Beogradi: Sulmet në Kosovë të kryera nga terroristë shqiptarë

516
Autoritetet serbe akuzojnë shqiptarët për sulmet ndaj serbëve në Gorazhdevc dhe Serbobran. Hetimet vazhdojnë. Nuk dihen as dorasit dhe as motivet. Ato mendojnë se pas këtyre sulmeve qëndrojnë “ekstremistët terroristë”.
“Sulmi në Gorazhdevc është sulm kundër të gjithë popullit serb në Kosovë. Sulmi është kryer ndaj një shtëpie ku jeton edhe një fëmijë shtatëvjeçar, e të mos flas për shkatërrimet e përmendoreve serbe”, theksoi kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, duke shtuar se përfaqësuesit e qeverisë serbe “sot apo nesër” do t’i vizitojnë serbët e këtij rajoni. Kryeministri serb tha se nga Prishtina “nuk pret asgjë”, por “bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë masa për mbrojtjen e serbëve”. Vuçiç tha se ai vet do t’i vizitojë së shpejti serbët në Gorazhdevc dhe në pjesët tjera të Kosovës. Ai bëri të ditur se ndërkohë ka biseduar me përfaqësuesit e NATO dhe EULEX-it për zhvilimet e fundit.
“Ky është një lajm shqetësues dhe unë pres që sulmuesit të zbulohen sa më parë. Besoj se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë shumë seriozisht këtë problem”, theksoi Vuçiç në komentin e tij lidhur me dy sulme që janë bërë natën e kaluar në fshatin Gorazhdevc, ku janë dëmtuar përmendoret e ngritura në shenjë kujtimi të viktimave gjatë sulmeve të NATO-s, është qëlluar me plumba shtëpia e Sasha Petroviçit është djegur një makinë dhe është qëlluar në trafik. Ndërkohë që sulme ka pasur edhe në Srbobran, por pa viktima në njerëz.

“Vepra terroriste…”
Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjurç, i ka quajtur këto madje edhe si “sulme terroriste të ekstremistëve shqiptarë kundër serbëve dhe pasurisë së tyre”. “Kjo vepër terroriste tregon se në çfarë kushtesh po jetojnë serbët në krahinën jugore – larg çdo kushti normal dhe larg strandardeve të shoqërive moderne”, thotë Gjuriç, duke shtuar se ai megjithatë “beson se shumica e madhe e shqiptarëve nuk e ndjek këtë rrugë të ekstremistëve dhe nuk e mbështetë shkallëzimin e dhunës”.
Edhe ai ka apeluar tek bashkësia ndërkombëtare që të garantojë sigurinë e serbëve në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviç i ka dënuar ashpër sulmet e fundit në Gorazhdevc dhe Srbobran. Ai pohon se “kjo dëshmon se serbët dhe gjithçka që është serbe në Kosovë janë vënë në shënjestër.”

“Sulmet e organizuara”
“Sulmet nuk po ndalen dhe kjo është e tmerrshme”, theksoi Stojanoviq, i cili u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të evitojnë këto sulme.
“Besoj se sulmet janë të organizuara dhe të koordinuara. Ndërsa autorët e sulmeve janë nën mbrojtjen e dikujt”, nënvizoi Stojanoviç. Ndërsa ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Ljubomir Mariç mendon se këto sulme kanë për synim që “serbët të mos mund të jetojnë në qetësi dhe të mos kthehen në Kosovë”.

Fondi kërkon zbardhjen
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për gjetjen, arrestimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të atyre që i kanë kryer këto sulme. Fondi rikujton se deri tani nuk janë zbardhur as autorët e sulmeve të para shumë viteve në Gorazhdevc.
“Mungesa e suksesit në gjetjen dhe arresimin e atyre që kanë kryer këto sulme mund të krijojë pasiguri tek popullata serbe në këtë fshat dhe në të gjithë Kosovën. Por mund të krijojë edhe një përfytyrim negativ për besimin tek policia e Kosovës”, thuhet në kumtesë.
“Institucionet qendrore dhe ato lokale po bëjnë përpjekje për integrimin e serbëve në shoqëri në mënyrë që ata të ndjehen të lirë. Por nuk mjaftojnë vetëm thirrjet verbale. Këto thirrje duhet të shoqërohen me masa konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës”, thuhet në kumtesën e Fondit.
Sigal