Dyshimet për miratimin e projektligjit të presidentit Trump

517
Senatorët republikanë duken skeptikë për zëvëndësimin e Obamacare të aprovuar nga anëtarët e partisë së tyre në Dhomën e Përfaqësuesve. Masa e sjell partinë e presidentit Donald Trump një hap pranë shfuqizimit të ligjit, por me gjasa, kjo nuk do të kalojë pa një sërë amendamentesh madhore në Senat. Një senator republikan u shpreh se versioni final do të jetë thuajse i pamundur, ndërkohë që demokratët paralajmërojnë se projektligji do t’i heqë sigurimin miliona amerikanëve dhe do të sjellë kosto tepër të larta.

Me 217 vota, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Aktin Amerikan të Kujdesit Shëndetësor të enjten, pa mbështetjen e asnjë demokrati të vetëm. Kjo ishte fitorja e parë legjislative e presidentit Trump, i cili përmbushi kështu një nga premtimet kyçe të fushatës së tij për shfuqizimin e reformës shëndetësore të paraardhësit të tij. Sidoqoftë, disa kongresmenë republikanë që votuan për këtë masë, pranuan se ata as nuk e kishin lexuar projektligjin.

Në shenjë të betejës së vështirë përpara presidentit Trump, thuajse çdo grup i madh mjekësor në SHBA e ka kundërshtuar me forcë masën. Republikanët shpresojnë që projektligji të kalojë në Senat, ku ata gëzojnë një shumicë 52-48, duke përdorur një proces të shpejtë të buxhetit, e njohur si “pajtimi”. Do të duhen javë derisa republikanët të prodhojnë një projektligj të ri që sërish do të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve përpara miratimit përfundimtar.
Sigal