëse do të miratohet ose do të votohet kundër, projekt-ligji do të procedohet në Kongres ditën e sotme. Vendimi për të vijuar me planin u mor në orët e vona të së enjtes, ndërkohë që përfshirja e propozimit të Presidentit në rendin e ditës, u konfirmua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Për shtatë vite e gjysmë u kemi premtuar qytetarëve amerikanë se ne do t’a tërheqim mbrapsht ligjin Obamacare dhe do të zëvendësojmë me një tjetër propozim të denjë për qytetarët. Plani aktual është i rrënuar dhe nuk po u vjen në ndihmë familjeve amerikane”

Edhe Presidenti Trump në një fjalim të mbajtur më herët në Kentucky, deklaroi se Obamacare është një katastrofë dhe se do t’u jepte qytetarëve atë që meritojnë.

Projekt-ligji i Donald Trump për ndryshimin e Obamacare ka kundërshtinë abosolute të demokratëve të Kongresit, të cilët shprehen se propozimi i liderit aktual të Shtëpisë së Bardhë, do t’i heqë kujdesin shëndetësor mbi 30 milionë qytetarëve amerikanë. Votimi i ditës së sotme do të pritet me mjaft interes, duke qënë se gjithcka mund të ndryshojë në momentin e fundit, në kushtet kur shifrat mbeten të paqarta.
Sigal