Greqi, sulmet ndaj të huajve, ministri i Brendshëm: Po bëhen të rrezikshme

204

Gazeta Welt: Emigrantët e paligjshëm, “koka turku” në Greqi

Një tjetër sulm mbi emigrantët shënohet në Greqi, këtë herë në qytetin e Selanikut. Një tunizian 26 vjeçar është qëlluar me mjete të forta nga persona ende të panjohur dhe ka ndërruar jetë, ndërsa transportohej në spital. Ndërkaq, policia është në kërkim të 5 personave të akuzuar për sulmin vrasës kundër të riut irakian, në qendër të Athinës. Policia thotë se, më herët autorët e këtij krimi kishin tentuar për të sulmuar dy të huaj të tjerë, një rumun dhe një maroken, të cilët arritën të shpëtonin. Në një deklaratë, ministri grek i Drejtësisë, dënoi sulmin ndaj shtetasit të pambrojtur të Iraku dhe vuri në dukje se “rritja e sulmeve raciste ndaj të huajve, që gjenden në Greqi, po fillon të marrë karakteristika shumë të rrezikshme”. “Problemi i madh i emigracionit dhe pasojat që shkakton nuk mund të përballohen me dhunë çnjerëzore”, tha ai. Ministri siguroi se “shteti do të garantojë të drejtat e njeriut për të jetuar, për liri dhe siguri nga çdokush që i shkel, apo i vë në rrezik”. Ndërkaq, presidenti dekretoi lirimin e 25 policëve, që shërbenin për sigurinë e kryeministrit, 200 policëve të tjerë nga shërbimi Informativ Kombëtar dhe policëve që ruanin deputetët, eurodeputetët, krerët e qarqeve etj. Të gjithë do të kalojnë në terren, për luftën kundër krimit.
Gazeta Welt: Emigrantët e paligjshëm, “koka turku” në Greqi
Problemi i emigracionit të paligjshëm dhe biznesit “Xenios Zeus” fokusohet në gazetën gjermane Ëelt, e cila shkruan se “emigrantët në Greqi janë koka turku”. Në shkrimin e saj gazeta Ëelt në Berlin, thekson se policia dhe neo-fashistët janë kthyer kundër emigrantëve nga Afrika dhe Azia. “Frustrimi është drejtuar në pjesët më të dobëta të shoqërisë,” vë në dukje gazeta, duke iu referuar operacionit “Ksenios Zeus”, inicuar nga autoritetet greke për të identifikuar dhe arrestuar emigrantë të cilët janë të paligjshëm në vend. Greqia ka vuajtur më shumë se të gjitha vendet evropiane, për shkak të emigracionit të paligjshëm aktual, të cilat nuk mund të përballojë, as politika, as shoqëria e goditur nga kriza”, thotë shkrimi. Raportet e Ëelt vërejnë se kriza ekonomike i ka rrënuar fuqitë e vendit dhe se shumica e emigrantëve nuk kanë asnjë shans për të marrë punë të rregullt ose dokumente ligjore. “Trafikimi i drogës, prostitucioni dhe krimi janë të përhapura në zonat urbane, ku jetojnë emigrantët. Reagimi ndaj tyre, është frika dhe zemërimi i grekëve”. Sipas gazetës, një pjesë e qytetarëve dhe gradualisht edhe qeveria po i kthejnë emigrantët në “koka turku” për çdo gjë që shkon keq. Shumica e grekëve e kuptojnë se sulmet e krahut të djathtë ekstremist kundër emigrantëve, janë duke u bërë më të dhunshme, dhe i duatrokasin fshehurazi ata. E gjithë kjo, sipas gazetës, do të thotë se emigrantët janë kapur në mes të një qeverie që dëshiron t’i dëbojë nga vendi dhe banditëve që i gjuajnë ata”, përfundon Ëelt.

           

Arbën Xhaferri, gjendja shëndetësore ende e rëndë

Dhjetë deri në dy javët e parë, duke filluar nga dita që u shtrua në spital, do të jenë të rrezikshme për jetën e ish-liderit të PDSH-së, Arbën Xhaferi, i cili prej pesë ditësh mbahet në përkujdesje intensive në klinikën e neurokirurgjisë në Shkup. Specialisti Vlladimir Mirçevski, njoftoi se gjatë kësaj periudhë nuk do të mund të realizohet as edhe ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa tha se gjendja shëndetësore e Xhaferit mbetet e pandryshuar, por vlerësohet si stabile dhe pa komplikime. “Nuk ka përmirësim, s’ka asnjë ndryshim për momentin. Për të paktën dhjetë ditë deri dy javë rrezikohet si periudhë e rrezikshme për jetën, ndërsa më pas mund të shpresojmë në përmirësime të dukshme. Për momentin, nuk ka ndryshim, por gjendja mbetet stabile dhe pa përkeqësime. Në këtë situatë nuk mund as të diskutojmë për kirurgjikale, ndërsa vetëm pas dy javëve mund të shpresojmë në diçka më mirë”, tha doktor Mirçevski. Ekipi i specialistëve në Klinikën e neurokirurgjisë në Shkup, e cila drejtohet nga profesori universitari, specialist Vlladimir Mirçevski, mbikëqyr 24 orë ish-kryetarin e PDSH-së, Arbën Xhaferi, i cili ndodhet në përkujdesje intensive dhe merr me rregull terapinë e nevojshme. Xhaferi të mërkurën rreth orës 21, u gjet në gjendje kome në banesën e tij në Tetovë pas një gjakderdhje masive në tru.

Fule: “ Serbisa të përmbushë detyrimet ndaj Kosovës

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule është shprehur i bindur se negociatat për anëtarësim në BE do të jenë prioritet edhe i Qeverisë së re të Serbisë dhe se përparimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë i domosdoshëm për hapjen e negociatave.  Në një intervistë për mediat serbe, Fule shfaqi bindjen se Serbia do të shënojë përparim në marrëdhëniet me Kosovën dhe e quajti “problem fundamental, i cili qëndron në rrugën e hapjes së negociatave”, transmetojnë mediat e Beogradit. Fule rikujtoi një varg detyrash që duhet të përmbush Serbia, të shtruara nga Këshilli i Evropës qysh në dhjetor të vitit 2011. Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit, theksohet se Serbia duhet të vazhdojë dialogun dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që të marrë datën e fillimit të negociatave. Fule po ashtu është shprehur optimist rreth perspektivës evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kroacinë e Malin e Zi, të cilat kanë bërë më së shumti përparim.

 Svoboda kundër antarësimit të Bosnjës në BE sipas modelit të Qipros

Bashkimi Evropian nuk do të aprovojë asnjë plan për anëtarësimin e Bosnjës, sipas modelit të Qipros dhe politikanët të entitetit serb të Bosnjës duhet ta heqin këtë nga mendja, tha europarlamentari, Hanes Svoboda. “BE-ja nuk do të mbështes ndarjet etnike. Për këtë arsye politikanët e Republika Srpskas duhet t`i kthejnë planet e tyre për ndarje, sa më parë, aty prej nga i kanë marrë”, citon Svobodan e përditshmja Dnevzni Avaz. Ai theksoi se më e mira ishte sikur ato plane të zhduken tërësisht. Deklarata e Svobodas erdhi në kohën kur mediat dhe disa politikanë pretendojnë se entiteti serb i Bosnjës, për dallim nga ai kroat dhe boshnjak, ka kaluar një shteg të gjatë reformash dhe se për këtë arsye BE-ja do të duhej ta zbatonte në Bosnjë modelin e anëtarësimit të Qipros. Deklarata të tilla u bënë, kohë më parë, nga ministri për zhvillim rajonali Republika Srpskas, Zhelka Svijanoviç, dhe kreu i partisë opozitare Partia për Përparim Demokratik, Mladen Ivaniç. Por, Svoboda u shpreh kategorikisht kundër kësaj ideje. “Qiproja nuk mund të jetë një model i dëshiruar për BE-në. Ekziston vetëm një Qipro për BE-në dhe ajo do të mbështetet si një tërësi”, tha ai.

Ekonomia Gjermane shënon rritje me 0.3%

Ekonomia e Gjermanisë është rritur me 0.3 përqind gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, favorizuar nga eksportet dhe konsumi i brendshëm. Megjithatë kjo rritje ishte më e ngadaltë se tremujorin e parë të këtij viti, e cila përllogaritej në 0.5 përqind. Kjo është rritja më e madhe në vendet e eurozonës, duke dëshmuar se ekonomia gjermane vazhdon të jetë lokomotiva e ekonomisë europiane. “Nuk është surprizë që konsumi i brendshëm është rritur, pasi vendi ka një papunësi të ulët, rroga në rritje dhe nivel të ulët inflacioni” – u shpreh një prej ekspertëve të ekonomisë në Gjermani. Por pavarësisht rritjes së ekonomisë gjermane, në total parashikohet që ekonomia europiane të ketë pësuar tkurrje deri ne 0.4 përqind gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.