Maqedoni – Anëtari i BDI abstenon në KSHZ

49

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (SEC) në Maqedoni nuk e arriti dot shumicën e nevojshme mbrëmjen e së shtunës për të pranuar 16 ankesat për parregullsi në votime, të paraqitura prej LSDM-së dhe Lëvizjes Besa.

Në formën e tyre përfundimtare, ankesat u paraqitën nga LSDM-ja për një qendër votimi në fshatin Tearcë, ku një anëtar i Komisionit Zonal grisi aksidentalisht një letër që duhej t’i mbetej komisionit. Në fund, “SEC” pati 4 vota pro e 4 kundër, e kjo nuk mjaftonte për aprovimin e propozimit të opozitës.

Anëtarët e LSDM-së dhe dy pjesëtarë të pavarur të komisionit votuan në favor të propozimit; ndërsa një i pavarur tjetër, pjesëtarët e ËMRO-DPMNE-së dhe një anëtar i Partisë Demokratike për Integrim votuan kundër, ndërsa anëtari i BDI-së, Subhi Jakupi, njëkohësisht nënkryetar i komisionit dhe njeriu që mund të kishte lëvizur peshoren, abstenoi.

Nga 16 ankesat rezulton të jetë pranuar vetëm një, ajo e një qendreje në Gostivar, ku një grua nuk u lejua të votonte me pretendimin se e kishte hedhur një herë votën e saj. Rivotimi i urdhëruar nga “SEC” në këtë qendër me 800 votues mund ta ndryshojë rezultatin e mandateve të ligjvënësve në dëm të VMRO-DPMNE-së.

Tani palët kanë mundësinë ta apelojnë çështjen në Gjykatën Administrative, e cila ka 48 orë kohë për të vendosur nëse do t’i pranojë ankesat apo jo. LSDM-ja nxori një deklaratë për shtyp, ku thotë se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dështoi në përmbushjen e detyrës së tij dhe se udhëheqësi i kësaj partie, Zoran Zaev do të bëjë ç’është e mundur që ta ndalojë krijimin e një qeverie të re të kryesuar nga ËMRO-DPMNE-ja.

“Me një shumicë të qarte prej 600 mijë votash, qytetarët votuan për ndryshimin”, tha ai përmes rrjeteve sociale. “Dhe ndryshimi do të vijë, pavarësisht faktit që lidershipi i ËMRO-së nuk e pranon dot një gjë të tillë”.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e ish-kryeministrit Nikola Gruevski doli me 51 mandate, ndërsa socialdemokratët rivalë me 49. Zaevi pretendon se nga përllogaritjet e tij, secila prej partive të mëdha duhet të kishte marrë 50 vende në Parlament dhe kërkon t’i hiqet një mandat ËMRO-së. Të gjitha partitë shqiptare fituan së bashku 20 vende në Parlamentin e Maqedonisë.