Danel CANA/ Avramopulos “në barkun e kalit të drunjtë”

484
Sigal

Shumë u fol dhe u përfol për vizitën zyrtare, që pati presidenti Grek Karlios Papulias, në Tiranë, më datë 4-5 nëntor 2013.

Nuk do ulem të shkruaj historinë në mes dy vendeve, ajo njihet nga të gjithë ata që kanë dëshirë ta mësojnë. Pikërisht këtu qëndron mosmarrëveshja e parë ndërmjet dy vendeve fqinje për shumë shekuj. Ajo që pyet sot çdo njeri i ditur, i interesuar, i lexuar është një pyetje e thjeshtë:
Si ka mundësi që deri në ditën e sotme të mos kenë pasur mundësi të gjejnë gjuhën e përbashkët këto dy vende, dy shtete të cilat historikisht nuk kanë konsumuar asnjëherë luftë të armatosur me trupa luftarake dhe që njëri protagonist mbanë në sirtarët e tij një ligj lufte në fuqi të plotë!
Unë përsëri nuk dua të ndalem në këtë pjesë të cilën e kanë analizuar dhe përsëri po e analizojnë politikanët, historianët, diplomatët, gazetat, televizionet e të dyja anëve.
Unë do të ndalem pak tek një pjesëtar i kësaj loje historike. Gjithmonë në raste të tilla, atentatet historike nuk janë bërë drejtpërdrejtë nga aktori kryesor, por janë bërë në prapaskena nga aktorët e rolit të dytë dhe të tretë.
Një nga këta aktor, i cili është përgatitur (sipas tij) t’i bëj atentat historisë që dinë shqiptarët dhe t’a hedh në koshin e plehrave me shprehjen e bukur “Duhet të shikojmë përpara”, (pavarësisht se ai, ata, mbajnë thikën mbas shpine) ne nuk duhet të pranojmë të kthejmë kokën mbrapa sepse kjo sipas një shteti të “madh demokratik” konsiderohet prapambetje, dhe me këtë mendësi Shqipëria nuk mund të bëhet anëtare e BE-së!
Këtë mësim jua servir shqiptarëve ministri i mbrojtjes së shtetit Grek z. Dhimitris Avramopulos.
Por çfarë na mëson Avramopulos? Çfarë di Avramopulos? Kush është Avramopulos?
Dhimitris Avramopulos di shumë dhe s’di asgjë. Është një person që i pëlqen karriera dhe ka çarë në politikë me metodat e “hidhi ujë verës”; “të gjithë kanë të drejtë, por të gjithë nuk fitojnë”; “Greqia dikton gjithmonë sepse është mëma e demokracisë ”.
Sa ishte në postin e kryetarit të bashkisë bëheshin fshesat më të famshme ndaj emigrantëve shqiptarë, për t’ju treguar politikanëve shqiptar se ne jemi gati për çdo hakmarrje. Këtë e ka treguar gjithmonë shteti grek sepse shteti shqiptar asnjë herë nuk i është përgjigjur me të njëjtën monedhë. Uroj të kuptoj politika shqiptare një gjë konkrete; Përulja përpara presioneve greke jo vetëm është e pamoralshme, është poshtëruese për popullin tonë jo se duhet të tregojmë muskujt por të tregojmë të vërtetën se ato pretendime që ngre politika Greke nuk janë arsye historike dhe praktike, por janë fryrje muskujsh përballë një vendi të vogël, të papërfillshëm dhe aq më tepër të neveritur për të. Të cilësuar me shumë epitete që i njohim mirë të gjitha.
Tani që z.Avramopulos vjen në Shqipëri dhe shet mëndje në kanalet televizive, me një mospërfillje të hapur, duke luajtur rolin e një “memeci” kur nuk i intereson dhe rolin e një “Herkuli” kur do të tregoj qëllimin e ardhjes! Tregon mospërfillje përpara zbulimit të një dokumenti që i paraqit gazetari në televizion dhe harron se ai është dokument i lëshuar nga një organ kompetent i shtetit të tij dhe tregon me mospërfillje se “kjo është prapambetje”! Në vend që të jepte sqarimet e duhura një ministër, ai kujton se mund t’a pranojnë shqiptarët një “kalë të drunjtë” për dhuratë sepse…ai prandaj e mori rrugën e gjatë që nga Athina e Akropolit dhe kjo dhuratë nuk mund të mos pranohej nga “miq të sinqertë si ai!”
Harron z. Ministër se para një viti, vetë kryeministri i vendit të tij u shpreh se: “Një ligj i tillë lufte, që qëndron mes dy vendeve, nuk ka fuqi ligjore qeveria e tij dhe as një qeveri ta shfuqizoj, përveçse parlamenti Grek si organi i vetëm ligjvënës i popullit dhe interesave greke”.
Me thëniet e tij Avramopulos kërkon t’ju hedhë hi syve gjithë politikanëve dhe diplomatëve shqiptar për të mos vazhduar të kërkojnë shfuqizimin e një ligji të tillë që popullsia Çame të mos ketë të drejtë të gjej rehabilitimin e pasurive të saj të grabitura padrejtësisht.

Athinë