Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, fajësoi lidershipin e partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE për ndalimin e zbatimit të marrëveshjes historike të emrit me Greqinë, e cila ka për qëllim t’i hapë rrugën Maqedonisë për në BE dhe NATO.

“Ne jemi zhgënjyer me qëndrimet e lidershipit të VMRO DPMNE lidhur me referendumin dhe hapat në parlament për të ndryshuar kushtetutën,” shkroi Mitchell në letrën drejtuar Hristijan Mickoskit, e publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Letra vjen në një sfond paqëndrueshmërie të opozitës për të mbështetur në parlament procedurën për ndryshimet kushtetuese që do të ndryshonin emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, siç përcaktohet në marrëveshjen e emrit.

“Pavarësisht pretendimeve nga VMRO DPMNE se mund të ketë një ‘marrëveshje më të mirë’, ne nuk besojmë që të jetë ky rasti,” shtoi ai. “Kjo marrëveshje kërkoi kompromise nga të dyja palët. Kjo është një mundësi që nuk ka gjasa të vijë përsëri për vite, në mos edhe dekada.”

Mitchell shprehu gjithashtu shqetësimet në rritje se lidershipi i opozitës po ushtron presion mbi deputetët e saj të cilët mund të dëshirojnë të mbështesin marrëveshjen në seancën parlamentare ne vazhdim.

“Ne ju bëjmë thirrje të krijoni hapësirë, publikisht dhe privatisht, që anëtarët e parlamentit nga koalicioni juaj të vendosin si do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, të lira nga kërcënimet e dhunës, ndëshkimit apo forma të tjera presioni.”

Mitchell kërkoi nga Mickoski “lidership kurajoz dhe maturi” në atë që ai e përshkroi si një “moment historikisht të rëndësishëm” për Maqedoninë.

“Si një mik i vërtetë dhe mbështetës i Maqedonisë, ju bëjmë thirrje të lini mënjanë interesat partiake dhe të vini para interesat tona të përbashkëta strategjike dhe të siguroni një të ardhme më të ndritur për qytetarët tuaj midis familjes europiane të kombeve,” përfundoi Mitchell.