Zgjedhjet në Siri, Rusia mbështet zhvillimin e tyre

385
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se Moska mbështet mbajtjen në Siri të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Për të arritur këtë qëllim, qeveria ruse është e gatshme të ndërmarrë veprime të vendosura.
Duke folur sot në televizionin shtetëror rus, zoti Lavrov tha se Kremlini po intensifikon përpjekjet “për ta konvertuar influencën e tij tek Damasku drejt një zgjidhjeje politike”.
Sidoqoftë, ai nuk zbërtheu se si do të kryhet tranzicioni drejt një zgjidhjeje politike pas vitesh lufte civile në Siri, me një numër të jashtëzakonshëm viktimash dhe civilësh të zhvendosur.
Në ndryshim nga deklaratat e deritanishme të Moskës, këto komente të zotit Lavrov duket se sinjalizojnë dëshirën e Kremlinit për një përtëritje politike në vendin, tashmë të shkatërruar nga lufta.
Lavrov kritikoi politikën amerikane në Siri dhe mohoi akuzat e Perëndimit se sulmet ajrore ruse kanë goditur pa dallim edhe rebelët e mbështetur nga koalicioni perëndimor.
Ai madje u shpreh se forcat ajrore ruse do të ishin të gatshme të mbështesnin një “opozitë patriotike” në Siri, më konkretisht Ushtrinë e Lirë Siriane që mbështetet nga SHBA, nëse do të bëhej e ditur vendndodhja e tyre.
Lavrov zhvilloi po sot një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, kur ai ndodhej Jordani, për të diskutuar mbi organizimin e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës siriane.
Kerry u takua dje në Vjenë me zotin Lavrov dhe u shpreh me optimizëm për mundësinë e një bashkëpunimi me Rusinë për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Siri. Zoti Kerry shtoi se megjithatë, Moska dhe Uashingtoni ende kanë mosmarrëveshje në lidhje me rolin që do të ketë Presidenti al-Assad në të ardhmen politike të Sirisë.
Sigal