Referendumi i Turqisë – Ministri grek i ofron mbështetje “surprizë” Ankarasë

565
Numri dy i diplomacisë greke, Jorgos Katrougalos, ka mbështetur publikisht argumentet e Ankarasë për të zhvilluar fushatë në vendet europiane ku ka komunitet të madh turk me rastin e referendumit të ndryshimeve kushtetuese që kthejnë rolin e presidentit të vendit nga ceremonial dhe ekzekutiv. Katrougalos deklaron se një gje e tillë është e lejueshme në BE. Qëndrimi i tij është përshendetur nga media turke dhe kritikuar nga ajo greke.

Ndërsa marrëdhëniet e Turqisë me Holandën dhe Gjermaninë janë acaruar në mënyrë të rrezikshme, numri dy i diplomacisë greke, Jorgos Katrougalos, ka mbështetur publikisht argumentet e Ankarasë. Katrougalos, ministër alternat i punëve të Jashtme, ka stigmatizuar vendimin e autoriteteve holandeze për të mos lejuar ministrat turq të zhvillojnë fushatë në Holandë për referendumin e 16 prillit. Gjatë një interviste për televizionin privat grek, Skai Katrougalos u shpreh:

“Unë nuk mund të gjykoj për vendimet e brendshme të vendeve të tjera, mirëpo rregulli në Europë, një kontinent të drejtash dhe lirish, është në favor të veprimtarive të tilla. Me të vetmin kusht që të mos ketë rrezik për sigurinë publike”

Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Holandë, zyrtari i lartë grek, ka ndërlidhur reagimet e Amsterdamit pikërisht me ballafaqimin elektoral të së mërkurës.

“Nuk është e lejueshme që klima zgjedhore të helmojë marrëdhëniet midis vendeve”

Deklarata e qeveritarit grek është përshëndetur nxehtësisht nga media turke. E përditshmja Hurryiet, e cilësonte si një surprizë mbështetjen e ofruar nga Athina. Ndërkaq, media greke e ka kritikuar me tone të ashpra, një tjetër pozicionim të ministrit alternat, kur u pyet nëse Athina zyrtare do të lejonte zyrtarë turq që të zhvillonin veprimtari të ngjashme në zonën e Trakës, në verilindje të Greqisë.

“Ne përpiqemi që marrëdhëniet me Turqinë të jenë miqësore. Janë zhvilluar edhe më përpara vizita të zyrtarëve turq në Trakë. Nuk ka arsye të mos lejojmë komunikimin me ta, por nga ana tjetër nuk ka as edhe një arsye që të ushqejmë një tension që në këto momente ekziston në Europë dhe rrezikon të krijojë probleme në marrëdhëniet tona”

Me tone ironike, mediat greke vënë në dukje se “zoti Katrougalos duhej të dinte që në Trakë nuk ka elektorat turk dhe as qytetarë turq, por qytetarë grekë të besimit mysliman”. Zona e Trakës, në kufi me Bullgarinë dhe Turqinë, është një burim konstant tensioni midis Athinës dhe Ankarasë, që e konsideron si turke shumicën e popullsisë së atjeshme. Përkundër Athinës që pretendon nga ana e saj se ata janë grekë që islamizuar në kohën e sundimit të perandorisë osmane.
Sigal