Francë, identifikohet 2 prej terroristëve të tragjedisë me 129 të vdekur

517
PARIS- Kur ka kaluar dita e dytë nga atentatet që tronditën Francën e më gjerë, ende s’ka informacione të sakta mbi atentatorët. Nga të dhënat e konfirmuara dihet vetëm se 8 prej tyre kanë vdekur, 6 janë hedhur në erë, 2 janë vrarë nga forcat speciale gjatë ndërhyrjes.
Një nga shtatë personat e armatosur të cilët vranë 129 njerëz në Paris është identifikuar nga hetuesit francezë. Ai është Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, shtetas francez me origjinë algjeriane, i cili kishte një të kaluar kriminale dhe ishte i njohur për prirjet radikale. Mostefai është identifikuar, pasi hetuesit gjetën një gisht të prerë në skenën e teatrit Bataclan.
Çfarë ne dimë deri më tani
Hetimet po merren me verifikimet nëse ai udhëtoi për në Siri në vitin 2014. Prokurorët francezë thanë se sulmet u kryen nga tre celula teroriste të koordinuara. Franca ka nisur tri ditë zie kombëtare, ndërsa numri I të plagosurve ka shkuar në 350. Sulmet e të premtes, të kryera nga militantët e Shteti Islamik, goditën një sallë koncertesh, stadiumin në Paris, restorantet dhe baret në kryeqytetin francez.
Hetimi është gjithashtu duke u përqëndruar në një lidhje të mundshme në Belgjikë pasi policia ka arrestuar tre persona afër kufirit francez. Një i Volsvagen Polo I zi i regjistruar në Belgjikë është gjetur pranë teatrit Bataclan, e sipas hetuesëve ishte marrë me qira nga një francez. Shtetasi francez është identifikuar duke I dhënë një automjeti tjetër pasi ai kaloi në Belgjikë me dy pasagjerë.
Hetuesit janë duke punuar nëse këta tre persona mund të jenë një nga celulat terroriste që ka mundur të largohet nga Parisi. Kryeprokurori, Francois Molins deklaroi se është duke u kërkuar edhe një makinë “Seat”, ngjyrë e zezë që është përdorur nga terroristët në dy sulme. Një pasaportë siriane, është gjetur pranë trupit të një prej sulmuesve në Stade de France, e sipas autoriteteve greke kjo pasaportë është regjistruar në ishullin grek të Leros muajin e kaluar.
Presidenti francez Francois Hollande ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmit më të rëndë në kohë paqeje në Francë që prej Luftës së Dytë Botërore. 
Ndërkohë kryeministri Manuel Valls ka thënë Franca do të vazhdojë me sulmet ajrore kundër IS në Siri, dhe e përshkroi grupin si një armik shumë të mirë-organizuar.
Shteti islamik ISIS ka marrë përgjegjësinë e sulmeve të njëpasnjëshme që tronditën Parisin mbrëmjen e së premtes, e gjitha kjo për tu hakmarrë ndaj presidenti Francois Hollonde për bombardimet franceze të kryera në Siri. Që prej Luftës së Dytë Botërore, Franca nuk kishte njohur një sulm të këtyre përmasave në territorin e saj…
Banorëve të Paris u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe rreth 1.500 forca ushtarake janë vendosur në gjithë qytetin.
Dyshimet për identitetin e terroristëve
Disa nga terroristët, të gjithë të moshave të reja deri në 20 vjeç janë një francezë, tre belgë dhe një refugjat sirian, që ishte regjistruar në ishullin grek të Lesbos më 3 tetor. Sipas Ëallstreet Geornal njëri nga terroristët ishte i pajisur me biletë për të parë ndeshjen miqësore Francë-Gjermani.
Dyshohet se njëri prej kamikazëve ishte 15 vjeç. Por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë që mund të jenë arratisur dhe policia po i kërkon. Nga disa dëshmi të mbledhura nga gazeta “Le Monde” flitet për dy makina të zeza, të drejtuara nga dy të rinj rreth të njëzetave, njëra prej të cilave e regjistruar në Belgjikë dhe që tashmë është gjetur. Të dhëna të tilla sugjerojnë se tre nga atentatorët e Parisit janë shtetas belgë e vijnë nga lagjia Molenbeek e Brukselit, e njohur për një operacion anti-terror të zhvilluar më herët gjatë vitit. Për rrjedhojë, një operacion i gjerë po zhvillohet nga policia belge në Molenbeek-Saint-Jean, periferia perëndimore e kryeqytetit. Sipas televizionit lokal RTBF, që citon burime të rezervuara, agjentët po kryejnë tre bastisje të njëkohshme në zonën në fjalë dhe se 5 individë janë arrestuar.
Ndërkohë, është konfirmuar lajmi se në trupin e një prej kamikazëve të vdekur në Stadiumin e Francës është gjetur një pasaportë siriane. Televizioni grek Antenna Neës citon zv.ministrin e Brendshëm, Nikolaos Toskas që thotë: “Pasaporta e gjetur pranë kamikazit është identifikuar se i përket një refugjati sirian të regjistruar në ishullin e Lesbos më 3 tetor”. Ndërsa kanali ‘Evrope 1’ raporton për identifikimin e një atentatori të dytë. Bëhet fjalë për një shtetas francez të identifikuar nga gjurmët e gishtave.
Kamikazi i lindur në lagjet periferike pariziene, ishte rreth 30 vjeç, ishte personazh i njohur për shërbimet sekrete. Ndërsa gazeta “Le Parsien” flet edhe për praninë e një gruaje mes atentatorëve në Bataclan. Por bëhet fjalë ende për hipoteza, ndërkohë autoritetet po analizojnë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve dhe gjurmët e gishtave të vrasësve. Ndërsa BBC, që citon burime pranë qeverisë britanike, raporton se atentatorët ishin një celulë e vetorganizuar që ishte kthyer në Francë nga Siria. Sipas rrjetit britanik, tek një nga kamikazët është gjetur edhe një pasaportë egjiptiane.
Evropianët, masa të rrepta, në Britani dhe Gjermani arrestime
Pas sulmeve në Paris shumë shtete evropiane janë vënë nën alarm. Një terminal në aeroportin e Gateëick-ut në Londër u mbyll për shkaqe sigurie dhe ka raportime që flasin për arrestimin e një personi me një çantë të mbushur me lëndë shpërthyese. Mediat britanike raportojnë se pasagjerët u evakuuan nën reshjet e shiut. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes njoftuan përmes rrjeteve sociale për shtim të forcave të sigurisë dhe kontrolleve, por nuk dihet nëse kjo ka lidhje me sulmet e Parisit apo jo. Ndërkohë, mediat gjermane flasin për të paktën një person të arrestuar në landin e Bavarisë, që me gjasa ka lidhje me sulmet e ndërmarra në Paris një natë më parë.
Ministri i Bavarisë Horst Seehofer thotë se ka një hipotezë të fortë. Sipas raportimeve ka të dhëna se një burrë është ndaluar në Gjermani javës që shkoi. Ai kishte me vete automatikë, eksploziv duke e lidhur me atentatet e Parisit. BBC raporton se autoritetet franceze po bashkëpunojnë me ato belge, pasi dyshohet se sulmet mund të jenë planifikuar dhe koordinuar prej Belgjikës. 
ISIS-mesazh: Do ju presim kokat, s’ka paqe po bombarduat
Shteti Islamik ka kërcënuar sërish Francën se nuk do të gjej paqe për aq kohë sa do të vazhdojë bombardimet në Siri, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësinë për sulmet në Paris ku mbetën të vdekur mbi 130 persona dhe afër 400 të tjerë janë të plagosur. Shteti islamik ka postuar një video që sipas Reuters, një luftëtar me mjekër duke folur në gjuhën arabe i bën thirrje myslimanëve francezë të kryejnë sulme në Francë në qoftë se ata janë në gjendje të udhëtojnë në Siri vetë. Ata thonë se nuk do të ndalin sulmet dhe nuk do të gjejnë paqe për aq kohë sa vazhdojnë bombardimet në Siri.
Në video janë disa xhihadistë të armatosur ndërsa njëri prej tyre që përçon mesazhin e nis fjalën e tij me përshëndetjen në gjuhën arabe “Ess Selamu Alejkum Ue Berekatu”, ndërsa më tej vijon kërcënimet në gjuhën franceze. “Ess Selamu Alejkum Ue Berekatu. Ky është një mesazh për të gjithë armiqtë e Islamit, veçanërisht Francës. Muxhahedinët në të gjithë botën nuk do të hezitojnë t’ju presin kokat. Përsa kohë ju do të vazhdoni bombardimet, ne nuk do të gjejmë paqe. Ju do të keni frikë edhe të shkoni në dyqan. I bëj thirrje vëllezërve myslimanë në Francë të cilët nuk kanë bërë xhihad, ata që s’janë në gjendje të bëjnë xhihad, e atyre që nuk e dinë se çfarë është të bësh xhihad. Dijeni se xhihadi është në çdo kohë obligim për të gjithë Ju jeni urdhëruar të luftoni kafirët (jobesimtarët) kudo që ti gjeni ata. Çfarë po prisni?”, thuhet në mesazh.
Treni
Pesë persona humbën jetën e 7 të tjerë janë plagosur pasi një tren doli nga shinat e u zhyt në lumë pranë Strasburgut, Francë. Dyshohej për shpërthim por autoritetet thonë se ishte aksident.
Fluturimet
Pasagjerët e avionit francez AF1741 Air France s’kanë mundur të udhëtojnë, pasi kompania u detyrua të anulojë fluturimin në aeroportin e Amsterdamit, pas kërcënimi aeroporti do sulmohet.
Sigal