Mal i Zi, Bushati kërkon garanci për stafin, pas sulmit të Ambasadës Shqiptare

476
Sigal

Kaos në Podgoricë. Protestuesit pas orësh të gjata qëndrimi para Parlamentit janë përleshur me policinë.
Ata kanë hedhur fishekzjarre, ndërkohë që forcat e policisë u janë kundërpërgjigjur me gaz lotësjellës për ti shpërndarë.
Mediat lokale raportojnë se janë dëgjuar edhe të shtëna. Ndërkohë që mësohet se ka pasur një sulm të dytë me gurë ndaj Ambasadës shqiptare, ndërsa është dëgjuar dhe një shpërthim i fortë para godinës.
Ambasada shqiptare u sulmua dhe para protestës
Ndërtesa e Ambasadës tonë në Podgoricë është qëlluar me gurë nga protestuesit, të cilët prej ditësh nën drejtimin e forcës opozitare atje kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Sulmi raportohet të ketë ndodhur para nisjes së protestës së sotme, por fatmiresisht ka shkaktuar vetëm dëme në ndërtesë.
Qeveria e Malit të Zi në një postim të bërë në Twitter bën me dije se grupi “Nikšićana” gjatë demonstrimit ka sulmuar selinë diplomatike shqiptare, ndërsa denoi sulmin.
“Disa gurë u hodhën në Ambasadën e Shqipërisë nga një grup që kalonte. Ka vetëm dëmtime të vogla në fasadën e ndërtesës” citon policinë malazeze.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati përmes një reagimi në rrjetet sociale, kërkoi nga autoritetet malazeze të garantojë sigurinë e stafit diplomatik të Shqipërisë atje.
Tirana zyrtare dënon sulmin, përgjegjësit të vihen para drejtësisë
Reagimi është përforcuar nga Ministria e Jashtme, e cila ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon sulmin e sotëm ndaj Ambasadës së RSh-së në Podgoricë nga demonstrues huliganë.
I bëjmë thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së Ambasadës, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrjë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të nënvizojë se Shqipëria do të vijojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit. Përkushtimi ndaj vlerave euro-atlanike është i pa-negociueshëm dhe nuk do të frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tone”.
Hera e dytë që dhunohet Ambasada
Dhunimi ndaj godinës së Ambasadës në Podgoricë shënohet për herë të dytë, pas ngjarjes së regjistruar më 16 tetor të vitit 2014, ku huliganë malazezë qëlluan me gurë. Pas atij incidenti Tirana i dorëzoi notë proteste Malit të Zi.
Sulmi asokohe erdhi pas tensioneve të krijuara nga ndeshje Serbi-Shqipëri. Policia malazeze pati arrestuar tre persona për ngjarjen.
Sërish protesta në Mal të Zi, kërkohet largimi i Qeverisë
Situata në Mal të Zi vijon të jetë e tensionuar.Protesta e opozitës malazeze “Fronti Demokratik” nisi sonte në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri në orën 6 të mëngjesit.
Sipas të dhënave të mediave të pavarura në protesta marrin pjesë afro 5 mijë protestues të ardhur nga disa qytete të Malit të Zi.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Gjukanoviq dhe formimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të kishte një përfshirje të gjerë të partive politike parlamentare.
Opozita e bashkuar malazeze, kohë më parë, organizoi edhe një protestë kundër anëtarësimit në NATO gjë që sipas analistëve malazezë, tregon qëllimin e vërtetë të opozitës, destabilizimin e Malit të Zi dhe rajonit.
Përmes një komunikate për opinion, policia malazeze shprehu shqetësimin se protestat që po zhvillohen në Podgoricë mund të bëhen të dhunshme, pasi sipas tyre marrin pjesë edhe persona të dyshuar dhe të lidhur me krimin.
Protestat e opozitës po shkallëzohen në kohën kur Mali i Zi është kandidat për anëtarësim në BE dhe pritet që brenda këtij viti të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.
Gjatë protestave janë regjistruar herë pas here edhe provokime, duke hedhur fishekzjarre dhe tymues.