Myqerem Tafaj/ Përmirësimi i nivelit të mësuesve nuk bëhet me fushata politike

561
Sigal

Qeveria shpalli një raport, i cili konkludon se në gjithë sistemin e arsimit parauniversitar janë konstatuar 1984 mësues pa arsimin përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit.

Raporti pretendon se është bërë mbështetur në Ligjin për Sistemin e Arsimit Parauniversitar, miratuar, me konsensus, në qershor 2012, në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë ligj, me propozimin e sindikatave dhe me dakortësinë e plotë të opozitës së atëhershme, u vendosën disa dispozita të fundit dhe kalimtare, që synojnë të garantojnë statusin e mësuesve që janë në punë.

 Mbi mësuesit pa arsim përkatës dhe jashtë profilit

 Numri i raportuar prej 1984 edukatorë dhe mësues pa arsim përkatës nga rreth 38 mijë punonjës gjithsej në gjithë sistemin e arsimit parauniversitar, duhet të jenë mësues, përgjithësisht me arsim të mesëm, që punojnë aktualisht me kontratë të përkohshme, në arsimin parashkollor dhe nëntëvjeçar dhe nuk kanë përfunduar tre shkallët e kualifikimit, pra nuk plotësojnë kriteret e nenit 72 të ligjit të sipërcituar. Numri i mësuesve me arsim të mesëm është ulur me 2.5 herë në tetë vitet e qeverisjes së PD. Ne e kemi gjetur sistemin arsimor me rreth 36% të numrit total të mësuesve me arsim të mesëm. Në disa rrethe, sidomos të zonës Verilindore, kjo shifër ishte rreth 50%! Në vitin shkollor 2004-2005, nga 38245 edukatorë dhe mësues gjithsej në sistemin e arsimit parauniversitar, 13693 prej tyre kanë qenë me arsim të mesëm. Mësuesit me arsim të mesëm punonin jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytetet e vogla. Shumë prej tyre jepnim mësim jo vetëm në kopshte, shkollat 8-vjeçare, por edhe në shkollat e mesme të komunave.  Madje, ishin angazhuar edhe mësues që kishin përfunduar arsim të mesëm të përgjithshëm ose arsim të mesëm të profileve të tjera jo pedagogjike. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e mësuesve me arsim të lartë kanë përfunduar studimet me korrespondencë ose me kohë të pjesshme. Shkaku kryesor për këtë situatë ishte lëvizja masive e popullsisë. Profesioni i mësuesisë është ndoshta profesioni më i prekur nga tranzicioni dhe lëvizja e popullsisë. Mësuesit me arsim përkatës të këtyre zonave u larguan jashtë vendit ose në qytetet e mëdha të vendit për një jetë më të mirë. Profesioni i mësuesisë ishte ndër profesionet më të braktisura, sepse paga e mësuesit ishte qesharake. Në vitin 2005 paga e mësuesit ishte rreth 22 mijë lekë në muaj! Shumë pak të rinj nga zonat rurale vijonin studimet universitare për mësuesi, dhe, për rrjedhojë diplomoheshin shumë pak mësues të rinj. Edhe ata që diplomoheshin nuk parapëlqenin kthimin në rrethet e tyre për të punuar si mësues, për shkak të pagës së ulët, por kërkonin një vend pune në qytet si mësues ose preferonin të bënin punë të tjera, madje edhe të pakualifikuara, në Tiranë ose qytetet e tjera të mëdha. Rritja e pagës së mësuesit, gati 2.3 herë gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-së, zgjoi interesin e të rinjve për profesionin e mësuesisë. Nga ana tjetër, rritja e numrit të studentëve, nga zonat rurale dhe rrethet e largëta, në fakultetet e mësuesisë, bëri të mundur që të rritet edhe numri i mësuesve të rinj të diplomuar me arsim të lartë nga këto zona. Kjo bëri që të gjithë mësuesit me arsim të mesëm që dilnin në pension, të zëvendësohen me mësues të rinj me arsim të lartë, çka përmirësoi me shpejtësi strukturën e kualifikimit të punonjësve të arsimit. Në vitin 2013 numri i edukatoreve/mësuesve me arsim të mesëm ishte 5503 veta nga 38119 gjithsej, pra 2.5 herë më i ulët se në vitin 2005! Personeli me arsim të mesëm punon kopshtet dhe shkollat e ciklit të ulët të zonave rurale dhe qyteteve të vogla, dhe shumë më pak në arsimin e mesëm të ulët (klasat 6-9) në shkollat e vogla dhe shumë të vogla të zonave të thella. Mësues jashtë profilit konsiderohen mësues që kanë përfunduar arsimin e lartë, por japin lëndë që nuk përputhen me degën/profilin që kanë kryer studimet universitare. Raporti i Qeverisë konstaton 2065 mësues të cilët japin mësim jashtë profilit për të cilin kanë studiuar. Kjo ka ndodhur në shkollat e vogla dhe shumë të vogla të zonave të largëta dhe ato rurale, si dhe në disa qytete të vogla. Numri i vogël i nxënësve në shkollat e vogla e bën të pamundur një përputhje të plotë të lëndës me profilin e formimit universitar të mësuesit. Nga ana tjetër, për gati tre dekada, fakultetet tona të mësuesisë kanë diplomuar mësues të formuar vetëm në një lëndë, çka jo vetëm ka dëmtuar formimin universitar të mësuesve, por edhe ka vështirësuar shumë menaxhimin e burimeve njerëzore ne sistemin arsimor, sidomos ne zonat rurale dhe qytetet e vogla te vendit. E thënë më thjesht, mësuesit që janë diplomuar për një lëndë nuk mund të plotësojnë ngarkesën mësimore në shkollat me numër të vogël ose shumë të vogël nxënësish. Për këtë shkak ata duhet të japin mësim në lëndë të tjera të afërta. Reforma e studimeve universitare në mësuesi, e cila filloi në vitin 2010, synonte reformimin e kurrikulave të mësuesisë, që mundësojnë një formim universitar të mësuesve me kompetencë të barabartë në dy lëndë të afërta. Fakultetet e mësuesisë kanë zhvilluar kurrikula të reja me kompetencë të njëjtë në dy lëndë. Shumica e studentëve të mësuesisë që përfundojnë studimet tani dhe në vitet që vijnë, do të jenë të aftë të zhvillojnë mësim në dy lëndë. Kjo do t‘i shërbejë rritjes së nivelit profesional të mësuesve të rinj, përmirësimit të nivelit të mësimdhënies, sidomos në shkollat e vogla dhe shumë të vogla, si dhe përmirësimit të menaxhimit të burimeve njerëzore edhe në rrethet e vogla dhe zonat e largëta. Përvoja e vendeve të tjera tregon, se, edhe në vendet më të pasura të Europës, është e vështirë të gjenden mësues që japin vetëm një lëndë, qoftë kjo edhe edukimi fizik, apo muzika, arti. Një standard shumë i rëndësishëm në formimin fillestar të mësuesve të rinj ishte shpallja, në vitin 2011, e profesionit të mësuesisë si profesion i rregulluar. U implementua praktika profesionale pas studimeve universitare, e cila përmbyllet me një vlerësim nga mësuesit dhe prindërit, si dhe filloi Provimi i shtetit, plotësisht i digjitalizuar, sipas standardeve më të mira që zbatohen në vendet e BE. Sot, pas gati tre vitesh përvojë, është koha që të rritet edhe pragu i vlerësimin në provimin e shtetit, nga 50% në 60 ose 70% te numrit maksimal të pikëve, në mënyrë që ai të jetë i krahasueshëm me vendet e BE. Deri në gusht 2013 përfunduan praktikën profesionale dhe provimin e shtetit rreth 500 mësues të rinj. Ndërkohë duhet të jenë mbi 1100 mësues të rinj të licencuar që nuk po punësohen, sepse nuk kanë filluar konkurset për vendet e lira të punë për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. Përmes një udhëzimi të ri të vitit 2010 u bë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e strukturës së kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm. Ky udhëzim përcaktoi që në arsimin e mesëm duhet të punojnë mësues me arsim të lartë që kanë studjuar në sistemin me kohë të plotë në programet e katërvjeçare (sistemi i vjetër i studimeve) ose në ciklin e dytë të studimeve (master, sipas sistemit të Bolonjës).

 Rritja e moshës së pensionit të mësuesve dëmton rëndë sistemin arsimor

 Megjithë përmirësimin e shënuar në nivelin e kualifikimit të mësuesve në tetë vitet e fundit, situata nuk është e kënaqshme. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar ndikimi thellësisht negativ i rritjes së moshës së pensionit për mësuesit, në zbatim të ndryshimeve të vitit 2002 në kuadrin ligjor të pensioneve. Rritja e moshës së daljes në pension me pesë vite për mësueset (nga 55 në 60 vjet) dhe mësuesit (nga 60 në 65 vjet) zgjati periudhën e rinovimit të trupës pedagogjike në arsim. Ndryshimet e reja, të korrikut 2013 në ligjin e pensioneve që e rrisin më tej moshën e pensionit në 65 vjet për mësueset, që përbëjnë rreth 70% të trupës pedagogjike, dhe 67 vjet për mësuesit, do të kenë efekte tejet negative afatgjatë në cilësinë e arsimit shqiptar. Kjo rritje kaq e madhe e moshës për mësimdhënësit është jorealiste. Rreth gjysma e mësuesve, që punojnë aktualisht në shkollat tona, janë diplomuar në vitet 70 – 80-të dhe kanë studiuar me kurrikula që nuk i aftësonin mësuesit e rinj në disa kompetenca shumë të rëndësishme, si zotërimi I gjuhëve të huaja, teknologjia e informacionit, didaktika dhe pedagogjia moderne, metodat e komunikimit, etj. Ndërkohë vendi ynë ende nuk ka një sistem të konsoliduar të kualifikimit të vazhduar të mësuesve, I cili të bëj të mundur aftësimin real të mësuesve për kompetencat e reja të sipërpërmendura. Për thuajse dy dekada, kualifikimi i vazhduar i mësuesve ishte shkëputur paradoksalisht nga fakultetet e mësuesisë të universiteteve tona publike dhe ishte orientuar në kualifikime sipërfaqësore të projekteve të huaja dhe agjencive private, pa kapacitete reale për realizimin e një trajnimi solid. Këtu nuk duhet të harrojmë edhe një fakt tjetër që lidhet me shpërndarjen e shkollave, ku gjysma e tyre janë në zonat rurale dhe kanë mundësi më të kufizuara në informacion të nevojshëm për rritjen e nivelit të kualifikimit, në krahasim me kolegët e tyre që jetojnë dhe punojnë në zonat kryesore urbane të vendit. Të gjitha këto të çojnë në përfundimin se zgjatja e moshës së pensionit do të zgjasë shumë periudhën e nevojshme për rinovimin e plotë të trupës pedagogjike në sistemin tonë arsimor, edhe pse sot vendi ka një numër shumë të madh mësuesish të rinj që mund të hynin në sistem. Qeveria nuk dëgjoi jo vetëm zërin e opozitës por as edhe të sindikatave të arsimit që e kundërshtuan me forcë rritjen e mëtejshme të moshës së pensionit të mësuesve. Nëse Qeveria është serioze në deklarimet e saj, atëherë duhet të ndërmarrë një nismë ligjore për të ulur moshën e pensionit të mësuesve. Këtu kam parasysh një nismë ligjore që shfuqizon jo vetëm rritjen e moshës së pensionit të mësuesve të korrikut 2013 por edhe të vitit 2002. Kjo masë do të shkurtonte me së paku 5 vite periudhën e nevojshme për rinovimin e plotë të të gjithë trupës pedagogjike të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Ky duket një hap i kushtueshëm për buxhetin e pensioneve. Në fakt nuk është kështu, sepse rinovimi i trupës pedagogjike do të ketë një ndikim të madh dhe të shpejt pozitiv mbi cilësinë e shkollës. Një hap i tillë do të ishte i mirëpritur nga gjithë trupa pedagogjike e sistemit tonë arsimor, në mënyrë të veçantë mësueset, që përbëjnë mbi 70% të saj.

 Mbi fushatën qeverisë për emërimin e mësuesve të rinj

 Qeveria thotë që do të shpallë si vende të lira vendet e punës të mësuesve pa arsim përkatës. Për zënien e vendeve të punës, drejtoritë arsimore të rretheve do të hapin konkurs, i cili do të përfshijë edhe një provim. MAS ka hapur edhe një portal, ku duhet të aplikojnë mësuesit për punësim. Kur bëjmë fjalë për mësuesit që kanë të drejtë të aplikojnë, duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm. Një grup janë mësuesit e rinj të licencuar; pra ata që kanë përfunduar studimet universitare, zotërojnë diplomën që parashikon ligji, kanë kryer me sukses praktikën profesionale njëvjeçare në shkolla dhe Provimin e shtetit, si dhe kanë fituar Licencën për ushtrimin e profesionit të mësuesit.  Ndërsa grupi tjetër janë mësuesit që presin të punësohen, por që nuk janë të licencuar, sepse kanë përfunduar studimet përpara hyrjes në fuqi të ligjit të profesioneve të rregulluara për mësuesinë. Për grupin e mësuesve të rinj të licencuar, zhvillimi i një provimi tjetër, si pjesë e konkursit, është tërësisht në kundërshtim me ligjin. Të tillë duhet të jenë rreth 1100 mësues të rinj që presin punë. Gjatë muajit nëntor zhvillohet sezoni i radhës i provimit të shtetit dhe pritet të paraqiten në provim mbi 1500 kandidatë të rinj, që kanë përfunduar praktikën profesionale. Ligji i ri parashikon një procedurë të saktë për emërimin në punë të mësuesve të rinj, ku kriteri kryesor është licencimi mbi bazën e provimit të shtetit, për ata që kanë përfunduar studimet universitare pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri (korrik, 2011). Pra, mësuesit e licencuar duhet të hyjnë në konkurs pa provim. Për më tepër, licenca përmban edhe notën dhe pikët e fituara në provimin e shtetit, çka e mundëson një rankim të kandidatëve, sipas notës dhe pikëve të provimit të shtetit. Provimi si pjesë e konkursit mund të aplikohet vetëm për mësuesit që janë diplomuar përpara muajit korrik 2011.  Por një provim i tillë nuk mund të bëhet nga drejtoritë arsimore të rretheve, sepse rezultatet e tij do të manipulohen dhe fitues do të nxirren vetëm kandidatët që janë politikisht të dëshiruar! Ky provim duhet të bëhet vetëm në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, sipas procedurës dhe standardeve të Provimit të shtetit të digjitalizuar.  Ligji i ri parashikon një procedurë të qartë për emërimin i mësuesve të rinj. Ai parashikon një komision, i cili drejtohet nga mësuesi me përvojë më të gjatë në shkollë, një mësues tjetër, dy përfaqësues të prindërve dhe bordit të shkollës si dhe një përfaqësues i drejtorisë/zyrës arsimore të rrethit. Komisioni përzgjedh dy kandidatët më të mirë dhe drejtori i shkollës emëron njëri prej tyre. Procedura e shpallur në portalin e MAS e çon emërimin e mësuesit tek drejtoria ose zyra arsimore e rrethit, çka është në kundërshtim me ligjin. Zhvillimi i provimit/testimit dhe emërimit të mësuesve të rinj nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit krijon mundësi reale për emërimin e kandidatëve politikisht të preferuar. Nga ana tjetër procedura e propaganduar kaq shumë nga MAS duket sikur e delegjitimon standardin e vendosur përmes Provimit të shtetit dhe licencimit. Gjithashtu, qeveria po propagandon edhe një testim të të gjithë mësuesve që janë punë,  i cili planifikohet të zhvillohet në fund të këtij viti shkollor (maj -qershor 2015). Pra, të gjithë mësuesit, me status definitiv emërimi, duhet të përballen me një të ashtuquajtur testim për t’u licencuar!  Një provim i tillë nuk parashikohet në ligjin për Arsimin Parauniversitar për mësuesit që janë në punë me status definitiv. Edhe kur profesioni i mësuesisë u shpall si Profesion i rregulluar, ligji parashikonte zbatimin vetëm për mësuesit e rinj, pra që janë diplomuar pas hyrjes në fuqi të ligjit, por jo për mësuesit me status definitiv, të fituar përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Pra, ligji nuk mund të ketë efekte prapavepruese. Një gjë e tillë nuk është aplikuar për profesionet e tjera të rregulluara.  Ligji i ri, i miratuar me konsensus me ish-opozitën, në Kuvendin e Shqipërisë, në qershor 2012, parashikon mekanizma të tjera për rritjen e cilësisë së kualifikimit të vazhduar të mësuesve, siç janë: provimi çdo pesë vjet për përfitimin e një kategorie më të lartë të kualifikimit, si dhe trajnimi i përvitshëm për përditësimin e dijeve shkencore dhe pedagogjike.