Hetimi i Clintonit, demokrati Reid: Kreu i FBI-së Comey mund të ketë shkelur ligjin

492
Sigal

Udhëheqësi demokrat i Senatit amerikan
ka bërë të ditur se kreu i FBI-së mund të ketë shkelur ligjin me bërjen publik
të hetimit nga ana e Byrosë Federale të “e-mail”-eve të dyshuara si të lidhura
me Hillary Clinton.




Harry Reid akuzoi drejtorin e FBI-së, James Comey,
se ka shkelur ligjin që u ndalon zyrtarëve të influencojnë në zgjedhje. Lajmi
për rihapjen e hetimeve nga Byroja Federale erdhi në më pak se dy javë nga dita
e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.




FBI-ja, ndërkohë, ka siguruar autorizimin për të
kërkuar mes disa “e-mail”-eve që i përkasin ndihmëses kryesore të Clintonit në
fushatën presidenciale të kësaj të fundit. “E-mail”-e nga Huma Abedin besohet
se janë gjetur në laptopin e ish-bashkëshortit Anthony Weiner, gjithashtu një
ish-kongresmen.




Në total janë 650 mijë “e-mail”-e që do të hetohen
nëse përmbajnë apo jo ndonjë informacion të konsideruar sekret, ndaj dhe është
thuajse e pamundur që hetuesit të japin një verdikt mbi këtë përpara ditës së
zgjedhjeve.




FBI beson gjithsesi se këto “e-mail”-e mund të
jenë subjekt hetimi në vazhdën e hetimit të kaluar ndaj Clintonitpër përdorimin
e një serveri privat gjatë kohës kur ka shërbyer si Sekretare e Shtetit në
administratën “Obama”. Kjo çështje u mbyll në korrik pa ngritur ndonjë akuzë
ndaj Clintonit.




Weiner, nga ana e tij, është subjekt i një tjetër
hetimi, me dyshimin se ka dërguar mesazhe me përmbajtje seksuale ndaj një vajze
të mitur.