Putin u rizgjodh President i Rusisë, asnjë lider perëndimor nuk e uroi për fitoren

270
Putin është zgjedhur sërish President i Rusisë. Megjithatë Perëndimi duket se nuk e ka mirëpritur lajmin për rizgjedhjen e tij për një tjetër mandat, teksa liderët janë treguar të rezervuar në urimin e fitores. Por ndryshe ka qenë reagimi i liderëve aziatikë dhe latinë, të cilët kanë përgëzuar Putin për fitoren bindëse të arritur në zgjedhjet e 18 marsit, shkruan Daily Mail.
Liderët perëndimorë duken të heshtur përballë fitores së Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të Rusisë. Steffen Seibert, zëdhënës i Angela Merkel, deklaroi se së shpejti kancelarja gjermane do të dërgonte një telegram urimi për presidentin rus. Por liderë të tjerë perëndimorë nuk kanë reaguar aspak për fitoren e Putin. Tensionet mes palëve janë thelluar në javët e fundit pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vazjës së tij Yulia. Qeveria britanike akuzoi Moskën si përgjegjëse të sulmit, qëndrim i përkrahur edhe nga partnerët europianë dhe amerikanë të Mbretërisë së Bashkuar.
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë publikoi raportin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Rusi, ku vëren se kufizimet në liritë themelore, përfshi këtu edhe në regjistrimin e kandidatëve, kanë kufizuar hapësirën për angazhim politik dhe kanë rezultuar në mungesë të konkurrencës reale.Ndërkohë liderët e Iranit, Kazakistanit, Bjellorusisë apo Kubës janë ndër ata të cilët kanë uruar Putin për fitoren.
Ndryshe ka qenë reagimi i liderëve në vende të tjera. Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se partneriteti i vendit të tij me Rusinë është në “nivelet më të larta në histori”. Kryeministri Shinzo Abe ka biseduar me zotin Putin për të siguruar se vendet do të vijojnë të bashkëpunojnë për denuklearizimin e gadishullit korean.