Avioni rus, gjendet kutia e zezë

466
Sigal

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ekipet e
kërkim-shpëtimit gjetën sot kutinë e zezë të avionit ushtarak që u rrëzua gjatë
fundjavës në Detin e Zi.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, kutia do të
dërgohet në Moskë për analiza, ndërkohë që ekspertët po përpiqen të kuptojnë se
çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit.Zyrtarët rusë thonë se terrorizmi nuk është
përjashtuar si shkak i mundshëm, por gjasat që kjo të ketë qenë arsyeja janë
tepër të vogla.

Rusia mbajti të hënën zi kombëtare për nder të 92
personave që humbën jetën një ditë më parë nga rrëzimi i një avioni ushtarak në
Detin e Zi. Avioni 33-vjeçar Tu-154 ishte nisur nga Soçi për në një bazë
ushtarake ruse në Siri.Mes viktimave ishin 68 pjestarë të Ansamblit ushtarak Aleksandrov,
një kor, orkestër dhe grup vallesh që do të jepte shfaqje me rastin e Vitit të
Ri për aviatorët në një bazë ushtarake ruse në afërsi të Latakias.Në Moskë,
njerëzit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë një salle koncertesh, ku jepte
shfaqje ansambli.Një agjenci ruse lajmesh tregoi video ku dukeshin njerëzit e
mbledhur në Sevastopol të Detit të Zi, duke ndezur qirinj dhe hedhur lule në
det në kujtim të viktimave.

Televizioni shtetëror rus anuloi programet argëtuese
dhe transmetoi fotografi bardhë e zi të viktimave.

Ekipet e shpëtimit filluan të nxjerrin trupat e
viktimave, në suazën e një operacioni të madh kërkimi me pjesëmarrjen e
dhjetëra anijeve dhe avionëve.Në median ruse ka patur hamendje për shkaqet e
rrëzimit. Është folur për mundësinë e një gabimi teknik ose njerëzor apo se
avioni mund të ketë qenë i mbingarkuar.

Zyrtarët rusë nxituan të përjashtojnë si shkak një
sulm terrorist, pavarësisht shqetësimeve se ndërhyrja në Siri e ka bërë Rusinë
më shumë se më parë një objektiv për ekstremistët.Rusia e justifikon
mbështetjen për forcat siriane si luftë kundër terrorizmit, por kritikët thonë
se rebelët që kundërshtojnë presidentin sirian Bashar-al Assad kanë qenë
objektivi kryesor.