Prof. Valier Peshkëpia: Universitetet, ligji, politika, pedagogët e paaftë dhe trajtimi i studentëve si klientë për interesa financiare

888
Sigal

Dinamikat dhe problemet e ciklit të lartë universitar në Shqipëri

 

Procesi i Bolonjës dhe disa zhvillime të tij në Arsimin tonë të Lartë

 

Prof. Valier Peshkëpia, ish-drejtues, specialist i AL në MASR(ish- MASH)

 

Arsimi i Lartë në vendin tonë po përjeton, ashtu si gjithë vendi, një dinamikë dhe njëkohësisht një problematikë në kahe dhe në përvijime strukturore të ndryshme. Lidhjet me institucionet homologe evropiane dhe kërkesat cilësore të “Procesit të Bolonjës”, dhe të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, HEAL, 2010-2020, kanë krijuar një situatë dhe një klimë të re, për të cilën mendoj se në Mbledhjen e Parisit, 24-25 maj 2018, e parashtruar qartë edhe në Komunikatën e kësaj veprimtarie të rëndësishme ndërkombëtare, duhet të ishte në fokus të shtjellimeve e të analizave, në radhë të parë nga specialistë, ekspertë, drejtues të niveleve të ndryshme të arsimit të lartë dhe mbi këto analiza të realizohen deduksione e përfundime. Mendoj se tashmë ka ardhur koha të bëhet edhe njëherë e qartë për të gjithë se çfarë ka përfaqësuar e vijon të ketë në vetvete “Procesi i Bolonjës”? A është ai më tepër një proces akademik, universitar e shkencor, apo mund të trajtohet vetëm nga këndvështrimet e politikës apo të disa drejtuesve politikë që hyjnë e dalin dhe më pas harrohen?

Cili është raporti aktual i tij me legjislacionin e Arsimit të Lartë në vendin tonë?

 

A i përgjigjet legjislacioni aktual. Ligji 80/2015 “Për AL dhe kërkimin shkencor në IAL në RSH” standardeve të cilësisë që kërkon “Procesi i Bolonjës”, “Tregu i Punës” në vendin tonë dhe në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë e më gjerë?

Prej kohësh në Evropë është bërë tashmë normë që nënshkrimeve të ministrave të arsimit, konkluzioneve të konferencave ndërkombëtare u paraprin në mënyrë transparente një pjesëmarrje e ekspertëve, debatimit të tyre rreth çështjeve kardinale që ka shtruar dinamika reale e “Procesit të Bolonjës”, i cili nuk është më një deklaratë, por një proces kompleks shumëplanësh akademik për rrugën në të cilën ecën dhe zhvillohet arsimi i lartë në vendin e tyre, në raport me zonën evropiane të arsimit të lartë. Praktikisht, si veprohet në vendin tonë, kur e gjithë dinamika e “Procesit të Bolonjës”, të 6-të objektivat themelore të tij, bazohen kryesisht mbi standarde dhe kritere profesionale, humane, sociale e akademike?

Më konkretisht:

Deri në vitin 2007, kur ende në fuqi ishte ligji i arsimit të lartë që kërkonte të shtriheshin studimet në tre cikle dhe titujt e diplomave të ishin produkt i një mendimi të gjerë, të kualifikuar i profesoratit dhe i ekspertëve të arsimit të lartë, në referencë edhe me përvojën dhe traditën e fituar në të gjithë dinamikën e shkollës sonë të lartë, iu la emërtimi i diplomave dhe i kurrikulave universitare vetë stafeve akademikë, të cilët do të përcaktonin mbi bazën e standardeve të cilësisë programacionin lëndor, raportin e nevojshëm brenda kurrikulës dhe ku në të ishte parashikuar edhe ajo që quhet nga ekspertët e arsimit të lartë pranë KE kurrikul ndërkombëtare, pikët e kreditit, ECTS, standard evropian, transferimi i studimeve dhe i stafeve akademikë, si edhe emërtimi i titujve të diplomave, të cilat të merrnin në vlerësim edhe kontinuitetin e diplomave në rrymë të viteve të shkuara, në harmoni me dinamikën e tregut të punës, si edhe me sistemin e studimit(autori i këtij shkrimi ishte koordinator i MASH-it shënim).


Çfarë ndodhi, në mënyrë të veçantë pas vitit pas vitit 2007 e në vijim?

 

Duke përmbysur të gjithë traditën dhe duke krijuar një pështjellim në ciklet e studimit, në titujt e diplomave, në realizimin kohor të studimeve sidomos “studimet master”, duke mos sqaruar konkretisht se çfarë përfaqësonin në vetvete diplomat 4 dhe 5 vjeçare të fituara deri në vitin 2007. Ajo që i bën edhe më problematike titujt e diplomave është shtrirja kohore e cikleve të studimit dhe në mënyrë të veçantë cikli i parë bachelor. Konventa e Lisbonës nuk ka nënvizuar asnjëherë se kohëzgjatja e studimeve duhet të jetë patjetër 3 vjet, por bazuar mbi lirinë institucionale dhe akademike të universiteteve ajo është në kompetencë të vetë strukturave universitare dhe të branshit të studimit, por jo më pak se 3 vjet, pra mund të jetë edhe 4 vjet, përvojë që e ka edhe Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Greqia etj., që është variabël dhe jo e ngurtë e statike.

Le t’i vëmë për një çast diplomat, titujt e tyre përballë tregut të punës. Në praktikën evropiane sot është kthyer në normë që titujt janë në varësi të tregut, të shumanshmërisë së tij dhe vetë kurrikula është e lidhur me këtë dinamikë, për të realizuar praktikisht diplomim cilësor, kusht sinekuanon i “Procesit të Bolonjës”.

Shtrojmë pyetjen, se kush mban përgjegjësi për ndryshime të tilla dhe që nuk merr në vlerësim principet themelore të “Procesit të Bolonjës” e të tubimeve vijuese në funksion të saj? Por bën kalimin pindaresk duke u mbuluar me mantelin e votave, nuk ecën në një vijë me dinamikën dhe zhvillimet cilësore të universiteteve homologe të kontinentit tonë evropian e duke krijuar një çoroditje në rrafshin e diplomave, të cilat në vetvete janë vetëm garancia për të përballuar sfidat e tregut të punës, global dhe rajonal.

Duke vështruar këtë dinamikë të re, shtrirjen në tre cikle studimi universitar, mbi bazën e përvojës dhe të kontakteve me universitet homologe evropiane e më gjerë, natyrisht përpara strukturave të niveleve të ndryshme të përfaqësimit në AL, mendoj se shtrohen disa problematika për t’u shtjelluar e zgjidhur vijimisht e konkretisht:

  1. Është shkruar vijimisht dhe trajtuar nga optika të ndryshme, nga këndvështrime të pasura dhe idepërshkruese, në prerje kohore të ndryshme rreth kualifikimit shkencor, nevojës për të përballuar sfidat që ka shtruar “Procesi i Bolonjës” dhe HEAL dhe tubimet vijuese sistematike në zbërthim dhe në funksion të saj, por mendoj se ai duhet vendosur në një kontekst të ri social, behavjurist, historik dhe profesional, kur tashmë, si kemi nënvizuar edhe më herët, në vendin tonë ka një simbiozë të stafit akademik të përgatitur në vendin tonë dhe atij të diplomuar në Evropë e më gjerë. Pra, ky lloj kualifikimi kurrikular e ciklor universitar duhet të synojë në funksion të cilësisë së diplomimit në të gjitha prerjet e formave të studimit;
  2. Reformimin e sistemit të kualifikmit shkencor, kornizës së kualifikimeve, e cila të synojë përgatitjen e specialistëve të aftë për të kryer veprimtari pedagogjike e kërkimore shkencore me tregues të krahasueshëm e të matshëm me atë të homologëve evropianë, dhënia e gradës shkencore apo të niveleve të tjera më të larta, sipas kritereve të përcaktuara qartë në akte normative nënligjore, të cilat nuk duhet të ndryshohen në funksion dhe në varësi të ndryshimeve politike, por mbi bazën e një përvoje të fituar dhe atë të praktikave më të mira të universiteteve homologe evropiane;
  3. Krijimi i një mjedisi të ri aktual të përshtatshëm akademik e ligjor. Mendoj se tashmë ka ardhur koha që edhe vetë universitetet e “rretheve” në ato programe studimi që kanë përvojë, staf të përgatitur dhe infrastrukturën e nevojshme universitare duhet të jenë gjithëpërfshirëse e të marrin pjesë sidomos në kualifikimin dhe në diplomimin e ciklit të tretë universitar e postdoktoral, sipas objektivave dhe dinamikës së shtruar përpara komunitetit akademik të arsimit të lartë nga “Procesi i Bolonjës”, “Konventa e Lisbonës”, HEAL e që kjo mos të jetë monopol vetëm i disa universiteteve, si në të shkuarën e në vijim, etj. Për këtë mendoj se është e nevojshme të rishikohet edhe legjislacioni aktual, i cili realisht i pengon këto IAL Publike duke vënë kufij për numrin e lartë të pedagogëve efektivë me titullin akademik “Profesor” për të qenë të matshëm e të krahasueshëm me IAL e tjera Publike të AL në mënyrë të veçantë në kryeqytet;
  4. Transferimi i studimeve dhe i mobilitetit të stafeve dhe i studentëve është një nga objektivat themelore të “Procesit te Bolonjës” dhe tashmë është në fazën e implementimit real në HEAL në të gjithë vendet që kanë nënshkruar “Deklaratën e Procesin e Bolonjës”, ku edhe ne jemi prej vitesh pjesë. Por, si paraqitet situata konkrete në arsimin e Lartë të vendit tonë? A ka dinamikë zhvillimi apo kemi një regres te ne dhe nuk zbatohet si në të gjitha vendet nënshkruese të “Deklaratës e të Procesit të Bolonjës? Jemi të mendimit se pas vitit 2007 dhe në vijim edhe me Ligjin 80/2015 ‘Për AL dhe Kërkimin Shkencor në IAL në RSH” nuk ka ende një transferim të studimeve, mobilitet racional të studentëve dhe të stafeve akademike, sipas objektivit të “Procesit të Bolonjës” dhe që është realizuar konkretisht në universitetet dhe në shkollat e larta të vendit tonë deri në vitin 2007?!…;
  5. Fryma sociale është gjithashtu një tjetër objektiv i rëndësishëm i Procesit të Bolonjës, i cili ka për qëllim kryesor të ndihmojë ata studentë që janë në kushte të vështira ekonomike, por edhe nga vende të tjera për t’iu dhënë mundësinë të studiojnë në Universitete të niveleve më të larta cilësore dhe kjo në mënyrë të veçantë pasqyrohej në tarifat e ulëta të shkollimit e kryesisht në ciklin I të studimeve. Nga vëzhgimet tona si punonjës i vjetër i AL konstatojmë se tarifat e shkollimit janë rritur tepër, nuk shkojnë në një vijë me përcaktimin nga UNESCO se Arsimi i Lartë është një e mirë publike dhe nuk i përgjigjen realisht kostos së studimit, për të cilën ne vitin 2007 ka një studim nga Dikasteri i Arsimit në bashkëpunim me IAL-të e vendit tonë, por që aktualisht nuk ka një studim të publikuar rreth dinamikës së zhvillimit të AL dhe raportit me financat e studentëve, si në ciklin I ashtu edhe për ciklin II të studimeve universitare, të cilat përbëjnë shumicën dërmuese të studentëve në IAL, si publike, por pse jo edhe në ato private, pasi gjithçka miratohet nga strukturat e Ministrisë së Arsimit apo edhe më lart;
  6. Mendoj se etja për zgjerim në programe studimi apo në struktura akademike, pa cilësi në të gjithë përbërësit e veprimtarisë universitare, ul cilësinë e diplomimit dhe krijon problematikë në raport me sfidat e tregut të punës;
  7. Duhet të përmirësohet raporti licencim/ akreditim, sepse kjo lë shteg për fiktivitet, për hapje të programeve apo të strukturave të reja akademike mbi bazën e standardeve jocilësore, të mos respektimit të kritereve të vendosura që më parë, pasi ndodh shpesh që ato të pësojnë anomali gjatë rrugës e më pas sjellin edhe problematika sa akademike, po aq edhe morale e ligjore;
  8. Nuk duhet të çuditemi se ende ka pedagogë pa përvojë, pa formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, apo ata që japin lëndën të përgatitur në vite nga të tjerë pedagogë, të cilët që në përballjen e parë me studentët apo me kolegët për problematika të brendisë apo konceptuale “dorëzohen”;
  9. Jemi të mendimit se bordi i administrimit, aq shumë i debatuar, duhet të bjerë dhe se e vetmja strukturë akademike e financiare përgjegjëse për zhvillimin polivalent e cilësor të çdo IAL-je janë senati akademik, këshillat e fakulteteve apo edhe vetë Departamenti ku nënvizojmë se që në vitin e largët 2000-2001, ku në maxhorancën qeverisëse ka qenë PS, janë ngritur grupe pune në ish-MASH, sot MASR, për të pasur, deri Fakultete me llogari me vete, apo karta e studentit të jepej me VKM ose me ligj nga Kuvendi i R. së Shqipërisë dhe jo nga Bashkitë, pra që studenti të ndjehej student në çdo cep të vendit dhe jo vetëm në kufijtë e qytetit ku ai studion;
  10. Një tjetër akt nënligjor që bie ndesh me objektivat e “Procesit të Bolonjës” në rrafshin e zbatimit konkret të tij, pra në HEAL, është edhe Udhëzimi nr. 29, datë 10.09.2018 “Për veprimtarinë dhe ngarkesën e personelit akademik në IAL”, i cili në pikën II, paragrafi I, u jep të drejtën pedagogëve efektivë që mund të mbulojnë edhe 100 orë mbi kufirin 200 orë. Shtrojmë pyetjen se ku qëndron cilësia këtu në mësimdhënien në auditor?!…Është bërë mirë që është ulur norma mësimore në auditor, por nuk ka një sqarim midis orës faktike dhe orës mësimore në të dy ciklet e studimit, pra si në ciklin I të studimeve, bachelor, ashtu edhe në studimet e ciklit II, master. A është e mundur që një pedagog të zhvillojë disa lëndë, disa disiplina shkencore, të cilat edhe në një shkollë të largët fshati do ta vinin në vështirësi mësuesin dhe për këtë mendoj se këto akte normative sikur hartohen nga njerëz që nuk e njohin fare dinamikën e kërkesat kualitative të “Procesit të Bolonjës”, çka janë shtruar qartë edhe në “Mbledhjen e Parisit”, komunikatën e saj një vit më parë dhe ende nuk ka një platformë transparente për dy vitet në vijim. Jemi të mendimit se ky udhëzim duhet t’i nënshtrohet një gjykimi prej specialisti, sepse në disa drejtime ai cenon edhe aktin, procesin e vlerësimit të studentëve, pikët e kreditit, ECTS, të provimeve, të detyrave të kursit, nuk njeh mirë strukturën e studimeve master, apo edhe më keq duke futur në ciklin e tretë të studimeve, llojin e “masterit ekzekutiv”, i cili bie ndesh me tre ciklet e studimit, sipas “Procesit të Bolonjës”: bachelor, master e doktoraturë apo duke na kthyer pas duke futur edhe në studimet master provim formimi dhe jo temë studimore, ashtu si ka qenë edhe në herët dhe ishte kthyer në normë, jo vetëm për ciklin II të studimeve, por edhe në ciklin I, me një numër të vogël faqesh apo fjalësh.(30-35 faqe);
  11. Pranimet në IAL nuk mund të kryhen në mënyrë voluntariste, si edhe kuotat e pranimit duhet të bazohen në standardet e cilësisë. Ato nuk mund t’i shtojmë apo t’i ulim sipas dëshirave “politike” apo më keq nga mosnjohja, padija e duke i trajtuar studentët si klientë për shtimin e të ardhurave financiare;
  12. Kritere të qarta, transparente dhe cilësore duhet të ketë edhe për Arsimin e Lartë Privat, sepse në fund të fundit edhe ai lëshon diplomë, është pjesë përbërëse në sistemin e arsimit tonë të lartë dhe konkurron me diplomën e vet në tregun e punës, vendas e të huaj.
  13. Një shtysë të rëndësishme do t’i japë cilësisë së kurrikulave, teknologjisë së mësimdhënies dhe në përgjithësi studimeve universitare në të gjithë përbërësit e vet edhe “Suplementi i Diplomës”, i cili ende nuk po gjen zbatim cilësor dhe që me të drejtë është nënvizuar edhe në Komunikatën e Mbledhjes së Ministrave të Arsimit në 24-25 maj të vitit të kaluar në Paris.

 

Strategjia e AL, kërkesë kjo edhe nga “Mbledhja e Parisit”, për dy vitet në vijim 2018 – 2020 duhet të hartohet e të realizohet edhe në vendin tonë në kohezion e në bashkëpunim me kolegët tanë evropianë e më gjerë dhe kjo të bëhet e ditur e transparente për të gjithë të interesuarit.