Kosovë/ Vrasja në kazino, dënohet 25 vjet burg ekzekutori

461
Sigal

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P. për veprat penale grabitje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas KPRK-së.

I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 viteve i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga data 3.04.2019 e tutje dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 8.000 euro.

Më datë 20.03.2019, rreth orës 18:26, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinonë “Matrix”, A.P, me qëllim të përftimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj, kishte hyrë në kazino ku kishte nxjerrë pistoletën dhe ia kishte drejtuar tashmë të ndjerit F.A. duke i kërkuar paratë, ku ky i fundit ia dorëzon kuletën me të holla dhe shtrihet në tokë për t’i dhënë edhe paratë tjera.

A.P. më pas kishte shtënë dy herë me pistoletë në drejtim të tij duke e goditur në pjesën e shpinës me ç’rast i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga viktima kishte marrë 2700 euro dhe ishte larguar në drejtim të panjohur. Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.