Ndriçim Mehmeti:Provimi me zgjedhje, Historia më e përzgjedhura nga maturantët

556
Sigal

Intervistë/Flet për Maturën Ndriçim Mehmeti, përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në MASH

Maturantët me dhënien e provimit me zgjedhje, mbyllën edhe ciklin e testimit të dijeve të tyre. Pas rezultateve të Letërsisë dhe Matematikës, maturantët janë në pritje të rezultateve të provimit me zgjedhje, i cili pritet të dalë rreth datës 10-11 korrik. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në MASH, Ndriçim Mehmeti. Z.Mehmeti komenton në këtë intervistë, cilësinë e maturantëve në provimet e detyruara, Letërsi dhe Matematikë si dhe për statistikat e lëndëve më të përzgjedhura nga maturantët. “Po bëhet gati infrastruktura, që ne e kemi nga vjet një eksperiencë shumë të mirë, ta bëjmë online, të lajmërojmë studentët dhe të fillojnë të aplikojnë siç edhe e bëmë atëherë me  qarqe të ndryshme për t’i dhënë mundësi gjithsecilit që të ketë akses në zgjedhjen e degëve ku ata duan të ndjekin studimet” shprehet Mehmeti përsa i përket plotësimit të formularit A2, i cili është hapi i radhës për maturantët, pas marrjes së rezultateve të lëndëve me zgjedhje.

Me daljen e rezultateve të Matematikës a mund të më thoni sesi ishte cilësia e maturantëve krahasimisht me vjet?

Në të njëjtin nivel pothuaj, në nivelin e dhjetave ishin të njëjtat, nga 9.5-10.00 llogaritet një shifër rreth 2400-2500 nga 44 mijë maturantë, ndërkohë që sipas AKP-së ka të njëjtin numër dhjetash edhe vjet, rreth 2300. Ka gjithashtu dhe një numër të madh testesh për shqyrtim, të cilët kanë probleme në lidhje me tentativën për të rritur artificialisht notën që do të thotë se kanë shkuar nga 2-3 nota më shumë dhe janë bllokuar nga Komisioni i Posaçëm i Testeve të Dyshuara për t’u riparë dhe një herë, pasi dyshohet për kopjim.

Sa ngelës janë gjithsej deri tani që kanë dalë nga provimet e detyruara dhe që mund të humbasin të drejtën për të aplikuar për në universitet?

 Nuk mund të nxjerrim një rezultat për ato që nuk aplikojnë për në universitet, se ne nuk dimë se sa ngelës do kemi në provimet me zgjedhje, sepse mund të kesh marrë 2 provimet e para dhe s’merr ata me zgjedhje dhe prapë nuk mund të aplikosh për në universitet, pra nuk mund të flasësh dot tani për një shifër absolute. Në rast se marrim dhe Letërsinë deri më tani llogariten rreth 4 000 mbetës, por duhet të presim dhe rezultatet e provimit me zgjedhje për të bërë llogaritë. Por ndërkohë, në këtë numër mund të ketë dhe ngelës rishtas, pra që kanë qenë vjet dhe mund të jenë dhe sivjet. Pra nuk është e thënë që këta ngelës janë nga Matura 2013, pra duhen  parë me statistika sa janë të 2013-ës, sa kanë kaluar , ku kanë kaluar dhe sa është numri potencial i tyre për të shkuar në universitet, pastaj është gjë tjetër sesa prej tyre arrijnë pikët.

Çfarë do të ndodhë më këta mbetës?

Asgjë, do të vijnë në vjeshtë, do të bëhet një udhëzim i veçantë. Gjithmonë ka qenë rreth datës 10-20 shtator që janë marrë në provim dhe më pas atyre u jepet e drejta për të kandiduar me formularin A3, ose për ato degë që ngelen pa plotësuar dhe këta mund të futen në lojë, së bashku me të tjerët natyrisht.

Kur do dalë rezultati i provimeve me zgjedhje?

Shpresojmë në rezultate sa më të shpejta edhe për një arsye, sidomos për pjesën që ka aplikuar për të shkuar jashtë vendit. Ka një problem lidhur me kapjen e afateve me Republikën Federale Gjermane, e cila ka një afat të datës 15 korrik, nga e cila nuk lëviz dhe që “për fat të keq” ky afat bie në fundjavë dhe ne duhet të japim më shpejt rezultatet, pra të përpiqemi që t’i nxjerrim rreth datës 10-11 që në datën 12 korrik t’i pajisim me diplomën e maturës këtë pjesë të interesuarish maturantësh. Prandaj dhe ne i kemi paralajmëruar që në fillim maturantët që të shënojnë nëse do ikin jashtë shtetit apo jo. Po të njëjtat afate pak a shumë i ka dhe Republika e Italisë, e Francës, e kështu me radhë.

Te lëndët me zgjedhje keni ndonjë statistikë se cilat janë përzgjedhur më shumë?

Po, ka një statistikë të lëndëve me zgjedhje. Ka një ngritje të madhe Historia bërthamë dhe ajo e thelluar, e kalonte numrin prej 16 mijë të përzgjedhurish, ishte anglishtja, për herë të parë kishte një paritet të themi në  lëndë shkencore; biologji, kimi, fizikë dhe kjo është një gjë e mirë. Duket që këto janë dhe një mundësi që  studentët të shkojnë në programet e studimit që tani janë bërë shumë tërheqëse siç janë; shkencat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit,   shkencat kompjuterike,informatika, elektronika, telekomi e kështu me radhë. Pra IT në tërësi, por dhe telekomi ka një tërheqje goxha të madhe, të mos harrojmë inxhinjerinë e ndërtimit, arkitektura e kështu me radhë. Ndërkohë që ngelet në shifra të larta gjuha angleze krahasimisht me  gjuhët e tjera dhe me një paritet thuajse të plotë gjuha gjermane, spanjolle, turke, greke për të cilat ka një përzgjedhje pak a shumë më të kufizuar dhe me një avantazh të lehtë gjuha italiane dhe gjuha franceze.

Ku ishin më të përgatitur maturantët, në Letërsi apo në Matematikë?

Rezultatet janë gjithmonë relative, ti mund të kesh vetëm 1 mijë ngelës, por mund të kesh nivel të ulët të përgatitjes së tyre, pra të niveli 5 apo 6. Ti mund të kesh 2 mijë ngelës, po niveli mund të jetë më i lartë. Tani çfarë ndodh? Ka një problem, Letërsia është relativisht subjektive ku duhet dhe një farë talenti, sepse eseja nuk mund të bëhet nga të gjithë, është njësoj sikur të thuash që ne të gjithë mund të dimë të shkruajmë mirë, por jo të gjithë mund të bëhemi gazetarë, apo jo të gjithë mund të bëhemi kritik letrar. Problem ka dhe me perceptimin që ka nxënësi, pra varet sesi ai e lexon dhe në ç’këndvështrim ai e shikon, janë dhe vepra pak a shumë si p.sh. “Prometeu”, i cili ka brenda dhe filozofinë dhe misticizmin. Matematika pastaj nuk të lejon të gabosh, por nga ana tjetër është një lëndë e tillë që të krijon mundësinë që ti të bësh një apo dy zgjidhje, edhe kjo është mëse e pranueshme, por është më ekzakte. Sikundër në lëndët me zgjedhje, presupozohet që, meqë e ke zgjedhur vetë, ti ke një prioritet për t’i zhvilluar shumë më mirë. Ai që ne kemi problemin më të veçantë është fakti që përgatitja e nxënësit, në raport me programin lëndor, është një proces të cilën nxënësi e sheh thjesht si një përgatitje tërësore dhe ndonjëherë humbet në atë përgjithësim dhe harron të bëjë atë që i kërkohet në mënyrë specifike. Kështu  p.sh.  nëse ti i thua që trego tre nga vendimet e filan konference, nxënësi mendon; janë 5 vendime, a t’i shkruaj të pesta që të jem brenda, apo të shkruaj tre, ndërkohë që atij i kërkohen tre, sepse i kërkohet që të mos mbaj mend mekanikisht por të ketë frymën  dhe idenë se për çfarë është bërë kjo konferencë. Ashtu si dhe në ushtrimet e fizikës, nxënësi mundohet ta çojë ushtrimin deri në fund me të gjithë detajet, pastaj të japë zgjidhjen dhe ai për shkak të kohës nuk arrin të përfundojë. Provimi është i tillë që të krijon mundësira që ti të përballesh me veten. Natyrisht, ka gjithmonë për t’u rregulluar, nuk ka diskutim. Duhet parë me kohëmatje, se mund të jetë një ushtrim që ka disa hapa për t’u zgjidhur dhe duhet më shumë kohë, a arrin kjo kohë, mund të krijojë kjo një stres të presionit të kohës për maturantin? Sepse maturanti është dhe në presionin e kohës. Ai thotë, kam 2 provime, kam nga një orë e gjysmë për secilin, ndodh që njëra nga lëndët mund të dojë një orë, por tjetra mund të dojë dy orë etj etj. Janë gjithmonë gjëra, që them, se ka mundësi të përmirësohen.

Plotësimi i formularit A2

Po bëhet gati infrastruktura, që ne e kemi nga vjet një eksperiencë shumë të mirë, ta bëjmë online, të lajmërojmë studentët dhe të fillojnë të aplikojnë siç edhe e bëmë atëherë me  qarqe të ndryshme për t’i dhënë mundësi gjithsecilit që të ketë akses në zgjedhjen e degëve ku ata duan të ndjekin studimet. Vetë maturanti ka mësuar nga eksperienca, pasi A1 dhe A1Z u bënë online, kandidati i vjetshëm e di, do të jetë e njëjta formulë, vetëm se tashmë ti i ke të gjitha programet e studimit të cilat u zbardhën nga vendimi i Këshillit të Ministrave dhe do hidhen këto të gjitha në program, që ti të kesh mundësi të futesh. Do të ketë dhe ca udhëzues të veçantë, të cilët dalin zakonisht te faqja e AKP-së dhe do operohet me to.