Kendrick Lamar mbizotëron në MTV VMA 2017, shfaqja merr tone politike

501
Nata e ndarjes së çmimeve për videot më të mira muzikore nga MTV, e mbajtur në Los Angeles, ka vlerësuar jo vetëm artistët më në zë të momentit por ka marrë edhe tone politike. Artistët pjesëmarrës nuk kanë ngurruar të flasin për çështje që kanë trazuar Shtetet e Bashkuara së fundmi, si supremacia e bardhë apo rritja e ndërgjegjësimit për vetëvrasjet.

Ceremonia e Çmimeve të MTV për Videot më të mira Muzikore është gjithnjë një event i madh për muzikën pop, por këtë herë, shfaqja mori tone politike. Të mbledhur në arenën The Forum në Los Angeles, artistët nuk hezituan të flisnin për tema që kanë shqetësuar së fundmi Shtetet e Bashkuara, si supremacia e bardhë teksa inkurajuan edhe ndërgjegjësimin për çështje si vetëvrasja.

Të pranishëm në këtë shfaqje ishin edhe personeli ushtarak transgjinor, ndaj të cilëve presidenti Trump nënshkroi një direktivë për t’i ndaluar pjesëmarrjen në ushtri.

Ndërkohë, Susan Bro, mamaja e Heather Heyer, gruas që u vra në protestat e dhunshme në Charlottesville, prezantoi Çmimin ‘Lufto Kundër Sistemit’ në këtë shfaqje. Në nder të vajzës së saj të ndjerë, Bro lajmëroi se do të niste një fondacion për të promovuar çështjet e drejtësisë sociale.

Edhe Paris Jackson, vajza e legjendës së popit Michael Jackson, foli haptazi ndaj dhunës në Charlottesville duke kërkuar që kombi të bashkohej për të sjellë ndryshimin. Artistët më së shumti shmangën përmendjen me emër të presidentit amerikan, por ata kritikuan politikat e tij në mënyrë indirekte.

Muzikanti Logic solli një interpretim të fuqishëm të këngës së tij 1-800-273-8255, e emërtuar sipas linjës amerikane direkte telefonike për parandalimin e vetëvrasjes, ndërkohë që e ndau skenën me të mbijetuar të tentativave për vetëvrasje, të cilët mbanin veshur bluza me shkrimin “Ti nuk je vetëm”.

Këngëtari i 30 Seconds To Mars, Jared Leto, nderoi vokalistët Chester Bennington dhe Chris Cornell, të cilët i dhanë fund jetëve të tyre gjatë këtij viti.

Ndërkohë, fituesi më i madh i mbrëmjes ishte reperi Kendrick Lamar, i cili rrëmbeu plot 6 çmime dhe hapi shfaqjen me një mesazh për brutalitetin e policisë.

Në listën e fituesve ishin mes të tjerësh Ed Sheeran i cili u shpall artisti i vitit, Zayn Malik e Taylor Swift të cilët u vlerësuan për bashkëpunimin më të mirë, Kanye West për koreografinë më të mirë dhe këngëtarja Pink e cila rrëmbeu çmimin special Michael Jackson Video Vanguard.
Sigal