Bashkim Kosovë-Shqipëri, Ambasadori Kosnett zbulon qëndrimin e SHBA

188
Sigal

Ambasadori i SHBA’-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka komentuar në emisionin Pressing në T7 deklaratat e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt për bashkim kombëtar me Shqipërinë.

Gjatë fushatës, Kurti dhe Haradinaj kanë përmendur bashkimin e Kosovës me Shqipëri, Kurti tha se në rast të referendumit, ai do të votonte ‘Po’.

Gjatë fushatës zgjedhore edhe Haradinaj e ka përmendur idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ndërkohë Kosnett ka thënë se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për krijimin e Shqipërisë së Madhe apo edhe për krijimin e Serbisë së Madhe.

“Çka kam menduar me këtë? Së pari, qëndroj prapa asaj që kam thënë. Vizioni i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin nuk është Shqipëria e Madhe dhe Serbia e Madhe. Njerëzit kanë pyetur, cilët ushtarë amerikanë kanë vdekur? Kur flas për ta, atëherë flas për dy pilotë amerikanë të helikopterit, që kanë vdekur në vitin 1999 gjatë operacioneve këtu. Ata kanë vdekur kur helikopteri i tyre është rrëzuar në Shqipëri. Kevin Riker dhe David Gibbs. Kjo nuk është fshehtësi. Në Prizren është ngritur memorial në nderim të tyre, por gjithashtu e kam thënë dhe mendoj se kjo është me rëndësi që Kushtetuta e Kosovës bën thirrje që Kosova të jetë vend shumetnik e jo vend i vetëm një etnie. Të njëjtën gjë ua përmendim edhe njerëzve në vendet e tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara e marrin një pjesë të madhe të fuqisë së tyre nga fakti që jemi vend me larmi fetare dhe shumetnik. Nga kjo nuk e marrim vetëm larminë kulturore; marrim edhe larminë e ideve dhe mendoj se do të ishte e vështirë për çfarëdo qeverie amerikane se përgjigja për paqe në Ballkan qëndron në ndarjen e të gjithëve sipas etnisë dhe ndërtimit të mureve. Duhet të ndërtojmë ura e jo mure”, tha ai.

Ndërkohë bashkimi kombëtar është përmendur si alternativë pasi qytetarët e saj jetojnë të izoluar dhe nuk iu mundësohet udhëtimi pa viza në shtetet e BE-së. Kosnett thotë se nuk e sheh të ardhmen e Kosovës në izolim.