Një dron i ushtrisë amerikane vret mbi 100 militantë të grupit al-Shabaab

99
Sipas një njoftimi të Komandës amerikane në Afrikë, AFRICOM, një dron i ushtrisë amerikane ka vrarë më tepër se 100 militantë të grupit al-Shabaab në Somali.
Zyrtarë ushtarakë i thanë Zërit të Amerikës se sulmi i së martës goditi kampin stërvitor të al-Shabaab-it në rajonin Bay, rreth 200 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Mogadishu.
Ushtria amerikane tha se sulmi shte kryer në koordinim me qeverinë somaleze, për ta ndihmuar Somalinë në përgjigjen ndaj kërcënimeve brenda territorit të vet, ndërsa kishte vënë në objektiv vendstrehimet e al-Qaidës, që mund të përdoren për të planifikuar sulme terroriste në mbarë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer këtë vit rreth 30 sulme kundër grupit al-Shabaab. Në fillim të muajit, Shtetet e Bashkuara vranë disa militantë në një sulm me dron në rajonin Shabelle, rreth 30 kilometra në veri të Mogadishut.