Përplasja mes Këshillash Studentor, UT: Bojkotim të mësimit – UMT: E hëna mësim

578
Sigal

Ndërpritet greva e urisë e studentëve të Infermierisë. Reagojnë Avokati i Popullit, MAS, Këshilli Studentor i UMT-së dhe PD

Policia ka ndërprerë në ditën e dytë grevën e urisë së studentëve të Fakultetit të Shkencave Teknike (Fakulteti i Infermierisë). Efektivët e policisë kanë ndërhyrë pas mesnatës së shtunë, (1 mars 2015), në ambientet e grevës duke larguar të gjithë grevistët, të cilët vijnë nga universitetet private të mbyllura nga Ministria e Arsimit. Pranë studentëve u gjendën përfaqësues të Partisë Demokratike, që akuzuan policinë për dhunë. Studentët e transferuar nga universitet private të mbyllura hynë në grevë për të kundërshtuar tarifat e shkollimit të vendosura për ta nga Ministria e Arsimit. Gjatë grevës, ata i vizitoi dhe Avokati i Popullit, i cili u ka propozuar t’i përfaqësojë edhe në Gjykatën Kushtetuese për të ngritur pretendimet e tyre, por ata ende nuk janë shprehur në lidhje me këtë propozim, gjë e cila vë në dyshim motivin she seriozitetin e kësaj greve. Gjithashtu në ambientet e grevës ka shkuar edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pa mundur të arrinte një marrëveshje me studentët. Nikolla u ka bërë me dije se pozicioni i tyre është i ndryshëm nga ai i studentëve të tjerë të këtij fakulteti, të cilët kane arritur deri aty në sajë të meritokracisë, ndërsa u ka kujtuar se në universitetet private ku studionin, paguanin më tepër se sa tarifa e vendosur për ta nga MAS. Nga ana tjetër kundër kësaj greve ka dalë një grup studentësh të shtetërores, të cilët u kanë bërë me dije studentëve grevistë se janë duke i privuar nga e drejta për të zhvilluar mësim në mënyrë të rregullt, ndërsa u kanë kujtuar se nuk janë në pozita të barabarta, pasi ata kanë ardhur në këtë fakultet në sajë të meritës dhe punës së tyre, jo parave për të blerë një diplomë.

  Avokati i Popullit nis hetimin administrativ për kërkesat e studentëve

 Avokati i Popullit deklaron se ka nisur me iniciativë hetimin administrativ rreth kërkesave të disa studentëve të Fakultetit të Mjekësisë të cilët kundërshtojnë VKM-në për tarifat, duke e cilësuar si diskriminuese. Nga ana tjetër Avokati i Popullit fton studentët e grevës që të paraqesin pretendimet e tyre për tarifat diskriminuese pranë institucionit të Avokatit të Popullit, në mënyrë që hetimi administrativ të kryhet i plotë dhe gjithë përfshirës. Gjithashtu Avokati i Popullit, duke iu referuar disa deklaratave në media të studentëve grevistë për dhunë nga policia në momentin e nxjerrjes së tyre nga greva, i fton ata të paraqiten pranë Avokatit të Popullit për të dhënë dëshmitë dhe ankesat e tyre rreth kësaj situate.

 Këshilli Studentor i UMT-së përplaset me Këshillin Studentor të UT-së: Po na përçajnë! Të hënën mësim, jo bojkotim!

 Këshilli studentor i Universitetit të Mjekësisë Tirane ka reaguar mbi zhvillimet e fundit mbi bllokimin e FSHMT-së nga studentë të transferuar nga universitetet private dhe mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet. “Asnjë student apo qytetar i këtij vendi nuk ka të drejtë të uzurpojë ambientet akademike, ku mijëra studentë të tjerë zhvillojnë mësim çdo ditë. I bëjmë thirrje studenteve të ndjekin të gjithë procedurat e nevojshme ligjore për kërkesat e tyre, por të lirojnë sa më shpejt ambientet publike të universitetit. Këto ambiente janë mjedise ku zhvillojnë mësim me mijëra studentë që janë fitues me meritë e me dinjitet të Maturës Shtetërore dhe që kanë hyrë në degët e tyre, dinjitozë dhe të përkushtuar për të qenë profesionistë të zotë të së ardhmes. Si rrjedhim, çdo student që është transferuar në UMT nuk mund të gëzojë të njëjtat të drejta si studentët e universitetit publik, pasi kanë ardhur të transferuar nga universitete fantazme, ku diplomat blihen. Kështu që i bëjmë thirrje të shfrytëzojnë këtë mundësi të artë që u është dhënë, duke vazhduar studimet në universitet publik dhe të shmangin çdo bllokim të procesit akademik apo aq më keq akoma të përziejnë forume politike në kauzën e tyre” thuhet në njoftimin e tyre të ditës së shtunë. Këshilli studentor i UMT-së ka reaguar gjithashtu edhe ndaj deklaratës së disa studentëve se do të bojkotojnë mësimin.

Reagimi ndaj studentëve që kanë deklaruar bojkotimin e mësimit

“Këshilli Studentor i Universitetit të Mjekësisë të Tiranës është informuar se studentë, jo të autorizuar, që nuk i përkasin strukturave tona, kanë deklaruar se do të bojkotojnë mësimin deri në gjetjen e një zgjidhje për protestuesit. Ne deklarojmë se kjo nuk është e vërtetë dhe se respektojmë protestën e çdo grupimi, por duke mos cenuar procesin akademik i cili do të vijojë normalisht prej ditës së hënë. Ne si Këshill Studentor i UMT-së, distancohemi nga çdo deklaratë nga përfaqësues fiktiv këshillash studentore, që marrin përsipër guximin të flasin në emër të të gjithë Këshillave Studentorë të Universiteteve Publike. Çdokush që nxit akte të tilla duhet të distancohet sa më parë, pasi kjo frymë synon përçarjen mes studenteve dhe nuk çon në zgjidhjen e problemit të studentëve që protestojnë për tarifat!”, thuhet në reagimin e Këshillit Studentor të UMT-së.

 

MAS: Studentët e grevës, të yshtur politikisht

 Në respekt të qytetarëve shqiptarë, ndjejmë të nevojshme të shpjegojmë pesë gjëra të rëndësishme mbi grevën e 32 studentëve.

– Së pari, grupi i yshtur politikisht, tashmë edhe publikisht, janë studentë të institucioneve që iu hoq licenca në korrik të vitit 2014. Ndërsa këta që u vunë në korr për t’i qarë hallin, janë të njëjtët që i licencuan kundër ligjit, dhe i lanë të funksionojnë jo vetëm kundër ligjit, por kundër çdo lloj arsyeje minimale. Sot i dalin në mbrojtje sistemit që vetë kishin ngritur.

– Së dyti, këtyre studentëve iu dha një shans i dytë për të vijuar studimet e tyre edhe në Universitet Publike. Jashtë sistemit të meritës, pa konkurrim si studentet e tjerë. Një shans që iu dha në emër të përgjegjshmërisë shtetërore, përgjegjësi që ishte e atyre që sot janë bërë për t’u qarë hallin. Por kjo mundësi nuk mund të vinte me kosto ekstra për taksapaguesin shqiptarë. Këta studentë paguanin një tarifë të lartë në IAL-të private dhe s’kishte arsye pse këtë tarifë tani ta mbarte qytetari Shqiptar. Do ishte e padrejtë edhe ndaj qindra studentëve ekselentë që për pak pikë nuk kanë mundur të regjistrohen në këto degë, ndër më të kërkuarat në vend.

– Së treti, studentët në fjalë, i kanë ditur shumë mirë kushtet me të cilat do të transferoheshin që nga viti i kaluar dhe kanë shprehur falënderimin ndaj MAS për gjithë ndihmën e dhënë. Pse kjo grevë tani? Pse gjatë sezonit të provimeve dhe sezonit të reformës në arsimin e lartë?

– Së katërti, ashtu siç kemi bërë në çdo hap gjatë dhe pas mbylljes së universiteteve të paligjshme, ashtu siç bëmë gjatë debateve për kuotat dhe tarifat, ashtu siç bëmë dhe do vazhdojmë të bëjmë gjatë gjithë reformës, Ministria i është gjendur pranë çdo studenti. Kemi takuar dhe komunikuar edhe me studentët në fjalë.

– Por thënë sa më lart, dhe së fundmi, MAS dhe Qeveria Shqiptare mbeten të vendosur në rrugën e reformës së arsimit në vend dhe nuk do të lejojmë që askush të marrë peng zhvillimin. 170 mijë studentët shqiptarë dhe familjet e tyre, meritojnë një sistem arsimor cilësor që ofron dije të mirëfillta, që përgatit të ardhmen e vendit, që ofron cilësi. E mbi të gjitha, procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush. E drejta e protestës është e drejtë e çdokujt, por ajo nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve.

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha: Dhuna ndaj studentëve, fillimi i fundit për këtë qeveri

 Tirana, Shqipëria, nuk është më e njëjta prej orëve të errëta të mëngjesit të së djelës. Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur. Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli. Grevistët studentë, nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike. Janë të rinj që kërkojnë të arsimohen, që kërkojnë të mos diskriminohen nga qeveria. Prej një viti këta studentë kërkojnë të drejtën e tyre, por janë trajtuar me përbuzje e janë shpërfillur e poshtëruar sistematikisht. Dhe në fund, vendosën të bëjnë grevë urie, sepse zëri i tyre, kërkesa e tyre u refuzua… A mundet Edi Rama t’u mbyllë gojën mijëra studentëve shqiptare që në një sipërmarrje tërësisht korruptive i ka lënë pa të drejtën e arsimimit? Nuk janë vetëm studentët e Tiranës, por janë dhe të Peshkopisë në protestë që këtë muaj u ndërpritet e drejta e studimit dhe transferohen në Durrës; janë dhe studentët e Elbasanit, Vlorës e Gjirokastrës që nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara. Për interesat e tij për pushtet, Edi Rama ka bërë grevën e urisë më të kontestuar në historinë e vendit, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e duke penguar integrimin europian të vendit dhe heqjen e vizave për shqiptarët. Sot, përsëri për interesat e tij, ndalon me dhunë, kamxhikë e kallashnikovë, një grevë të drejtë studentësh.

Të paktën 12 prej tyre u vizituan nga deputetët tanë në Spitalin Ushtarak, ku po mjekohen… Partia Demokratike e konsideron këtë akt, një sulm dantitesk të paligjshëm.

Përsëris kërkesën time drejtuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studenteve. Ne jemi e do të jemi në krah të tyre, derisa kauza e tyre e drejtë të triumfojë.