Porto Riko, hetime kontratës për riparimin e rrjetit energjetik

581
Kompania e energjisë elektrike të Porto Rikos njoftoi se do të anullojë kontratën prej 300 milionë dollarësh me një kompani energjetike nga Montana, e cila ishte punësuar për të riparuar rrjetin e shkatërruar nga furtuna. Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se do të hetojë të gjitha rrethanat e miratimit të kësaj kontrate madhore me një kompani të vogël dhe relativisht të panjohur.
Drejtori i kompanisë energjetike të Porto Rikos, Ricardo Ramos, tha se polemikat që ka zgjuar kontrata me firmën “Whitefish Energy” është një shpërqëndrim i madh.
“Pasi fokusi u përqëndrua tek kontratat, tek individët e përfshirë dhe tek qeveria federale, njerëzit filluan të tregonin pakënaqësi. E kuptoj këtë gjë. Njerëzit nuk kanë rrymë elektrike në shtëpi, ndërkohë që i kanë besuar kompanisë energjetike dhe firmave kontraktore se do të bëjnë punën e tyre”, tha zoti Ramos.
Zoti Ramos tha se kompania “Whitefish” do të përfundojë punën për riparimin e dy linjave të transmisionit, do të paguhet dhe do të largohet.
Uragani Maria shkatërroi Porto Rikon muajin e kaluar. 70-80% e ishullit ende nuk ka energji elektrike.
Kompania “Whitefish” është një firmë e vogël nga Montana, e krijuar vetëm dy vite më parë dhe rezulton se ka një personel prej vetëm dy punonjësish. Të tjerët u punësuan posaçërisht për kontratën në Porto Riko.
Tashmë janë krijuar pikëpyetje në Uashington dhe në Porto Riko se si një kompani e vogël dhe e panjohur, përfitoi një kontratë kaq të madhe dhe pa procesin e duhur të tenderimit.
Montana është shteti i origjinës së Ryan Zinke, i cili është anëtar kabineti i Presidentit Donald Trump dhe më parë ishte ligjvënës i Montanas. Gjithashtu, i biri i zotit Zinke punoi për kompaninë Whitefish gjatë muajve të verës.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se ka filluar një hetim për kontratën që iu dha kompanisë “Whitefish” dhe se do të shqyrtojë çdo “transaksion të dyshimtë”.
Sigal