Evakuohen mbi 50 mijë njerëz në Itali, gjendet një bombë e Luftës së Dytë Botërore

173

Rreth 54 mijë njerëz janë evakuuar nga qyteti verior italian, Brindisi, të dielën pasi ekspertët e filluan punën për ta çmontuar një bombë të pashpërthyer që i përkiste periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Sipas gazetës “Corriere della Sera”, ky është operacioni më i madh i evakuimit në Itali në kohë paqeje. Më shumë se 60 për qind e banorëve të qytetit u detyruan të zhvendosen për shkak se autoritetet e caktuan zonën e kuqe të rrezikut me rreze prej 1600 metrash nga vendi ku u gjet bomba.

Bomba e gjetur, e prodhuar në Britani të Madhe, besohet se ishte hedhur në tokën italiane në vitin 1941. Ajo është një metër e gjatë dhe është e mbushur me 40 kilogramë dinamit. Bomba ishte gjetur rastësisht gjatë disa punimeve në një kinema.

Aeroporti i qytetit, stacioni i trenit, dy spitale dhe një burg u mbyllën dhe personat që ndodheshin në këto vende u evakuuan si pjesë e këtij operacioni, për të cilin autoritetet thonë se do të përfundojë rreth kohës së drekës, shkruan “Rueters”.