Macron: Demonët e së kaluarës dhe ideologjitë e reja po kërcënojnë paqen

150

Udhëheqës nga mbarë bota u bashkuan të dielën Paris në ceremonitë përkujtimore për 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pasi u pritën fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron në pallatin Elise, krerët e shteteve iu drejtuan Harkut të Triumfit.

Në fjalimin e tij, kreu francez, Emmanuel Macron, u kërkoi udhëheqësve të botës të bashkohen për një “luftë të përbashkët për paqe”.

 “Demonët e së kaluarës dhe ideologjitë e reja po kërcënojnë paqen. Historia ndodhet në çastin kur kërcënohet të rikthehet në rrjedhën e saj tragjike duke kompromentuar trashëgiminë e paqes që u vulos me gjakun e paraardhësve tanë. Ne e dimë çmimin e paqes, ne e njohim peshën e saj dhe ne e dimë se çfarë kërkon ajo”, theksoi ai.

Midis udhëheqësve që morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua poshtë Harku e Triumfit, ishin edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin, të cilët shtrënguan duart pak para fillimit të ceremonisë.

Herët në mëngjes para ceremonisë përkujtimore Parisi dhe zonat ku do të festohet është blinduar për të siguruar jetën e pjesëmarrësve dhe për të parandaluar ndonjë sulm terrorist. Xhandarmëria në vend ka mobilizuar mbi 10 mijë forca dhe mbi 2 mijë e 300 zjarrfikës për të ruajtur rendin dhe figurat e larta që do t’i bashkohen kremtimit zyrtar.

Një nga betejat më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, Lufta e Madhe shkaktoi ndërmjet viteve 1914 dhe 1918 rreth 17 milionë viktima në radhët e ushtarëve dhe civilëve.

Ajo përfundoi 100 vite më parë me firmosjen e armëpushimit në komunën franceze të Kompjenit mes aleatëve të Francës dhe Fuqive të Mëdha të kryesuara nga Gjermania.