Kryeministri japonez në Pearl Harbour

423
Sigal

Kryeministri japonez Shinzo Abe vizitoi bazën detare
amerikane në Pearl Harbor, ku i ofroi ngushëllimet e tij të sinqerta viktimave
të sulmit japonez ndaj bazës, 75 vjet më parë.

Ai tha se nuk duhen përsëritur kurrë më tmerret e luftës dhe se populli japonez
është betuar solemnisht për këtë. Abe shoqërohej në këtë vizitë historike nga
presidenti amerikan Barack Obama. 

Bombardimi ajror japonez shkatërroi pjesën më të madhe të bazës në vitin 1941,
duke vrarë mbi 2300 ushtarë amerikanë. Abe bëri homazhe për njerëzit që u vranë
në bazën detare, shumë prej të cilëve janë ende të varrosur brenda anijes
Arizona, e cila u mbyt nga silurët japonezë. Abe tha se betimi i palëkundur i
popullit japonez për paqe i kushtohet ushtarëve që prehen brenda Arizonës,
popullit amerikan dhe gjithë botës. 

Abe përgëzoi SHBA për përpjekjet për të riparuar raportet pas luftës mes dy
vendeve, luftë që përfundoi kur SHBA hodhi dy bomba atomike mbi Japoni. Sipas
Abes, aleanca mes SHBA dhe Japonisë është një aleancë shprese. Në të njëjtin
kuadër, presidenti amerikan Barack Obama tha se mirëpret kryeministrin japonez,
ashtu si Japonia e ka mirëpritur atë vetë disa herë. 

Abe është lideri i parë japonez që viziton memorialin e anijes Arizona, ku ai
dhe Obama vendosën kurora me lule. Dy liderët u lutën për të vdekurit, por, siç
pritej, Abe nuk kërkoi falje për sulmin. Ky sulm ndaj Pearl Harbor futi në
Luftën e Dytë Botërore superfuqinë amerikane, diçka që shumë ekspertë thonë se
i ndryshoi faqen konfliktit.