Shkarkohet drejtoresha që denoncoi kreun e DAR Durrës

3394
Sigal

Për konfliktin  që shkruajti dje  “Telegraf” interesohet edhe kryeministri Rama

Vetëm pak orë pas botimit në gazetën “Telegraf” të denoncimit me fakte të drejtoreshës së shkollës “Shaqe Mazreku” zonjës Adelina Qerama, ndaj drejtoreshës së DAR Durrës, kjo e fundit ka kryer në mënyrën më të paligjshme shkarkimin e saj. Një ditë më parë drejtoresha e shkollës “Shaqe Mazreku” zonja Qerama, ka denoncuar me fakte arsyet e një konflikti të gjatë mes saj dhe drejtoreshës së DAR Durrës zonjës Muka, ku e akuzonte për shkelje të ligjit, udhëzimeve të MAS, dhe motive krejtësisht personale lidhur me kërkesën për “dorëheqje të detyruar”. Veç të tjerave, zonja Qerama, në pozicionin e drejtoreshës së shkollës 9 vjeçare “Shaqe Mazreku” e akuzonte kreun e DAR-it  edhe për faktin se “zonja Lindita Muka e ka kthyer prej 1 viti e gjysëm institucionin e arsimit në vendin ku thurren intriga dhe skenare për largime dhe emërime të paligjshme, duke detyruar drejtuesit t’i binden urdhërave absurde të saj, për të kontrolluar gjithçka, duke nisur nga marrja e mësuesve e nëndrejtorëve e deri tek financat e shkollës”.  Këto akuza zonja Qerama i ka bërë e mbështetur sipas saj “në fakte dhe jo hamendësi, pasi prej disa muajsh ajo ka nisur një luftë të paprinciptë, duke shfrytëzuar postin”. Por vetëm pak orë pas botimit të shkrimit në “Telegraf”, ka shpërthyer edhe reagimi i kreut të DAR-it Durrës zonjës Lindita Muka. Duke u prononcuar për “Telegraf”, zonja Qerama tha se “duke qenë në kundërshtim me ligjin, Kodin e Punës, kur unë kisha njoftuar se jam me raport mjekësor, zonja Muka ka vajtur në shkollën ku unë jam drejtoreshë, dhe ka mbledhur stafin e mësuesve, duke u thënë atyre se “nga ky moment Adelina Qerama është e shkarkuar, ja thoni këtë, dhe le të botojë shkrime sërish”.  Fakti është se stafi mësuesve ka mbetur i shokuar, por asnjëri prej tyre nuk ka patur guximin të fliste dhe të mbronte drejtoreshën, e cila duhet thënë se mbetet e vetmja që ka administruar me dokumentacion të rregullt çdo financim të mbledhur dhe çdo shpenzim që është bërë, për t’i ndryshuar faqen ambienteve të jashtme dhe të brëndshme shkollës. Ky veprim arbitrar i pambështetur në ligjin për Arsimin dhe Kodin e Punës, mbetet një skandal i rradhës për DAR Durrës, dhe një hap tjetër drejt antiligjit i vetë zonjës Lindita Muka. Zonja Qerama tha se “unë do të ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe do të kërkoj nga organet kompetente drejtësi, duke denoncuar edhe atje me fakte dhe dokumenta shkeljet dhe abuzimin që zonja Muka ka bërë të paktën me mua me postin që mban”. Fakti është se në bazë të Udhëzimit me nr 57 datë 12.11.2013, mbi “Procedurat e Emerimit dhe Shkarkimit të Drejtorit të institucionit Publik të Arsimit Parauniversitar” thuhet shprehimisht se “Drejtuesi duhet të mbledhë 6 ditë pas mbledhjes së komisionit dhe të vendosë mbi emërimin ose shkarkimin e personit të propozuar”, ndërkohë që kanë 3 muaj, gjë që e bën të pavlefshme vendimin e zonjës Muka. Ka qenë ajo që nuk ka dhënë vendimin në afatin kohor të paracaktuar në Udhëzimin me nr 57, ndërkohë që ka vazhduar me presion verbal për të dhënë dorëheqjen e detyruar. Realisht situata në sistemin arsimor në Durrës mbetet kaotike dhe me shumë problem, të cilat shfaqen në pothuajse shumicën e shkollave, duke nisur nga emërimet dhe duke mbaruar menaxhimin e financave të mbledhura nga nxënësit qysh ditët e para të vitit shkollor. Zonja Qama tha se “vlersoj interesimin e Kryeministrit Rama ,ndërsa  “me zonjën Muka do të shihemi në gjyq, kam besim se organet e drejtësisë do të japin drejtësi dhe unë çështjen time do ta ndjek deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit tim”.

BEN  DELIMETA