Rinis sot dialogu Kosovë-Serbi Mogherini bashkon Mustafa-Vuçiç

661
Sigal

BRUKSEL – Dialogu Kosovë-Serbi do të rinisë ditën e sotme, ku me ftesë dhe ndërmjetësim të përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini do të takohen Kryeministri Isa Mustafa me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç.
 
Në takim me Mogherinin, do jenë të pranishëm edhe dy ish-kryeministrat Thaçi dhe Daçiç të cilët e kishin nisur procesin dhe kishin arritur Marrëveshjen e prillit. Takimi shënon vazhdimin formal të dialogut në nivelin më të lartë politik ku pas gati një vit pauze në tavolinën e negociatave do ulen dy kryeministrat dhe lehtësuesja e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Procesi do rinisë me fytyra të reja dhe kjo nga secila palë, gjithnjë si pasojë e zgjedhjeve si në shtete respektive ashtu edhe në institucionet evropiane.

Këtë proces e kishte nisur paraardhësja e Mogherinit, Catherine Ashton, ndërsa bashkëbisedues i ishin dy ish-kryeministra, Hashim Thaci dhe Ivica Daçiç.

Sipas Maja Kocijancic zëdhënëses së Mogherinit, shefja e Politikës së jashtme evropiane u ka dërguar ftesë vetëm kryeministrave.

“I përket liderëve nga Prishtina dhe Beogradi që më pas të vendosin përbërjen e delegacioneve nga kryeqytetet respektive”, ka deklaraur Kocijancic. Sido që të jetë, për zyrtarët evropian prezenca e dy ish kryeministrave në këtë takim është edhe konfirmim i kontinuitetit të procesit.

Në komunikatën për shtyp të lëshuar nga kabineti i Mogherinit, thuhet se dy kryeministrat do rishikojnë progresin e arritur deri më tani në dialog dhe të vendosin si të shkohet tutje me proces të normalizimit të raporteve. Andaj edhe takimi i së hënës më shumë ka karakter njoftimi dhe informimi për të ardhmen. Zyrtarëve evropian e konsiderojnë këtë takim si diç më shumë formale se substanciale.