Qindra pulla vizash false dhe para të padeklaruara, arrestohet turku në Kapshticë

88

Policia ka arrestuar një shtetas turk në kufirin me Greqinë, pasi akuzohet për falsifikim vizash dhe mosdeklarim të parave.

Sipas policisë, turku, identiteti i plotë të cilit nuk është zbuluar, kishte me vete në një çantë 5300 dollarë dhe 4095 euro. Po ashtu ai kishte dhe 350 pulla vizash të huaja, të cilat dyshohet se janë false.

“Gjatë kontrolleve goditet një tjetër rast i tentativës për transferta të paligjshme parash jashtë vendit, si edhe falsifikimit të vizave.

Arrestohet në flagrancë një shtetas turk.

Sekuestrohen 5300 Dollarë, 4095 Euro si edhe 350 pulla vizash të huaja të dyshuara si të falsifikuara.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe kontrolleve të shtuara , shërbimet e Policisë Kufitare , gjatë kontrollit në vijën e dytë të mjetit tip autobus me drejtues shtetasin turk A.U, 52 vjeç, në një çantë personale të tij , gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5300 Dollarë dhe 4095 Euro të pa deklaruara në kufi, si edhe 350 pulla vizash të huaja të dyshuara si të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.”, thuhet në njoftimin e policisë.