Petrit Derraj – Smokthina/ Atdheu është fotografia që duhet t`ua tregojmë me krenari të tjerëve

608
Dihet nga të gjithë se dy janë vatrat më të rëndësishme ku fëmijët, brezi që rritet edukohen: shkolla dhe familja. Pra, në këto dy vatra ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Sigurisht që prindërit dhe mësuesit janë ata që me punën e tyre të vazhdueshme të shumëllojtë, me shembullin e tyre lënë gjurmë të mëdha e të pa shlyeshme në formimin e forcimin e personalitetit të fëmijëve dhe janë gjithashtu njerëzit më të afërt të tyre.
Vendet e zhvilluara kanë arritur të bëhen shtete të fuqishme me ekonomi të konsoliduar në saj të përpjekjeve shumëshekullore të njerëzve të këtyre vendeve, të cilët duke përvetësuar dije të plota e të gjithanshme nëpërmjet arsimit e shkollës dhe me shkencë e teknikë të përparuar i kanë lartësuar duke i bërë të zhvillohen shumë degë e fusha. Shtete e mëdha e të fuqishme si Franca dhe Gjermania kanë arritur të bëhen të tilla sepse se një kujdes të veçantë e të vazhdueshëm i kanë kushtuar shkollës dhe arsimimit të njerëzve. Edhe universitetit e këtyre vendeve janë nga më të vjetërit e më të përparuarit në botë në shumë degë të zhvillimit e përparimit shkencor. Thonë se në Japoni fëmijët sa nisin shkollën u thuhet se vendi i tyre është nga më varfërit dhe se ai mund të ndryshojë nëpërmjet njerëzve të shkolluar. Pra që në fillim, në hapat e parë, fëmijëve u kultivohet dashuria për shkollën dhe u nxitet etja për dije. I përmenda këto vende me arsim të përparuar e me shkolla në nivele shumë të larta mësimdhënieje jo për t`u krahasuar me to, sepse jemi shume larg tyre, po për të theksuar se sa më shumë shteti t`i kushtojë kujdes e vëmendje arsimimit të rinjve, aq më shumë përfitime të mëdha do të ketë në shume drejtime në të ardhmen. Mendimtari i shquar francez Barbys theksonte se “Shkolla është vatra ku farkëtohet dhe forcohet mendimi i brezit që rritet. Dua ta orientojmë mirë këtë brez, në se nuk duhet ta humbasim. Kushdo që lë mënjanë mësimin në fëmijërinë e tij humbet të shkuarën dhe është tepër i rrezikuar në të ardhmen”. 
Në tranzicionin e tejzgjatur anakronik e tepër problematik janë vënë re shumë dukuri negative ku shoqëria jonë dikur e mbyllur e pa konsoliduar u përball me probleme të shumta sociale dhe shfaqje të dëmshme si vjedhjet, mashtrimet, kumari, alkoolizmi, droga e trafiqe të llojeve të ndryshme. Një pjesë e mirë e këtyre dukurive të rrezikshme, prekin fëmijët e brezin e ri si pjesa më e ndjeshme e më e brishtë e shoqërisë sonë, kështu që veçanërisht shkollës e familjes i dalin detyra urgjente shumë të mëdha për ta ruajtur sa më shumë këtë brez prej këtyre shfaqjeve depersonalizuese. Qysh në fillim, kur mësuesit marrin klasat në kujdestari duhet të nisin punën e të evidentojnë me durim e vëmendje veçoritë e temperamentit të çdo nxënësi e mbi këtë bazë të thellë njohjeje të ndërtojnë planin e punës së vazhdueshme të pandërprerë ku veset e nxënësve të veçantë të luftohen që në fillim me takt e maturi pedagogjike. Po ashtu mësuesit pasi të kenë zbuluar këto dobësi duhet të ua bëjnë të qartë prindërve në mbledhjet e organizuara me ta me qëllim që të koordinojnë punën për të krijuar një front të përbashkët në luftë ndaj çdo shfaqje të dënueshme. Është e domosdoshme që prindi duhet t`i njohë dobësitë e veçoritë e karakterit të fëmijës së vet dhe, në se nuk është në gjendje për t`i zbuluar, të informohet rreth tyre imtësisht e saktësisht nga mësuesit. Është vënë re që në shumë kolektiva pedagogjike dëgjohen ankesa të shumta mësuesish se në mjediset e klasave ku ata japin mësim nga grupe të veçantë nxënësish ku ata japin mësim shkaktohen zhurma, përdoren si pa të keq telefona në orë të mësimit e vihen re veprime të pa hijshme. Është e drejtë ankesa e tyre ndaj dukurive të tilla, por ata përgjegjësinë duhet ta kërkojnë në mos te vetja, te kolegët e tyre që shfaqje të tilla nuk janë luftuar qysh herët, që në embrion. Nëpërmjet këtij shembulli duam të theksojmë se përgjegjësi të madhe ka familja shoqëria e veçanërisht puna e programuar e studiuar e mësuesve qysh në klasat më të ulëta. Po ashtu bashkëpunimi me prindërit në shumë raste bëhet formal, duke lënë mënjanë linjën e bashkëpunimit dhe të luftës së përbashkët. Në shtimin e shfaqjeve negativë ndikojnë edhe probleme të tjera sociale me të cilat përballet çdo ditë shoqëria dhe familja, si papunësia, varfëria, grindjet, veprimet e ulëta morale, por gjithsesi puna edukative e mësuesve dhe e prindërve nuk duhet të ndërpritet por duhet të forcohet edhe më shumë. Edhe në raste kur fëmijëve të veçantë u mungon kujdesi prindëror mësuesve u del për detyrë që me këtë kontingjent nxënësish të bëhet një punë e diferencuar suplementare. Drejtoritë e shkollave duhet ta kontrollojnë vazhdimisht këtë linjë bashkëpunimi. Rëndësi të dorës së parë në edukimin e mirë e të drejtë të fëmijëve merr edhe modeli që atyre u serviret për të ndjekur në jetë d m th, rol të veçantë luan figura e mësuesve dhe e prindërve. Merreni me mënd se ç`ndjesi do tu krijohen fëmijëve kur u afrohet një mësues i cili kundërmon era alkool e duhan. Është vënë re kohët e fundit nga sondazhet e medias se nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme apo e vazhdojnë atë nuk kanë haber fare nga idetë e Urtakëve të Mëdhej të Rilindjes sonë Kombëtare, nuk dinë kur është themeluar shteti shqiptar, nuk dinë përmbajtjen e Himnit Kombëtar, apo ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Përgjegjësinë për boshllëqe të kësaj natyre ka shkolla e mësuesit ku nuk i është kushtuar rëndësia e duhur edukimit patriotik të nxënësve, qoftë nëpërmjet orëve mësimore, qoftë nëpërmjet të aktiviteteve jashtë shkollore. Nxënësit duhet të dinë pa tjetër që armiqtë shekullore të Atdheut tonë i kanë dashur të keqen deri në mos ekzistencë. Po ashtu nëpërmjet këtij edukimi nxënësve duhet t`u ngulitet se Atdheun nuk e përbëjnë vetëm malet, fushat, lumenjtë, detet, qytetet e fshatrat. Ata duhet të dinë se Atdheu është edhe familja dhe vatra e ngrohtë e sajë se Shqipëria qiell kthjellëta, diell nxehta, dritshumja, ajërpastëra, është vendi ku ne ndiejmë veten të barabartë në liri e të drejta, është vendi ku na lidh me shpresat, ëndrrat, përrallat, ku krahas ngjyrës së flamurit e valëvitjes së tij janë edhe grindjet, mëritë, zënkat, mëkatet, dashuritë, pra Atdheu është fotografia që duhet t`ua tregojmë me krenari të tjerëve. Ai është një vend i mrekullueshëm, që nuk duhet ta shikojmë nga sallat e bingove, kazinove, bilardove e basteve, port të vendosemi në startin e korsive të dijeve për të vrapuar drejt përparimit e progresit.
Mund të sillet shembulli apo rasti kur në sistemin e së kaluarës qindra mijëra njerëz u torturuan e vuajtën tmerrësisht në burgjet politike, por ata se rebeluan respektin ndaj atdheut, por e deshën atë me shumë xhelozi. Nuk them që në kësi rastesh mësuesit gjatë këtij edukimi të bien në pozitat e një patriotizmi folklorik apo të mos e teprojnë duke u dhënë nxënësve overdoza të pa nevojshme patriotizmi.
Kohët e fundit Ministria e Arsimit sikur çoç do bëjë me programin e testimit të mësuesve dhe ka lënë në harresë bashkëpunimin e shkollës me familjen, me qëllim që të forcohet arsimimi i fëmijëve sepse Atdheu kërkon nga ne dije, punë dhe mund. 
Sigal