Obama, fjalim në OKB: Kemi punuar për të ndalur një luftë të re botërore

438
Presidenti amerikan, Barack Obama ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ka argumentuar rëndësinë e diplomacisë dhe të veprimit të përbashkët, me theks përpjekjet e kryesuara nga SHBA në Lindjen e Mesme. Obama tha se vendet anëtare të OKB-së kanë punuar për të ndalur një luftë botërore duke kërkuar reflektim për atë që është arritur. “Kemi punuar për të ndalur një luftë të re botërore. Kjo është ideja dhe ideali që ka ndjekur kjo trupë. Ka patur konflikte të tmerrshme me viktima. Vendet e mëdha të mos shfrytëzojnë të voglat. Të reflektojmë së bashku për atë që kemi arritur”, tha Obama.

Duke u ndalur tek kërcënimet, presidenti i SHBA-ve deklaroi se nuk do të hezitojë kurrë për të mbrojtur vendin e tij apo aleatët por tha se nuk mund të ketë kthim pas tek mënyrat e vjetra për zgjidhjen e konflikteve. “Drejtoj ushtrinë më të madhe në botë. Nuk do hezitoj kurrë që të mbroj vendin tim apo aleatët. Por jam para jush duke besuar se ne kombet e botës nuk mund t’u kthehemi mënyrave të vjetra të konfliktit. Ne jetojmë në një botë të integruar. Asnjë komb në këtë asamble nuk mund ta shmangë rrezikun nga problemet me të cilat përballemi. Këto probleme nuk nxiten vetëm nga gara mes kombeve apo nga një ideologji e vetme. Nëse nuk punojmë së bashku në mënyrë efektive të gjithë do të vuajmë pasojat. Nëse nuk punojmë me kombet e tjera ne nuk do të kemi sukses”, tha Obama.
Sigal