Syrja Ormenaj: “Në politikë, populli të jep atë që meriton”

576
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Urës-Vajgurore: “Për 8 vjet nuk u zgjidh asnjë problem që kishte qyteti”

Të zhgënjyer e të braktisur për vite me radhë, banorët e qytetit të Urës-Vajgurore kanë jetuar pa ndihmën e qeverisë në vorbullën e halleve të shumta. “Për këtë ‘ndëshkim’ që iu bë banorëve, qeveria e mori përgjigjen në zgjedhjet e 23 Qershorit, ku Partia Socialiste ka shënuar 50 për qind më shumë rritje se në zgjedhjet e fundit të vitit 2009”, kështu u shpreh ekskluzivisht për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Urës-Vajgurore, Syrja Ormenaj, i cili ishte edhe Kryetari i Shtabit Elektoral për këtë bashki. Ormenaj u shpreh: “Berisha mori atë që meritonte. Ndëshkimin e mori me votën popullore, sepse është populli ai që të jep atë që meriton”, tha Kryebashkiaku. Duke bërë një përmbledhje të tetë viteve të fundit, Ormenaj veçoi ngjarjet më të rëndësishme: “Gjatë tetë viteve të fundit qeveria “Berisha” nuk investojë në këtë bashki me 12 mijë banorë asnjë qindarkë, por e la në pikë të hallit. Madje, kësaj bashkie i shkurtoje në maksimum fondin. Por banorët edhe pse u ndien nën presionin e votës nuk u tunduan të mashtroheshin sërish. Qeveria u ndëshkua dy herë në zgjedhjet lokale, ku Partia Socialiste ka fituar bashkinë dy herë radhazi. Por në zgjedhjet parlamentare qytetarët i dhanë goditjen e madhe. Qeveria dy vitet radhazi ka shkurtuar në maksimum fondin. Në vitin 2012 qeveria shkurtoi fondin 6 milionë lekë më pak se një vit më parë duke krijuar boshllëqe të mëdha. Ne si bashki kemi hartuar 10 projekte dhe ia kemi paraqitur ish-qeverisë Berisha, por këto projekte asnjëherë nuk u financuan. Projektet ishin për ndërtimin e Ujësjellësit, rrjetin e kanalizime të ujërave të zeza, ndërtimin e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, rikonstruksioni i rrugës që lidhë fshatin Kondesbalt me qytetin, ndriçimi i qytetit, çerdhen dhe kopshtin e qytet etj.. Disa herë ne si bashki kemi kërkuar nga qeveria që të mbylleshin minierat e gurores, që çdo ditë po ju marrin jetën këtyre banorëve dhe po shkatërron kurorën e pishave, por dhe këto kërkesa të tonat si bashki nuk u morën parasysh asnjëherë.  Papunësi e madhe që kishte mbërthyer në fyt këta banorë, ka bërë që t’i thonë jo fitores të së djathtës. Ne kemi patur një mbështetje të madhe edhe nga emigrantët, të cilët me votën e tyre ndihmuan ndryshimin dhe sollën Rilindjen. Është për t’u theksuar se në të gjitha qendrat e votimit Partia Demokratike ka pasur një numër të vogël votash, kjo dhe shumë faktorë të tjerë bënë që t’i japin një fitore të thellë PS-së, jo vetëm në qytetin e Urës-Vajgurore, por në shkallë vendi”, tha Ormenaj.