Maqedoni, Zaev përgënjeshtron “Die Zeit”: Nuk kam thënë që shqiptarët janë të pafajshëm

439
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, është tërhequr nga intervista që ka bërë për gazetën gjermane “Die Zeit”, ku deklaronte se shqiptarët e dënuar në rastin “Monstra” për vrasjen e maqedonasve, ishin të pafajshëm. Ai gjithashtu mohon të ketë thënë për të përditëshmen se po ngurron të publikojë përgjimet mbi këtë çështje, pa marrë më parë garancinë se nuk do të ketë reagim të dhunshëm prej tyre.

Zaev: “Nuk kam thënë ashtu. Ka qenë një keqinterpretim. Kam thënë vetëm që mbi atë rast ekzistojnë dyshime serioze dhe mjaft mjegull. Qytetarët do ta mësojnë të vërtetën shumë shpejt, pasi të publikohen edhe përgjimet mbi rastin”
Zaev ka hedhur gjithashtu poshtë informacionet e përhapura se në takimin e të martës me liderët shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, ka pasur kërkesë konkrete nga ana e tyre për të marrë një prej tre posteve kushtetuese, mes atij të kryeministrit, kryetarit të kuvendit dhe presidentit.

Duke folur për krizën politike, Zaev paralajmëroi se nga e hëna do të ketë negociata më thelbësore dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të diplomatëve ndërkombëtarë. Pikërisht të hënën, në Shkup pritet të mbërrijë një delegacion nga Brukseli që udhëhiqet nga eurokomisioneri Johanes Hahn dhe tre eurodeputetët, Eduard Kukan, Riçard Hovit dhe Ivo Vajgël. Të katërt pritën në Strasburg Gruevskin dhe Zaevin javën e kaluar, ndërsa raportohet se do të marrin pjesë edhe në takimin e radhës të liderëve politikë.
Sigal