Prof. Dr. Bilal Shkurtaj/ 10 tetor 1994 është një nga ditët më të rëndësishme të Universitetit të Vlorës

983
Sigal

*pedagog i Fizikёs

-Rektor i universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. (Prill 1998 – Nёntor  2007)

– Dekan i Fakultetit të Edukimit, universiteti “I. Qemali” (Janar 2008 – Nёntor 2008)

-Përgjegjës i Qendrës Kërkimore Shkencore (Nёntor 2008 e nё vazhdim).

20 vjet më parë u realizuan dëshirat dhe përpjekjet shumëvjeçare të intelektualëve, të personaliteteve të shquar vlonjatë

KRENARЁ PЁR ARRITJET DHE VIZIONET E GUXIMSHME GJATЁ KЁTYRE VITEVE. TЁ BINDUR DHE TЁ VENDOSUR PЁR TЁ ARRITUR STANDARDET E NJЁ ARSIMI TЁ LARTЁ CILЁSOR BASHKЁKOHOR

 10 tetor 1994 është një nga ditët më të rëndësishme të Universitetit të Vlorës. Është dita e themelimit të tij. 20 vjet më parë u realizuan dëshirat dhe përpjekjet shumëvjeçare të intelektualëve, të personaliteteve të shquar vlonjatë në të gjitha fushat e dijes, që Vlora, kjo qendër e rëndësishme në jug të Shqipërisë, të kishte universitetin e vet, tempullin e vet të dijes. Këshilli i Ministrave me vendim Nr. 103, datë 28. 02. 1994 vendosi hapjen e universitetit të Vlorës me degët infermieri, Biznes, Turizëm dhe Inxhinieri Navale. Bordi drejtues, nën drejtimin e të cilit, vepronin grupet e punës për ngritjen e universitetit përbëhej nga intelektualë të mirënjohur në fushën e arsimit në Vlorë: Sezai Bazaj, Spiro Caushi, Kristaq Pavli, Janaq Vaso, Patriot Islami. Për përgatitjet e ngritjes së universitetit një mbështetje e fuqishme u dha nga Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik. Në bord dhe në grupet e punës për fakultetet merrnin pjesë: Nestor Therecka (rektori i Universitetit të Tiranës), Gëzim Karapici (rektor i Universitetit Politeknik), Halit Xhafa (zv. Dekan i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës), Rexhep Bregu (zv.dekan i Fakultetit të Mjekësisë), Nikolin Pema (zv.dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës). Nuk ishte vetëm dëshira shumëvjeçare e vlonjatëve për hapjen e universitetit, që e ka zanafillën që në idetë e rilindësve për ngritjen në Vlorë të një shkolle të anijerisë apo në idetë e I. Qemalit dhe qeverisë të tij që zhvillimi i arsimit të shtrihesh, të zhvillohej deri në nivel të shkollave të larta. Në radhë të parë, kishte një bazë të shëndoshë për hapjen e universitetit. Traditat e shquara në fushën e arsimit dhe numri i madh i specialistëve të lartë të dalë nga gjiri i shoqërisë vlonjate në të gjitha fushat e dijes dhe kontributi i tyre i madh në të gjithë jetën e vendit dhe në të gjithë kohërat shtrihen natyrshëm në shtratin e ngritjes së këtij tempulli të krenarisë së arsimit vlonjat. Ishte mjaft e studiuar zgjedhja e degëve me të cilat u hap universiteti. Degët e hapura ishin një vazhdimësi dhe ngritje deri në nivel të shkollave të larta universitare të shkollave të shquara kombëtare: Shkolla Tregtare e çelur në 8 Nëntor 1924 që përfshinte nxënës nga Vlora, Fieri, Ballshi, Berati, Gjirokastra, Elbasani, Durrësi e Kosova dhe që në vitin 1933 është quajtur edhe Institut i Tregtisë;  Shkolla Mjekësore “Jani Minga”, e vetmja shkollë kombëtare me histori më tepër se gjysmë shekullore; Shkolla Pedagogjike, shkollat e mirënjohura të arsimit të përgjithshëm “H. Xhelo”, “A. Demi”, Shkolla Industriale, Akademia Ushtarake e Marinës, e çelur në vitin 1961 në Pashaliman  dhe Shkolla e Lartë e Aviacionit, që nisi veprimtarinë e vet në Maj 1962; filiali i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, i ngritur në Vlorë në periudhën 1970 – 1980 për degët Plan dhe Kontabilitet; filiali i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës për degët e Mësuesisë: Gjuhë – Letërsi, Matematikë – Fizikë, Biologji – Kimi dhe Histori – Gjeografi nga viti 1969 deri në vitin 1982.

Arritje të arsimit në Vlorë

 Pikërisht këto arritje të arsimit në Vlorë bënin të mundur që të përzgjidhej stafi akademik fillestar i nevojshëm, i aftë, i përkushtuar dhe i kompletuar, që do të bënte të mundur të hidheshin të sigurta themelet e universitetit të ri. Nuk kam qenë në universitet qysh në themelimin e tij. Erdha në universitet 3, 5 vjet mbas hapjes së tij, në një kohë kur ai po hidhte hapat e para të sigurta në rrugën e zhvillimit dhe konsolidimit të tij. Duke ardhur nga një institucion vetëm kërkimor – shkencor, nuk kisha përvojën e mjaftueshme për drejtimin e universitetit. Nuk e kisha njohur më parë stafin akademik të universitetit. Rektorin e parë të universitetit Dr. Sezai Bazaj e kisha njohur nëpërmjet televizionit në ngjarjet e ‘97, kur universiteti ishte kthyer në qendrën e protestave; vazhdimisht në krye të detyrës prezantohej shumë i kujdesshëm në ato situata shumë delikate. Duke u njohur më vonë me dokumentacionin e universitetit gjatë kësaj periudhe, kuptova se ai kishte qenë model i një drejtuesi ligjor, institucional dhe kishte kontributin e tij në ecurinë e suksesshme të universitetit. U integrova shumë shpejt me punën në universitet duke hyrë në rezonancë me ritmet e larta me të cilat ecte universiteti e duke u mbështetur në përvojën e madhe të mjaft pedagogëve . Në mënyrë të veçantë do të përmendja Prof. Spiro Caushin, me të cilin ishim për gati 10 vjet së bashku si drejtues të universitetit dhe më tej si pedagogë e me detyra të tjera të rëndësishme. Spiro Caushi, Brunilda Lilaj dhe Selman Lame ishin dekanët e pare, përkatësisht të Fakultetit të Marinës, të Fakultetit të Infermierisë dhe të Fakultetit të Tregtisë. Përveç stafit akademik efektiv, të përbërë fillimisht prej 10 pedagogësh, u aktivizuan në procesin mësimor mjaft specialistë të aftë e të mirënjohur të fushave të ndryshme si inxhinierë të kantierit detar në Pashaliman, ish pedagogë të Akademisë së Marinës e navigatorë të sprovuar të Flotës Detare, mjekë të mirënjohur të specialiteteve të ndryshme, mësues me përvojë dhe ekonomistë, ku në mënyrë të veçantë mund të përmendim: Natasha Ahmetaj, Diana Kozdine, Vasil Mino, Abedin Elmazi, Nevila Furxhi, Avdul Vasjari, Arta Musaraj, Artur Ribaj, Klodiana Gorica, Pranvera Resuli, Fejzi Alushi, Sotiraq Vangjeli, Hito Jaze, Metli Deraj , Kristofor Lapa, Pajtim Islami, Kujtim Peci, Petraq Truja, Ëngjëll Hasimi, Vladimir Kasëmi, Luljeta Gusho, Diana Bazini, Lutfi Gjika, Sabri Kasimati, Seit Jonuzi, Anastas Bubuni, Xhemil Qorduka, Vasilika Mako, Anastas Goga, Fatbardha Male etj.

Puna plot përkushtim

 Ishte puna plot përkushtim e profesionalizëm e këtij stafi akademik të viteve të para që u krijua një opinion shumë i mirë për universitetin dhe që bëri të mundur që universiteti të ecte, të rritej, të zhvillohej e konsolidohej me ritme shumë të shpejta, ku më vonë me dhjetëra pedagogë do të bënin një  karrierë të shkëlqyer akademike. Pёrzemёrsisht mirënjohje pedagogëve tё mёsipёrm dhe tё tjerёve, qё mund tё mos kem përmendur, qё me punёn e tyre hodhёn themelet e sigurta tё universitetit tё ri tё Vlorёs.

Hapja e universitetit në Vlorë përkon me një moment të rëndësishëm historik: Shqipëria sapo kishte hyrë në rrugën e shndërrimeve të fuqishme demokratike. 20- vjetori i krijimit të tij përkon, sipas mendimit tim, po me një moment të rëndësishëm historik për arsimin e lartë shqiptar: atë të reformës më të thellë dhe vendimtare për një arsim të lartë cilësor bashkëkohor. Në këto kushte universiteti i Vlorës diti të përfitojë nga avantazhet e kësaj periudhe, nga hapësirat që u krijuan nga thyerja e izolimit dhe hapja me botën dhe njëkohësisht të përballet me mjaft dukuri negative të krijuara nga një tranzicion i vështirë i demokratizimit të jetës shqiptare. Jeta e universitetit në këto vite është karakterizuar nga ritme shumë të larta zhvillimi. Krahas konsolidimit të degëve me të cilat u hap, nga viti në vit u hapën degë e profile të reja. Nga viti 1995 e deri në vitin akademik 2007 – 2008 u hapën degët: në vitin 1995 Gjuhë Angleze, 1998 Navigacioni për Flotën Detare Civile dhe Cikli i Ulët, 1999 Matematikë – Fizikë, 2001 profili Navigator për Peshkimin Detar, 2002 Cikli i Ulët Parashkollor, Gjuhë Italiane dhe profili Infermier – Mami, 2003 dega Drejtësi, Teknologji Informacioni dhe Pedagogji e Specializuar, 2005 Gjuhë Letërsi. Në vitin 2003 u hap sistemi me kohë të pjesshme (part -time) për degët: Biznes, Turizëm, Cikël i Ulët, Cikël i Ulët Parashkollor, Matematikë – Fizikë dhe Gjuhë – Letërsi. Numri i studentëve u rrit nga viti në vit. Kërkesat nga viti në vit në rritje bën që universiteti të shndërrohej gradualisht nga një universitet fillimisht i pranueshëm në një universitet të preferueshëm. Numri i kërkesave u rrit mesatarisht tre herë në raport me kuotat e pranimit e në disa degë edhe katër herë.  Kjo bëri që nga viti në vit të rritej numri i kuotave të pranimit. Numri i studentëve u rrit me ritme të shpejta: nga 162 studentë në vitin 1994 – 1995, në 670 në vitin akademik 1997 – 1998, duke arritur shifrën rekord  10 000 studentë në vitin akademik 2007 – 2008 (7400 në sistemin me kohë të plotë dhe 2880 në sistemin me kohë të pjesshme). Numri i studentëve të pranuar në vitet e para arriti në rreth 2070 në vitin akademik 2007 – 2008. Në këtë mënyrë, Universiteti i Vlorës u rendit i dyti mbas Universitetit të Tiranës dhe i pari midis universiteteve të rretheve dhe universiteteve të tjera të Tiranës

Zhvillime të rëndësishme

Zhvillime të rëndësishme ndodhën në Universitetin e Vlorës mbas vitit 2008. U riorganizua struktura drejtuese dhe administrata, departamentet dhe fakultetet, planet mësimorë dhe programet e lëndëve. U standardizua dhe u informatizua procesi i mësimdhënies, i kontrollit dhe i vlerësimit të njohurive të studentëve, duke synuar që Universiteti i Vlorës të bëhej model i një universiteti bashkëkohor perëndimor. U hapën gjithashtu shumë degë të reja si: Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Informatikë, Shkenca Kompjuterike, Inxhinieri Mekanike dhe Elektrike, Financë, Kontabilitet, Marketing, Ekonomiks, Matematikë – Financë e Aktuaristikë. Krahas përgatitjes së studentëve, suksese të dukshme u arritën në formimin dhe konsolidimin e një profesorati të kualifikuar, në përputhje me kriteret dhe standardet bashkëkohore, nëpërmjet kualifikimit pasuniversitar, mbrojtjes së doktoraturave dhe fitimit të titujve akademikë. Kjo është arritur në sajë të një mbështetje shumë të madhe të Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, nëpërmjet kontaktit me kolegët e tyre në departamentet homologe, të cilët kishën një përvojë shumëvjeçare si dhe bashkëpunimit me universitet të huaja. Qysh në vitin e parë, për të gjithë pedagogët efektivë, u krijua mundësia që të njihen me përvojën e universiteteve fqinjë (Greqi, Itali) dhe më vonë në Francë, Angli, SHBA, ku pedagogët u kualifikuan për periudha afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra. Është për t’u theksuar që pedagogët, shumica, edhe pse të rinj në moshë, e shikonin universitetin dhe detyrimet që kishin ndaj tij jo si  një institucion i ri që i duhet kohë të krahasohet me të tjerët, por si një institucion që duhet të jetë bashkëkohor dhe të konkurrojë në mënyrë dinjitoze me analogët e vet në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Kualifikimet afatgjata në Universitetin e Barit, Leçes, Napolit, Athinës, Janinës, Nebraskës (SHBA), Stafordshire (Angli), Anzher (Francë) u pasuan nga përpjekje për mbrojtje të gradave dhe të titujve shkencor.  Përfshirja dhe rrezatimi i vlerave intelektuale të profesoratit në probleme të ndryshme të kohës dhe të zhvillimit të rajonit të Vlorës e kanë bërë Universitetin e Vlorës gjatë kësaj periudhe të mirënjohur për të rinjtë, opinionin qytetar, universitetet e vendit si dhe shumë universitete të huaja në Itali, Gjermani, Greqi, SHBA.

Bashkëpunimi me universitetet e huaja ka qenë faktor i rëndësishëm i përparimit të universitetit. Për një periudhë të shkurtër u realizua një bashkëpunim i suksesshëm me mjaft universitete në Europë dhe në Amerikë si: Anzher (Francë), Zingen (Gjermani), Leçe, Bari, Kozenca, Mesina, Ankona (Itali), Janina (Greqi), Qipro (turke), Finlandë, Lozana (Zvicër), Krajova (Rumani), Gdinja dhe Sczecin (Poloni), Kolegji Sandhill në Karolinën e Veriut (SHBA), Prishtinë e Tetovë, etj. Është anëtarësuar në mjaft shoqata (rrjete universitare) si: Rrjeti i universiteteve të  Detit të Zi (BSUN), Shoqata e Universiteteve Ekonomikë të Europës Juglindore (ASECU), Shoqata e Universiteteve të Mesdheut (CMU), Qendra Kombëtare për Kërkim dhe Kooperim të Europës Juglindore (CIRCEOS), Uniadron, Rrjeti i Universiteteve të Korridorit të Tetë, Shoqata e Ambientalistëve të Ballkanit (BENA) etj..

Në reformën europiane të arsimit të lartë

U përfshi në reformën europiane të arsimit të lartë, duke u bërë pjesë e hapësirës europiane të arsimit të lartë dhe pjesë e hapësirës europiane të shkencës, duke aplikuar dhe fituar në të gjitha projektet e shpallura (thirrura) si TEMPUS (10 projekte), INTERREG (6 projekte), 9 projekte në kuadrin e protokollit të bashkëpunimit shkencor me vendet fqinjë (Universiteti i Leçes,  Universiteti i Barit, Universiteti  Ferrares , Universiteti i Tetovës, Universiteti i Janinës, Akademia Sllovene e Shkencave), projekte të kërkimit shkencor dhe teknologjik të financuar nga MASH dhe PKKZH (22 projekte). Në kuadrin e këtyre projekteve është bërë e mundur që dhjetëra pedagogë të përfitojnë përvojë akademike dhe shkencore me universitetet europiane. Vetëm në kuadrin e INTERREG II kanë përfituar kualifikime 2 mujore dhe 10 mujore 23 pedagogë. Në disa projekte përfitimi ka qenë më i prekshëm. Kështu, në kuadrin e projektit të shoqatës së mbështetjes të personave me aftësi të kufizuar ASED, Zvicër u hap kursi i Pedagogjisë së Specializuar në vitin akademik 2003 – 2004, i vetmi në vend që eci me mjaft sukses si një shkollë e mirëfilltë europiane në Shqipëri, i cili përgatit edukatorë për përkujdesjen e personave me aftësi të kufizuar. Kursi eci me shumë sukses, në sajë të zhvillimit të mësimdhënies edhe nga pedagogë mjaft të përgatitur zviceranë. Pedagogët tanë u kualifikuan në Zvicër. Studentët kryenin praktikën mësimore në Zvicër, që është vendi model i qendrave të trajtimit të personave në nevojë dhe i integrimit të tyre në shoqëri (Në Zvicër janë ngritur atelie posaçërisht për këtë kategori).  Më tej u vazhdua me hapjen e “Master” në vitin akademik 2007 – 2008 e me përkujdesjen për qendrat e rehabilitimit,  duke synuar më tej që seksioni i Pedagogjisë së Specializuar të merrte përmasat e një shkolle ballkanike, duke filluar së pari me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Në këtë mënyrë, kjo u bë një degë prioritare për universiteti e Vlorës. Ishte një prag arritje kulmore, që besoj se do të realizohet në fillimin e 10- vjeçarit të tretë të universitetit dhe reformën e arsimit të lartë. Po kështu, në kuadrin e projekteve të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik me Universitetin e Leçes për ndërtimin e një rrjeti qendrash në Kanalin  e Otrantos, ngritja e një departamenti të Ekologjisë në Universitetin e Vlorës dhe projektimi i një akuariumi detar në Vlorë, në bashkëpunim me pushtetin lokal (Këshilli i Qarkut), me disa universitete italiane, me CONISMA dhe mjaft studiues shqiptar nisi praktika për konkretizimin e ndërtimit të një muzeu dhe akuariumi të biologjisë detare si dhe të një qendre ndëruniversitare, ndërkombëtare të biologjisë detare, që do të ishin të vetmet jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Ballkanin. Studiuesit italianë parapëlqenin Vlorën. Është e qartë se sa e rëndësishme do të ishte kjo për universitetin dhe për Vlorën lidhur me studimet shkencore, didaktikën dhe turizmin.

dketuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu

Arritje janë shënuar edhe në punën studimore dhe kërkimore – shekncore, e cila qysh në fillimet e universitetit është shtruar si kërkesë e domosdoshme, si komponent i rëndësishëm i arsimit të lartë, krahas dhe e lidhur ngushtë me mësimdhënien dhe duke dhënë kontribut konkret në komunitet për zhvillimin e gjithanshëm të rajonit, ku ndodhet universiteti si zhvillimi ekonomik, manaxhimi i potencialeve turistike, mbrojtja dhe monitorimi i mjedisit, etj. Për këtë qëllim, janë organizuar konferenca, simpoziume shkencore, seminare dhe ëorkshope. Organizimi i këtyre konferencave kishte vlera të shumëfishta, nga njëra anë, ato kanë nxitur në mënyrë të vazhdueshme punën kërkimore në seksione, departamente e fakultete duke  aktivizuar forcat shkencore të universitetit për të kontribuar në fusha të caktuara të shkencës dhe, nga ana tjetër, ato shërbyen si një urë lidhëse midis universitetit dhe botës shkencore të vendit, duke promovuar nivelin e punës shkencore të universitetit dhe rolin që ai po luante qysh në vitet e para të aktivitetit të tij. Nëpërmjet kësaj veprimtarie të gjërë të aktiviteteve shkencore po realizohej me sukses misioni i një universiteti rajonal si qendër e dijes në rajon, duke përfshirë të gjitha forcat intelektuale të qytetit, organet e qeverisjes vendore si dhe studiues dhe akademikë nga i gjithë vendi dhe të huaj për të gjitha problemet ekonomiko – shoqërore si biznesi, turizmi, mjedisi, arsimi, historia, problemet sociale, etj. Rëndësi të veçantë kanë pasë konferencat rajonale: “Rezervat hidrike dhe shfrytëzimi i tyre në rrethin e Vlorës”; “Vlora në rrjedhën e kohës”; “Mjedis, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në rajonin e Vlorës”; sistemi detar në Shqipëri, vlerësimi i produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, gjeomjedisi Vlorës”, “Lufta e Vlorës”, etj.

Qysh nga viti 2001 universiteti nxjerr rregullisht buletinin shkencor.

Ngritja e një Qendre Kërkimore Shkencore në Universitetin e Vlorës ku kryhen studime shkencore për mjedisin, për studimin e produkteve të ndryshme dhe materialeve, naftën dhe gazin, etj, ka bërë të mundur që shumë pedagogë të rinj të përfshihen në këto studime për punime të doktoraturave si dhe studentët për kryerjen e detyrave të kursit dhe temave të diplomave për Master Shkencor. Qendra ka kapacitet që një numër i madh studentësh dhe pedagogësh të kryejnë studime shkencore të mirëfillta. Gjithashtu studimet shkencore që kryhen  janë të orientuara drejt problemeve konkrete të zhvillimit të vendit apo rajonit. Kemi kështu pra një konkretizim model të shkrirjes së kërkimit shkencor me mësimdhënien dhe me kërkesat e zhvillimit rajonal. Pavarësisht se akoma qendra është në fillimet e saj dhe  nuk është kompletuar dhe konsoliduar siç duhet, ajo ka filluar të kryejë shërbime të kualifikuara për të tretët, duke siguruar edhe të ardhura  dhe është në gjendje që të zgjerojë aktivitetin e saj me shpejtësi në këtë drejtim. Këto arritje, pavarësisht se në fillimet e veta, tregojnë për mundësitë e mëdha që egzistojnë që kërkimi shkencor në universitet të bëhet një realitet i natyrshëm, po aq sa edhe mësimdhënia.

Për realizimin e bashkëveprimit universitet – komunitet, qysh në fillimet e universitetit në vitin 1996 u krijua Qendra e Asistencës së Biznesit BAC me synimin për të luajtur një rol aktiv në komunitetin e biznesit dhe Qendra e Trajnimit të Sipërmarrjes në vitin 2002 – 2003 për ndërtimin e marrëdhënieve të partneritetit dhe zgjerimin e mbështetjes për bizneset, duke përfshirë në këto aktivitete pedagogët e Fakultetit të Ekonomisë.

 Pavarësisht zgjerimit me shumë degë, vëmëndje e madhe u është kushtuar degëve që konsiderohen dhe janë prioritare për Vlorën. Kështu për degët e detarisë  (InxhinIeri Navale, Navigacion dhe Navigacion për Peshkim Detar) është synuar që në radhë të parë të mbështetemi në traditën e shkëlqyer të Akademisë së Marinës që për vite të tëra ka përgatitur detarë që kanë çarë dete dhe oqeane e kanë drejtuar me mjeshtëri mjetet detare të Flotës Luftarake dhe Tregtare të Shqipërisë, duke qënë në kontakt të vazhdueshëm me kapiteneritë e porteve dhe kantierin detar në Pashaliman si dhe modernizimin e mëtejshëm në përputhje me nivelin bashkëkohor nëpërmjet përmirësimit të kurikulave dhe partneritetit me shumë universitete europiane. Duke qënë se degët e detarisë kërkojnë një bazë materiale te fuqishme, janë bërë përpjekje të vlerësueshme duke filluar nga kërkesat për ambjente të përshtatshme si edhe ato që ka patur më përpara, paisja me një anije shkollë, me vaska, vaska navale dhe mikrovaska për të bërë të mundur realizimin e praktikave si dhe për kurset e trajnimit për çertifikimin e detarëve shqiptarë në përputhje me kërkesat e IMO. Anija shkollë do të ishte shumëfunksionale në radhë të parë për praktikat mësimore të degëve të detarisë e shoqëruar kjo edhe me elementë të praktikave të turizmit, biznesit dhe kërkimit shkencor në det, duke e kompletuar me paisje laboratorike për kryerjen e studimeve shkencore në det, jo vetëm nga universiteti i Vlorës por edhe nga universitete të tjera e nga institucione kërkimore shkencore ashtu  siç egzistojnë të tilla në Itali e gjetkë. Ishte prag i një arritje pranëkulmore, plotësisht e mundshme për t’u realizuar. Janë të gjitha mundësitë që të realizohen dhe për këtë asnjëherë nuk është vonë.

Dega më prioritare në universitetin e Vlorës është dega e Turizmit në përputhje me faktin që Vlora është një nga zonat më të rëndësishme turistike të vendit si dhe me mundësinë e punësimit mbas përfundimit të studimeve në përputhje më ligjin e kërkesë ofertës. Kjo është patur parasysh që me hapjen e universitetit, ku dega e Turizmit ishte një nga katër degët e para. Me gjithë vështirësitë për zhvillimin e kësaj degë, si rezultat i rendjes së studentëve vetëm pas disa degëve të preferuara, kjo degë është zhvilluar ashtu si gjithë degët e tjera vetëm në drejtimin manaxhim turizmi. Numri i studentëve të pranuar çdo vit ka qënë mbi 100 dhe i krahasueshëm me degët e tjera; kështu në vitin akademik 2007 – 2008 numri studentëve të turizmit ishte 700, kurse  i biznesit 900. Krahas proçesit mësimor është zhvilluar një aktivitete i gjërë studimor e kërkimor shkencor, ku janë trajtuar probleme të strategjisë dhe zhvillimit të turizmit në rajonin e Vlorës dhe më gjerë. Nga rreth 40 projekte të universitetit të Vlorës, 10 kanë qënë për turizmin, të tilla si: formimi professional në fushën e turizmit, zhvillimi i kurikulave për kurset e turizmit dhe të pritjes, turizmi i qëndrueshëm dhe promovimi i pasurive natyrore dhe kulturore, laborator për edukimin dhe integrimin ndërkombëtar për turizmin, mbi zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonën bregdetare të Shqipërisë Jugore, krijimi i hartës të burimeve lokale turistike, evidentimi i traditave kulinare në rrethin e Vlorës, oferta turistike pritëse në qarkun e Vlorës, hartimi i një guide turistike për gjirin e Vlorës. Janë zhvilluar disa konferenca e seminare shkencore për turizmin si “Mjesdisi, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në rajonin e Vlorës, Turizmi alternativ dhe i qëndrueshëm – turizmi i gjelbër dhe parqet natyrore, gjeomjedisi i Vlorës. Megjithëse është synuar dhe janë bërë përpjekje, ka qënë e vështirë që dega e turizmit të përfshinte një shkollë të lartë profesionale që do të përgatiste jo vetëm drejtues por edhe punonjës të të gjitha niveleve për industrinë e turizmit, të tillë si për shërbimet turistike të hotelerisë, restoranterisë, agjensive turistike, për të cilët ka shumë nevojë, sidomos lidhur me kulturën e shërbimeve turistike. Vështirësia këtu ka qëndruar dhe qëndron kryesisht tek mentaliteti i njerëzve, ndërkohë që në këto vende pune punojnë studentë me diploma të tjera, ku fare mirë mund  të ishin paisur me diploma të turizmit. E theksoj këtë se universiteti i Vlorës me përvojën e madhe që ka, i ka të gjitha mundësitë që shumë shpejtë, t’i përgjigjet kësaj kërkese të zhvllimit të turizmit në Vlorë. Në kuadёr të përpjekjeve për zhvillimin e arsimt të lartë profesional, kjo do të ishte e para.

Midis degëve të tjera, me ecuri të suksesshme ka qënë edhe dega e Matematikë – Fizikës. U hap në vitin akademik 1999 – 2000 për të krijuar hapësira për të thithur sa më shumë studentë në këtë degë për t’ju përgjigjur nevojave që ka arsimi për mësues matematike dhe fizike ashtu si edhe për të gjitha lëndët e tjera. Ishte një provë e kaluar me sukses. Qysh në vitin e parë u rregjistruan 31 studentë dhe duke vazhduar me ritme të kënaqshme pranimi, mbi 50 studentë çdo vit. Raporti i kërkesave me pranimet ishte 1, 5 : 1.  Duke iu referuar vitit 2007 – 2008 numri i studentëve ishte 180 në sistemin me kohë të plotë dhe 70 në atë me kohë të pjesëshme. Shumë prej tyre kanë dalë me rezultate mjaft të mira, kanë vazhduar master dhe doktoratura, brenda dhe jashtë vendit dhe disa punojnë pedagogë në universitet. Por një zhvillim i tillë i qendrueshëm ndërpritet këto 4 – 5 vitet e fundit, ku numri i studentëve bie në 4 – 5 studentë çdo vit dhe këtë vit akademik dega mbyllet. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është planifikimi tejet shpërpjestimor i kuotave të pranimit dhe rendja vetëm pas disa degëve të quajtura të preferuara. Për këtë vit akademik është bërë përmirësim në shpërndarjen e kuotave të pranimit, ku midis të tjerash do të gjenin zgjidhje edhe pranimet në disa degë të vështira dhe të papreferuara. Por pikërisht këtu bëhet gabimi i dytë për universitetin e Vlorës; dega Matematikë – Fizikë dhe Fizikë mbyllen në vend që ato të lejoheshin për të rifituar normalitetin që kishin pasur. Jam i bindur që situata do të ishte përmirësuar që këtë vit akademik; nuk diskutohet që do të rregullohet në vitet e ardhshme; kjo degë ka patur dhe ka profesoratin më të kompletuar me standardet bashkëkohore si dhe bazën laboratorike nga mё tё kompletuarat për të tre ciklet e studimit.

Në këto vite të jetës së tij, universiteti i Vlorës u bë i njohur dhe i vlerësuar nga universitetet e huaja me të cilët kemi patur një bashkëpunim të ngushtë. Në mënyrë të veçantë, do të veçoja prof. Genuario Belmonte, profesor i biologjisë detare dhe ekologjisë dhe zv. Dekan i Fakultetit të Shkencave Matematikore dhe Natyrore të Universitetit të Leçes, Itali, i cili qysh nga viti 2002 ka qënë pranë universitetit të Vlorës, si bashkëpunëtor në shumë projekte. Ja si e vlerëson ai universitetin e Vlorës: “… Tribuna ime e vëzhgimit në Shqipëri, mbi të gjitha, ka qënë Universiteti I. Qemali, nga i cili mbetem i mahnitur nga ajo që nuk kisha parashikuar. Rindërtimi i Universitetit të Vlorës mbas ngjarjeve të ’97, vetëm tre vjet mbasi ishte krijuar, përfaqëson me të drejtë një model të avancuar të rindërtimit të gjithë vendit . Universiteti i Vlorës jo vetëm u rimëkëmb në pak kohë si gjithë Shqipëria, por ashtu si gjithë qyteti nuk ndali këtu, por me entusiazëm vazhdon rrugën drejt Europës, duke fituar kredibilitet për realizimin e mjaft projekteve. Puna sistematike, këmbëngulëse, pa bujë dhe me objektiva të qarta bëri që Universiteti i Vlorës të ketë një laborator analizash, të paisur me mjaft aparatura për analiza kimiko ambientale, laborator didaktik të biologjisë detare, një bibliotekë me litaraturë të shkencave detare, një muze didaktik me reperë të thatë dhe të konservuar, paisje për marrjen e kampioneve biologjikë në det, gjë që përfaqëson një investim të sigurtë për të ardhmen e universitetit dhe të gjithë rajonit të Vlorës në përgjithësi. Anija shkollë që po përgatitet të marrë universiteti, mund të kompletohet me  paisje laboratorike për kryerjen e studimeve shkencore në det, jo vetëm nga Universiteti i Vlorës, por edhe nga universitetet e tjera dhe qendrat kërkimore shkencore, ashtu siç kanë të tilla universitetet italiane. Krahas ngritjes së një qendre ndëruniversitare ndërkombëtare të biologjisë detare, ngritja e një akuariumi publik tё biologjisё detare, do të ishte i pari jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin. A mund të mendohet që Shqipëria të bëhet i pari vend ballkanik me një akuarium publik? Ndofta duket ambicioze por unë nuk habitem nga kompetenca e kolegëve të mi vlonjatë dhe nga dëshira e tyre për të bërë gjithnjë diçka. Laboratori i analizave është nga më të fuqishmit në Shqipëri; por nëse projektet e mësipërme janë sfida, laboratori është një realitet i paimagjinueshëm; dhe gjithë kjo ndodh brenda pak viteve dhe këtë fakt nuk jam unë i vetmi që e konstatoj. Unë arrita t’i njohë vlonjatët; sipas meje ata janë makinistët që po drejtojnë “trenin e zhvillimit” të Vlorës; edhe shqiptarë të tjerë mund të hipin në trenin e Vlorës; ai tashmë është nisur dhe shkon drejt së ardhmes”

Universiteti arriti të marrë tiparet e një institucioni të konsoliduar nga ana organizative nëpërmjet një funksionimi ligjor institucional në të gjitha strukturave të tij akademike si rektorati, senati akademik, fakultetet, këshillat e fakulteteve, departamentet, administrata. Universiteti i Vlorës, krahas universiteteve të tjera shqiptare programoi punën dhe strukturoi degët në përputhje me parimet e Deklaratës së Bolonjës, duke filluar me degët Cilël i Ulët, Parashkollor dhe Infermieri në vitin akademik 2004 – 2005 dhe një vit më vonë me të gjitha degët. Zhvillimi i informatikës dhe informatizimi i administratёs kanë qenë një nga arritjet më të mëdha të universitetit të Vlorë. Periudha 20 vjeçare është një peiudhë arritjesh e suksesesh. Në disa drejtime arritjet kanë qënë maksimale, në disa drejtime të tjera, pavarësisht se nuk janë hedhur të gjitha hapat e nevojshëm, hapat e deritanishme përbëjnë arritje dhe një bazë për sukses të plotë në të ardhmen. Çdo periudhë brenda këtyre 20 vetëve ka pasë natyrshëm specifikat e veta, por një gjë është e përbashkët: Ambicja, puna plot pasion, përkushtim e profesionalizëm, në mënyrë që universiteti i Vlorë të bëhet më i miri. Ёshtë e natyrshme një krenari e ligjshme për atë çka është arritur, por jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për dobësitë jo të vogla në arsimin e lartë në përgjithësi dhe ato në Universitetin e Vlorës në veçanti; jam i bindur se Universiteti i Vlorës do të jetë mjaft aktiv në realizimin e kësaj reforme, që në vitin e parë të dhjetëvjeçarit të tretë të egzistencës së këtij universiteti. Është e natyrshme që në përvjetor të tillë të bëhen edhe vlerësime. Për këtë unë nuk do të kërkoja ndonjë “dekoratë” për universitetin e Vlorës, por do të kërkoja nga qeveria e Rilindjes “një dhuratë”: Që Shkolla e Anijerisë të lulëzojë me të vërtetë në Vlorë, është e nevojshme që universitetit t’i jepen ambjente të përshtatshme si psh ish Shkolla e Marinës ose ish Kampi i Pionerëve si dhe mbështetje e vazhdueshme në këtë drejtim.