Kosovë: Jahjaga priti ambasadorin e ri të Austrisë, Gernot Pfandler

471
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, i cili i dorëzoi letrat kredenciale. Presidentja Jahjaga i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërshtetëror dhe ndërinstitucional midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Ajo theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve austriake në Kosovë, njofton Zyra pwr informim e Presidentes.
Presidentja Jahjaga çmoi mbështetjen që Republika e Austrisë i kanë dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe gatishmërinë e shprehur për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare. Ambasadori i Republikës së Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler tha se qeveria e vendit të tij mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës në çdo sferë me interes për të dyja vendet.
Sigal