Përmbarimi privat, dhunë në selinë e Gjinushit, Ministria e Drejtësisë procedon Baftjar Nelajn

498
Sigal

Përmbarimi privat ka hyrë mëngjesin e djeshëm, në mënyrë tepër të dhunshme, në ambientet e selisë së Partisë Social Demokrate dhe kanë filluar të nxjerrin materialet që ndodheshin brenda objektit. Duket se “të fortët” e Përmbarimit privat, kanë vendosur ta zgjidhin problemin, jo nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet dhunës. Por rreth 1 orë pas nisjes së operacionit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ndërprerë punën e përmbaruesve për lirimin e ambienteve që kanë shërbyer prej vitesh si selia qendrore e PSD-së. Policia ka nxjerrë jashtë të gjithë përmbaruesit dhe gazetarët, duke thënë se territori do të boshatiset dhe do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, pa thënë se cilin njeh si pronar të ligjshëm të godinës. Policia i ka vënë sërish çelësin portës kryesore, duke lejuar policinë private të marrë sërish në ruajtje selinë e PSD-së. Ndërkaq, gjatë kësaj kohe, kreu i PSD-së Gjinushi është lejuar të qëndrojë në zyrën e tij, në katin e dytë të godinës. Përmbaruesit janë treguar agresivë dhe kanë dhunuar çdo njeri që i ka dalë përpara, duke e shtyrë dhe fyer ata që kundërshtonin. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka qëndruar larg këtij konflikti, ndërsa rreth një orë pasi përmbaruesit u futën në godinë, forca të shumta të ndërhyrjes së shpejtë kanë boshatisur godinën, duke nxjerrë jashtë përmbaruesit. Mësohet se, policia ka shoqëruar në polici dy përfaqësues të pronarëve që pretendojnë pronësinë e godinës së PSD-së, për arsye ende të panjohura. Ndërsa, rreth orës 13:43, Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar procedimin disiplinor për përmbaruesin Baftjar Nelaj, me pretendimin se ka shkelur ligjin dhe kodin e etikës gjatë ushtrimit të detyrës, në përpjekje për të liruar ambientet e selisë së PSD-së. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, përmbaruesi Nelaj rezulton të jetë i dënuar edhe më parë me vendim të formës së prerë. Përmbaruesi Baftjar Nela, mbron interesat e shtetasve të cilët janë në konflikt pronësie me Kreun e Partisë Social Demokrate, Skëndër Gjinushi, për objektin ku ndodhet selia e partisë në fjalë, pasi, të dyja palët pretendojnë se objektit i takon me ligji.  Vendimi i Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, vjen pas konfliktit të mëngjesit të sotëm kur Përmbarimi Privat, i drejtuar nga Baftjar Nela, ka hyrë në ambientet e selisë së Partisë Social Demokrate dhe ka filluar të nxjerrë objektet që ndodheshin brenda saj