Haradinaj: Protesta e opozitës, madhështore dhe paqësore

449
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e vlerësoi protestën e mbajtur dje nga tri partitë opozitare si madhështore dhe paqësore. Në një deklaratë për shtyp Haradinaj thekson sot se qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë që të vazhdojnë ta tolerojnë shkeljen e Kushtetutës dhe indiferencën ndaj integritetit territorial, keqqeverisjen, nepotizmin, korrupsionin dhe papërgjegjësinë institucionale”. “Protesta e djeshme tregoi se qytetarët e Kosovës e duan demokracinë e vet dhe, përkundër çfarëdo vështirësie, besojnë se demokracia do të funksionojë në Kosovë. Unë jam ndier i lumtur dhe krenar me popullin e Kosovës, edhe pse e di se ende na pret rrugë për ta bërë Kosovën ashtu siç duhet”, shprehet Haradinaj.

Sipas tij, integrimi në Unionin Europian dhe në NATO është caku i popullit tonë dhe ne të gjithë duhet ta kemi të qartë se angazhimi i secilit prej nesh është i domosdoshëm. Kreu i AAK-së, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, shoqërisë civile, botës akademike dhe të gjithë veprimtarëve të hershëm dhe aktualë, të cilët janë angazhuar me vite e dekada që Kosova të arrijë këtu ku është, që edhe një herë të japin kontributin e tyre për zhvillimin e demokracisë sonë dhe arritjen e synimeve madhore për shtetin tonë. Haradinaj i ftoi të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike ose ideologjike, pavarësisht paragjykimeve apo historive personale, që të bëhen pjesë e ndryshimit pozitiv në Kosovë
Sigal