Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ofertë opozitës, Qeveri të zgjeruar për ndryshimet kushtetuese

92
Sigal

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka ofruar partisë opozitare, VMRO-DPMNE, pjesëmarrjen në Qeveri nëse kjo parti e mbështet nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Pas takimit të mërkurën me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Kovaçevski tha se pas miratimit të fazës së parë të ndryshimit të Kushtetutës, do të formohej një qeveri e gjerë, me pjesëmarrjen edhe të opozitës. Sipas Kovaçevskit, opozitës do t’i takonin pesë ministri, me të cilat aktualisht udhëheqë partia që ai drejton, Lidhja Social Demokrate.

Kushtetuta duhet të ndryshohet në pjesën e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike. Kryeministri Kovaçevski tha se mandati i Qeverisë së zgjeruar do të vazhdonte deri në rrumbullakimin e ndryshimeve kushtetuese, pas çka Qeveria e njëjtë do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Unë propozova që të votojmë hapjen e Kushtetutës, të miratojmë ndryshimet e nevojshme dhe menjëherë pas votimit të fundit të shkojmë në zgjedhje. Por, gjatë periudhës së kaluar kam kuptuar se për Mickoskin është e rëndësishme që VMRO-DPMNE të jetë pjesë e Qeverisë. Për të dëshmuar se nuk jemi të interesuar për pikë politike, por për të ardhmen e vendit, propozova që menjëherë pasi të votojmë për hapjen e Kushtetutës, VMRO-DPMNE të hyjë në Qeveri”, deklaroi Kovaçevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se ka pranuar që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë, por me kusht që ndryshimet kushtetuese të miratohen vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet për anëtarësim në BE dhe të gjitha shtetet anëtare të unionit të kenë ratifikuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. “VMRO DPMNE-ja është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, kurse ndryshimet e mundshme kushtetuese të vlejnë ditën e ratifikimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në BE”, tha Mickoski.

Mickoski, gjithashtu, përsëriti qëndrimin se në formën siç janë propozuar, asnjë nga deputetët e VMRO DPMNE-së nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese. Kreu i VMRO DPMNE-së, gjithashtu kërkoi që në një qeveri të zgjeruar nuk duhet të ketë vend për Bashkimin Demokratik për Integrim, të cilin VMRO DPMNE-ja e akuzon për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion” dhe në procese tjera që “kanë dëmtuar interesat kombëtare dhe shtetërore”. Bashkimi Demokratik për Integrim i është përgjigjur VMRO DPMNE-së për gatishmërinë e tij për të mos marrë pjesë në qeverinë e gjerë.

“BDI-ja është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI-në deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para”, ka shkruar zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, në rrjetin social Facebook. Kushtëzime për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese ka edhe nga partitë opozitare shqiptare. Ato kërkojnë që ndryshimet të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës së Maqedonisë së Veriut. Pa votat e partive shqiptare dhe të VMRO DPMNE-së, e cila nuk pajtohet për përfshirjen e bullgarëve në preambulë, Kushtetuta nuk mund të miratohet pasi shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve.