Shoqata e Botuesve Shqiptarë: MAS, përzgjedhje selektive të titujve

673
Sigal

Skandali/ Klientelizmi në përzgjedhjen e librit jashtëshkollor. Ja lista e titujve dhe shtëpive botuese

Orientimi politik dhe klientelizmi duket se po dominon tregun e librit jashtëshkollor, duke favorizuar haptazi 3 apo 4 shtëpi botuese, të cilat zotërojnë listën e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Është Shoqata e Botuesve Shqiptarë (SHBSH) që akuzon MAS për përzgjedhje selektive të titujve dhe shtëpive botuese, përsa i përket literaturës artistike, studimore, shkencore dhe didaktike për bibliotekat e shkollave. “Të nderuar kolegë botues, bashkëngjitur do të gjeni listën që ka miratuar Ministria e Arsimit më datë 28 tetor 2014. Sikurse do e shikoni në listë, lexohet qartë anësia në përzgjedhjen e titujve dhe shtëpive botuese. Historia me këto lista po përsëritet, por në forma të ndryshme”, thuhet në një e-mail dërguar shtëpive botuese nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Kjo problematikë shtrohet pas skandalit të shumëpërfolur përmbajtësor të lëndëve shkollore. Edhe më herët është ngritur problematika e librave jashtëshkollorë nga vetë nxënësit e shkollave të mesme, të cilët janë ankuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit, që nga viti 2012, ka “harruar” të publikojë katalogun e librave jashtëshkollorë dhe kjo, sipas botuesve, ka ardhur, sepse ka munguar bordi i përzgjedhjes së librave jashtëshkollorë. Nuk dihet sesi ka funksionuar këtë vit përzgjedhja e librit jashtëshkollor dhe se kush ka qenë pjesë e bordit, por Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka akuzuar MAS për mos transparencë në këtë proces. “Kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit të bëhej një proces i hapur, edhe me përfshirjen e mendimit të shoqatave profesionale të botuesve, por nuk morëm kurrë përgjigje për këtë kërkesë”. Nga ana tjetër, në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për shtëpitë botuese, thuhet se “Literatura e ofruar për nxënësit të jetë e përshtatshme me grup-moshën së cilës i referohet, si dhe me programet mësimore të arsimit parauniversitar (parashkollor, arsimi bazë dhe arsimi i mesëm). Literatura për mësuesit të jetë në përputhje me prioritet kombëtare për zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Për botimet e përkthyera, bordet do të preferojnë përkthimin nga gjuha origjinale”. Por botuesit thonë për “Telegraf” se shumë tituj në këtë listë nuk janë në përputhje me programet mësimore të arsimit parauniversitar, apo dhe programet orientuese të Maturës Shtetërore. Madje shprehen dyshues për mesazhin që këto libra përcjellin te brezi i ri. Ndër dokumentacionet që MAS i ka kërkuar shtëpive botuese është dhe “kontrata e noterizuar e shtëpisë botuese me autorin apo titullarin e të drejtave mbi veprën origjinale”. Pra, edhe pse “e drejta e autorit” ka qenë një nga kërkesat e MAS, botuesit thonë se ky kriter nuk është zbatuar. Ndërsa pyesin MAS se në ç farë kriteresh është mbështetur bordi për të përzgjedhur të njëjtin autor, që është paraqitur nga shtëpi të ndryshme botuese, shpeshherë duke abuzuar me të drejtën e autorit. Një tjetër gjë që vihet re në listën e miratuar nga MAS është dhe mungesa e çmimeve për shumë tituj. Sigurisht, që kjo pengon drejtoritë e shkollave, përsa i takon përzgjedhjes së titujve, pasi, siç  dihet, çdo shkollë ka një fond të caktuar për librin jashtëshkollor. Ndërkohë MAS, përpos listës, i ka dërguar në datë 28 tetor drejtuesve të DAR/ZA-ve, Urdhrin dhe Rregulloren për përdorimin e fondit “Bibliotekë 2014”. “Merrni masa të menjëhershme për zbatimin e tyre në përputhje me afatet e procedurave që duhen kryer për blerjen e librave për bibliotekat e shkollave” thuhet në e-mailin e MAS për drejtuesit e DAR/ZA-ve. Nga ana tjetër, drejtorët e shkollave nëpër rrethe bëjnë të ditur për “Telegraf” se përzgjedhja e librave jashtëshkollor u vjen me urdhër nga DAR/ZA-të. “Ne ‘gjasme’ bëjmë listën duke parashtruar kërkesat tona, se librat na vijnë me urdhër nga drejtuesit e drejtorive arsimore”. Edhe pse ka dy ditë që lista librave jashtëshkollore është miratuar nga MAS, drejtorët e shkollave thonë se ata ende nuk janë prezantuar me listën. Porse, sipas tyre, ajo çka vërtetë të trishton, është se asgjë nuk ka ndryshuar. “Ne jemi në pritje të urdhrave nga lart për të vepruar” të thonë drejtuesit e shkollave. Porositë dhe urdhrat nga lart i pohon dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila shpreh keqardhjen për mos shkëputjen nga ndikimi i administratës shtetërore. “Na vjen keq, që bordet e miratimit të teksteve ndihmëse për shkollat dhe bibliotekat nuk kanë mundur të shkëputen dot nga ndikimet e administratës”, mbyllet e-maili i SHBSH-së, drejtuar kolegëve botues.

Pyetjet e botuesve për MAS

 -Bordi ka 2 vjet që nuk është mbledhur, po cilët janë anëtarët e bordit të ri?

– A është në përputhje kjo listë me programet orientuese të Maturës Shtetërore, apo lë vend për abuzime?

– Disa tituj artistikë në letërsinë shqipe apo të huaj, janë hedhur në qarkullim nga disa shtëpi botuese, duke qenë se kanë abuzuar me të drejtët e autorit. Çfarë kriteresh ka përdorur bordi përzgjedhës i teksteve për të njëjtin titull? Ku është bazuar bordi, te çmimi, kopertina, faqosja, apo te aferat?

– Ku duhet të bazohen shkollat për të përzgjedhur librat, ndërkohë që nuk janë dhënë çmimet për disa libra?

Ledjana Saliu