A e ka Trump prioritet Evropën? Mesazhi i SHBA për krerët e shteteve

527
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence iu ka thënë liderëve evropianë se Shtetet e Bashkuara “tani dhe gjithmonë do të jenë aleati juaj më i madh”, duke u munduar kështu që të heq shqetësimet rreth përkushtimit të Uashingtonit ndaj lidhjeve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Pence ka thënë se “lidhja e qëndrueshme” në mes të SHBA-së dhe Evropës është ndërtuar jo vetëm mbi “fuqinë e armëve”, por edhe mbi bazën e përbashkëta dhe parimet që ne i duam shumë: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit”, raporton Rel.
Ai ka thënë se e ka sjellë një mesazh nga Trump: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin fuqishëm NATO-n, dhe nuk do të lëkundën” në përkrahjen për këtë aleancë.
Në të njëjtën kohë, Pence disa herë e ka përsëritur thirrjen e Trumpit për aleatët evropianë që të kryejnë obligimin e tyre rreth shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake, duke kujtuar se vetëm pesë vende anëtare të NATO-s e kanë arritur cakun e shfrytëzimit të 2 % të Bruto Prodhimit Vendor për ushtrinë.
“Ka ardhur koha që të bëhet më shumë”, ka thënë në këtë drejtim, Pence.
Ai ka thënë se SHBA “do e mbajë Rusinë përgjegjëse” për ndërhyrjen në Ukrainë ndonëse kërkon bashkëpunim me Moskën, që Trump ka thënë se beson se do e arrijë.
Rusia duhet t’i përmbahet marrëveshjes për armëpushim të Minskut të arritur në vitin 2015 dhe duhet patjetër të filloj që të ndikojë në qetësimin e situatës në Ukrainën lindore, ka thënë më tej Pence.
Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja mbetët e përkushtuar për tu siguruar që Irani të mos ndërtojë armë bërthamore.
Sigal