Sigal

Gjuha shqipe, ndër tri gjuhët më të lashta në gjirin e familjes së gjuhëve indo-evropiane, ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve të huaj, të atyre që janë quajtur albanologë. Madje kanë qenë ata ndër të parët që kanë zbuluar disa nga tiparet e saj origjinale. Karakterin indo-evropian të gjuhës shqipe e vuri në dukje për herë të parë gjuhëtari i shquar danez, studiuesi dhe përshkruesi i 150 gjuhëve, Rasmus Rask (1787-1832); Ksilander e theksoi më 1833, por e vërtetoi përfundimisht Franc Bopi (Franz Bopp) më 1854, në veprën “Mbi shqipen dhe lidhjet e saj farefisnore”. Një varg studiuesish të huaj u morën me gjuhën dhe kulturën shqiptare, nga vende të ndryshme të botes, por shquhen, midis tyre, albanologët gjermanë, të cilët i kushtuan gjuhës shqipe libra dhe studime të gjera. Është e kuptueshme që vetë shqiptarët t’i kushtonin vëmendje të veçantë gjuhës shqipe, që sipas dijetarit evropian Eqrem Çabej: “gjuha shqipe është tabani i tabanëve të kombit”. Themelet e mirëfillta e studimore serioze shkencore të albanologjisë kombëtare i hodhi Eqrem Çabej. Ai me një varg studimesh për fonetikën historike, etimologjinë, e solli albanologjinë në Shqipëri, që para tij kryesisht studiohej në vende të ndryshme të botës si: Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Rumani, Hungari, Belgjikë, Francë, në Bashkimi Sovjetik (sot Federata e Rusisë), Izrael, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më ra mua fati i bardhë mua që kjo qendër, d.m.th. studimet albanologjike, të hedhin rrënjë dhe të zhvillohen edhe në Kinë, në kryeqytetin saj, në Pekin.

 

Katedra e gjuhës shqipe në Pekin, Kryeqyteti i Kinës

Më 1961 u hap katedra e gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Pekinit.Në vitin 1958 isha caktuar sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe Fakultetit të Filologjisë dhe Historisë (atëherë Instituti dhe Fakulteti ishin bashkë). Kjo më mundësoi që të njihesha nga afër me mjaft degë të gjuhësisë dhe historisë. Pjesëmarrja në mbledhjet e sektorëve shkencorë dhe katedrave, ku trajtoheshin probleme të gjuhës, kulturës, etnografisë, në diskutimin e veprës madhore të Çabejit për transliterimin dhe transkriptimin e veprës, “Meshari” të Buzukut, ose në diskutimin e monografisë: “Mbi përemrat pronorë” nga Prof. Selman Riza, ose kërkime dhe zbulime në arkeologjinë ilire nga prof. Selim Islami etj., i pasuruan dhe zgjeruan më tej njohuritë e mia, që më shërbyen edhe në punën time të mëtejshme për ngritjen e katedrës së gjuhës shqipe në Pekin në vitin 1961, me një bazë të gjerë albanologjike. Caktimi në detyrën e re u prit mirë nga kolegë, profesorë dhe punonjës të Institutit dhe Fakultetit të Filologjisë.

Drejtori i Institutit dhe njëherazi dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Androkli Kostallari, më dhuroi një sasi të madhe librash nga biblioteka e Institutit për katedrën e gjuhës shqipe në Pekin, disa studiues të tjerë më dhuruan separate të studimeve të botuara. Midis tyre ruaj si relikte kulturore separatet e dhuruara nga profesor Çabej me nënshkrimin: “Shokut profesor Agron Fico me urime për detyrën re” (firma). Barra që më ngarkohej për të hapur një katedër të gjuhës shqipe, në Kinë, ishte plot përgjegjësi intelektuale dhe atdhetare, prandaj i kushtova një rëndësi të veçantë përgatitjes për realizimin e kësaj detyre. Krahas grumbullimit të librave, fjalorëve shqip-shqip etj, mjaft me dobi ishin edhe këshillat e profesorëve që kishin studiuar jashtë Shqipërisë. Me peshën e përgjegjësisë dhe emocioneve njerëzore u nisa për në Kine. Pas refuzimit të vizës së kalimit nga Moska, nga Ministria e Jashtme e Bashkimit Sovjetik, u vendos të udhëtoja me det. Ky udhëtim ishte fantastik dhe zgjati 24 ditë, duke përshkuar dete dhe oqeane, bashkë me gruan, e cila priste fëmijën tonë, që do të lindte pas disa muajve në Pekin me emrin e bukur Albana. Mbërritëm në një port të vogël ushtarak me emrin Sjan Cian. Pas një jave me tren arritëm në Pekin. Në stacionin qendror të trenave të Pekinit na priti dekanja Cin Pin dhe student Ci Si Guo. Pas pushimi 2-3 javësh, me një ceremoni të thjeshtë filloi jeta e katedrës së gjuhës shqipe.

 

Jeta mësimore dhe shkencore e katedrës së shqipes

Detyrat kryesore që shtriheshin në punën dhe funksionimin e katedrës së gjuhe shqipe në nivel universitar ishin: Hartimi i programit dhe planit mësimor, hartimi i teksteve dhe leksioneve për zhvillimin e mësimit, kurs special për ndihmësit. Puna vështirësohej se gjithçka duhej të përkthehej në gjuhën kineze për ta përdorur studentët. Kjo kërkonte energji, kohë dhe përkushtim. Kështu u krijua një metodë prej 4 vëllimesh për mësimin e shqipes, një antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe dhe në vitin e dytë edhe një tekst për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Përparimi i studentëve, edhe pse gjuha shqipe ishte e largët për ta, ishte i dukshëm. Ata filluan të përdornin edhe fjalorët shqip-shqip, që kisha sjellë, kur lexonin ndonjë material jashtë metodës. I vura rëndësi mësimit përmendesh të poezive, recitimit, për të kapërcyer vështirësitë e shqiptimit dhe intonacionin e fjalëve. Pjesë të zgjedhura nga poezia ose fragmente të prozës i regjistronte gruaja, mësuese e gjuhës, që studentët të mësoheshin edhe me zërin femëror.

Me studentët u miqësuam shpejt dhe unë mësova plot gjëra nga ata, por mbi të gjitha kuptova vullnetin e tyre të pamasë, që të kujtonte personazhin e Jugunit, në temën “Juguni lëviz malet”. Bashkë me studentët bëmë 2 javë punë vullnetare në një komunë afër Pekinit. Fotografitë e asaj kohe ende më emocionojnë, kur jam krah për krah duke mbjellë domate. Një rëndësi të veçantë i kushtoja punës së pavarur të studentëve: hartime e detyra me shkrim. Madje u arrit që secili student të përkthente 2-3 legjenda ose përralla popullore, të cilat kur u ktheva e Shqipëri i përmblodha në një libër me titullin “Visare popullore kineze”, që më vonë u ribotua edhe në Prishtinë. Më 1964 erdhi për vizitë në katedrën e gjuhës shqipe delegacioni i kulturës shqiptare, kryesuar nga Prof. Dhimitër Shuteriqi, që atëherë ishte edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Të ftuarit morën pjesë edhe në një orë mësimi të gjuhës shqipe. Befasia e tyre ishte e plotë. Këtë e shprehu me emocion Prof. Shuteriqi, i cili tha: “As në ëndrrën më të bukur nuk do ta besoja se gjuha shqipe dhe vargjet e Naimit e të Fan Nolit do të tingëllonin kaq bukur në gojën e studentëve kinezë. Kjo është një mrekulli. Përgëzime studentëve dhe profesorit të tyre”. (A. F. Fico “Profesor në tre kontinente”, Nju Jork, 2004, f. 12).


Nga katedër e gjuhës shqipe, në qendër albanologjike

Një ngjarje e shënuar për gjuhën shqipe në Kinë ishte dhe ngritja i redaksisë së gjuhës shqipe në Radion e Jashtme të Kinës. Ishin me fat studentët e mi, që u bënë pjesëtarët e parë të kësaj redaksie. Në një hark kohor mbi gjysmë shekulli, në Kinë është krijuar një brez i talentuar përkthyesish dhe studiuesish të gjuhës shqipe. Një pjesë u kualifikuan dhe specializuan në Universitetin e Tiranës dhe disa në Universitetin e Prishtinës. Midis tyre gjen edhe autorë studimesh, si Shia Kujfen, e cila ka trajtuar temën “Disa pika dalluese midis shqipes dhe gjuhës kineze”, “Rëndësia e Kongresit të Manastirit për formimin e gjuhës së përbashkët letrare shqipe” (1988); studiuesi tjetër kinez Shen Shun Shy me kumtesën “Disa mendime lidhur me fjalët e huaja në gjuhën shqipe”, të cilën e mbajti edhe në Seminarin Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë etj. Lista e studiuesve kinezë kushtuar gjuhës dhe kulturës shqipe është e gjatë. Kjo dëshmon se nga ajo katedër e gjuhës shqipe, krijuar me përkushtim shkencor dhe vizion në vitet ’60 të shekullit të kaluar, ka lindur dhe është ngritur një qendër e mirëfilltë albanologjike në një nga shtetet më të mëdha të rruzullit tokësor, në Kinën Popullore.

Në mars 2018 erdhi në Tiranë Ke Jing, profesoreshë e studimeve shqiptare dhe ballkanike, drejtore e zyrës ndërkombëtare në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, e cila në një konferencë në sallën e bibliotekës së kryeministrisë me miq të Kinës, shpalosi një plan të gjerë bashkëpunimi albanologjik midis dy vendeve duke përfshirë edhe botimin e fjalorëve dygjuhësh shqip-kinezçe dhe kinezçe-shqip.

 

Mirënjohje publike

Në kulturën e lashtë dhe të pasur kineze ka edhe një fjalë të urtë, që thotë: “Kur pi ujë, mos harro atë që ka hapur pusin!”. Në qershor të vitit 2017 erdhi në Tiranë, në apartamentin tim në rrugën “Tefta Tashko”, një ekip nga Radio e Jashtme e Kinës, Redaksia e Gjuhës Shqipe, i përbërë nga drejtorja e Redaksisë së Gjuhës Shqipe në Radion e Jashtme të Kinës, nga ish-studenti im, gazetari veteran i agjencisë HSINUA për disa vite në Tiranë, Van Hu Çi dhe nga një kameraman, të cilët regjistruan një intervistë të gjatë mbi 2 orë për punën e bërë për ngritjen dhe funksionimin e katedrës së gjuhës shqipe në vitet ’60 të shekullit të kaluar, si dhe marrëdhëniet e mia të vazhdueshme me veprimtarinë e katedrës, me përparimet e vrullshme të popullit kinez në ndërtimin e një shoqërie moderne dhe paqësore. Ishte tepër emocionues takimi dhe intervista me miqtë e mi të shtrenjtë, studentët kinezë. Pas disa muajsh u botua një libër i ilustruar me titullin “Miq të vjetër histori të reja” në të cilin në faqet 81-84, me fotografi dhe tekste të përzgjedhura, flitet për punën dhe veprimtarinë time në katedrën e gjuhës shqipe në Kinë, Pekin. Kjo ishte një mirënjohje publike për veprimtarinë mësimore dhe shkencore, për punën e bërë gati 60 vjet më parë. Sot gjuha shqipe, me origjinalitetin, lashtësinë dhe bukurinë saj, mësohet, studiohet edhe në kryeqytetin e Kinës, në Pekin, në nivelin më të lartë shkencore, si një qendër e mirëfilltë albanologjike. Kjo dafinë që i shtohet studimit të gjuhës shqipe në një ndër shtetet më të mëdha të botës, gëzon dhe i bën krenarë shqipfolësit kudo që jetojnë dhe punojnë…