Korrigjimi i kufijve, Thaçi: Do i jepte fund konflikteve, nuk do diskutohet për Mitrovicën e Ujmanin

40

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar sërish në lidhje me shkëmbimin e territoreve apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”. Kreu i shtetit e ka cilësuar si të e vetmen zgjidhje për ta përfunduar konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi në një debat të thirrur nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Çfarë do të thotë korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?”, tha se me këtë proces nuk do të do të ketë ndarje e as shkëputje të pjesës veriore. Thaçi mes të tjerash pohoi se në asnjë rrethanë nuk do të bisedohet për Ujmanin e as për qytetin e Mitrovicës, por se ky proces do të shënojë fundin e konfliktit të gjatë në mes të dy vendeve.

“Njohja reciproke mund të përcillet me një proces të dakorduar të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, theksoj nuk do të ketë ndarje e as shkëputje të pjesës veriore. Nuk do të bisedohet kurrë në asnjë rrethanë as për Gazivodën e as për qytetin e Mitrovicës. Ky proces do të shënojë fundin e konfliktin e gjatë mes Kosovës e Serbisë, e jo siç thonë do të zgjojë konflikte. Fundi i konfliktit do të vijë duke bërë kufirin e qartë mes vendeve tona”, tha Thaçi.