Doktoraturë ka vetëm në Albanoligji, Këshilli guxon të japë edhe në degë të tjera!

590
Bazuar në ligjin mbi “Arsimin e Lartë” prej 3 vitesh edhe në Universitetin e Elbasanit (UE) funksionon me rrotacion kryetarësh, Këshilli Profesorëve. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë ky këshill krijohet me 12 anëtarë. Të gjithë vendimet që merren lidhur me aprovimin e gradave akademike merren nga ky këshill. Realisht Universitetit i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka shkollë doktorature vetëm në Albanologji, ndaj nuk mund të japë Këshilli i Profesorëve, tituj edhe për degët e tjera. Si rregull duhet të mblidhet çdo muaj. Çdo procedurë për aprovimin e titujve akademikë duhet të realizohet nga Këshilli i Profesorëve. Sipas ligjit Këshilli i Profesorëve të UE duhet të promovojë tituj akademikë vetëm për ato degë në të cilat ka shkollë doktorature. Duke shkelur ligjin, në UE, Këshilli i Profesorëve, edhe pse ky universitet ka të drejtë për dhënie doktoratash vetëm në Albanologji, merr guximin dhe inicion dhënien e titujve shkencorë edhe për degët e tjera. Shumë pedagogë, kanë shfaqur shqetësimin e tyre duke kërkuar ndihmën e mediave, për të denoncuar dhe ndalur shkelje të tilla ligjore. Ata nuk kanë munguar të vënë në dijeni edhe Ministrin e Arsimit dhe Sportit, dhe kreun e saj Lindita Nikolla. Por si ndiqet rrugët dhe shkallët e dhënies së titujve shkencorë, kritere të cilat janë duke u shkelur në Universitetin e Elbasanit?
Procedurat dhe kriteret për titujt shkencorë
Sipas ligjit Nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në RSH i ndryshuar me ligjet Nr. 9832, datë 12.11.2007 Nr. 10 307, datë 22.7.2010 dhe Nr. 10 493, datë 15.12.2011 Neni 19, Këshilli i profesorëve ndjek këto procedura për dhënien e titujve shkencorë. 
1. Për organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës, në njësitë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë, ngrihet Këshilli i Profesorëve. Këshilli i Profesorëve mund të ngrihet edhe në nivel të institucionit të arsimit të lartë, kur njësitë kryesore të tij nuk përmbushin numrin e nevojshëm të profesorëve me kohë të plotë. Nuk mund të jenë anëtarë të Këshillit të Profesorëve individë që kanë dalë në pension edhe në rastet kur ata janë të angazhuar në mësimdhënie në një institucion të arsimit të lartë, në përputhje me nenet 48 e 49 të këtij ligji. 
2. Përbërja, detyrat dhe funksionimi i këshillit të profesorëve përcaktohen në statutin e institucionit dhe në akte të tjera nënligjore. Neni 47, pika 6 . Titujt akademikë jepen nga institucione të arsimit të lartë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Titulli “Profesor i Asociuar”, “Profesor emeritus” dhe “Docent” jepen nga institucionet e arsimit të lartë. Titulli “Profesor” jepet nga Këshilli i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Titujt “Akademik i asociuar” dhe “Akademik” jepen nga Akademia e Shkencave, në përputhje me ligjin për Akademinë e Shkencave. Titulli “Docent” u jepet anëtarëve të personelit akademik që kanë gradën shkencore “Doktor”. Ai u jepet edhe anëtarëve të personelit akademik me, së paku, diplomë “Master i shkencave” “Master i arteve të bukura” ose ekuivalent i saj në vende të tjera, të vlerësuar me rezultatin “shumë mirë” ose “shkëlqyer” dhe që kanë veprimtari mësimore kërkimore në një institucion të arsimit të lartë, jo më pak se 5 vjet, përjashtuar diplomat e ekuivalentuara, sipas paragrafit të katërt të nenit 89 të këtij ligji. Kurse titulli “Profesor” (Prof.) u jepet anëtarëve të personelit akademik, që kanë fituar gradën shkencore “Doktor” dhe përmbushin kriteret e mëposhtme: a) Kanë së paku, pesë vjet përvojë në mësimdhënie (së paku shtatë vjet për lektorët me kohë të pjesshme), pas marrjes së gradës shkencore “Doktor”. Titujt “Docent” dhe “Prof.Asoc.” nuk janë parakusht për kërkimin e titullit “Profesor”. b) Gëzojnë aftësi të mira mësimdhënëse dhe kanë marrë pjesë aktive në zhvillimin, akademik dhe institucional, të institucioneve të arsimit të lartë. c) Kanë pasur një përvojë kërkimore ose mësimdhënëse prej, së paku, një viti, në një institucion kërkimor mësimor, jashtë vendit. Përvoja të tilla vlerësohen, kur qëndrimet në institucionet homologe jashtë shtetit kanë qenë pa ndërprerje ose edhe me ndërprerje. Në rastin e personelit akademik të Akademisë së Arteve mund të llogariten edhe drejtimi i masterclassave apo ëorkshopeve ndërkombëtare. Por Këshilli i Profesorëve në UE, ka shkelur edhe vendimin e KM me Nr.467, datë 18.7.2007, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”. Pavarësisht kontestimeve dhe oponencës së disa prej anëtarëve të këtij këshilli, duket se shkeljet ligjore dhe abuzimet profesionale, shpejt do të nxjerrin në dritë skandale. Vetëm në vitin e fundit ky këshill duke shkelur ligjin, ka dhënë 6 tituj akademikë tek Ekonomiku dhe po kaq tek Cikli Ulët, duke dalë jashtë kompetencave dhe profilit të tij. Keqadministrimi dhe keq drejtimi i Këshillit të Profesorëve, natyrisht sjell ngërç, kaos dhe e fut këtë strukturë në rrugë qorre, duke përdhosur atë çka ligji “Mbi Arsimin e Lartë” dhe Vendimi KM me nr 467, e përcakton qartë dhe ka asnjë mëdyshje. Shumë anëtarë të stafit akademik por edhe anëtarë të Këshillit të Profesorëve, kërkojnë nga Rektorati të frenojë rrugëtimin e gabuar dhe drejtimin antiligjor të kësaj strukture, ndryshe përballja me ligjin do të jetë shumë e ashpër. 
Sigal