Donald Trump anulon vizitën në Londër, por çfarë fshihet pas këtij vendimi?

192
Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar një vizitë në Britani të planifikuar për muajin e ardhshëm duke thënë se nuk ishte një ‘adhurues i madh’ i ambasadës së rë të SHBA-së në Londër, shkruan BBC.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi vendimin e tij përmes një postimi në Twitter duke përmendur vendodhjen dhe koston e ambasadës së re si arsye për anulimin e vizitës.
“Arsyeja që anulova udhëtimin tim në Londër është se nuk jam adhurues i madh i administratës Obama që ka shitur ndoshta ambasadën më të bukur dhe të pozicionuar më mirë në Londër për ‘kikirikë’, vetëm për të ndërtuar një ambasadë të re në një vend tjetër për 1.2 miliard dollarë. Marrëveshje e keqe. Donin që të prisja shiritin por JO!” shkruhet të postimin e Trump.
Zyra e Kryeministres britanike refuzoi të komentonte për anulimin e vizitës së presidentit Trump por mediat britanike raportojnë se 10 Downing Street ishte në dijeni se vizita ishte anuluar.
Presidenti amerikan Trump pranoi ftesën e Mbretëreshës për një vizitë zyrtare shtetërore në Britani gjatë një takimi me Kryeministren Theresa May vitin e kaluar.
Zhvillimet e fundit vijnë pas raportimeve se Trump mund të shtynte vizitën nga shqetësimi se mund të përballej me protesta masive në kryeqytetin britanik. Ceremonia e inagurimit të selisë së re diplomatike në Londër mund të kryesohet nga Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson.