Ministria e Arsimit: Nuk ka mungesa të teksteve shkollore

Institucioni përgjegjës u kërkon prindërve të mos alarmohen. Pse kanë ndryshuar çmimet

Ministria e Arsimit garantoi nxënësit se nuk do të ketë mungesë të teksteve shkollore, ndaj nuk është e nevojshme të krijohen radhë në pikat e tregtimit të tyre. Drejtorja e Arsimit Parauniversitar, Zamira Gjini, tha se nuk ka rritje të çmimit të teksteve, por për klasën e parë dhe klasën e 6 që do të mësojnë me kurrikulën e re, ka shtim të numrit të librave. Ministria e Arsimit kërkon të qetësojë prindërit dhe nxënësit që të mos krijojnë fluks në pikat e tregtimit të librave, pasi tekstet do të mbulojnë nevojat e të gjithë fëmijëve në shkolla. “Marrim çdo ditë informacion nga Drejtoritë Arsimore, Zyrat Arsimore, por edhe nga botuesit, se si është situata e shitjes së teksteve shkollore. Por ajo që dua t’u them prindërve, është që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka siguruar në bashkëpunim dhe me botuesit, botimin dhe pajisjen e njësive tregtare të shitjes së teksteve mësimore me të gjitha tekstet që ndodhen në katalogun e teksteve mësimore”, tha Gjini. Drejtorja e Arsimit Parauniversitar garanton nxënësit dhe prindërit se nuk ka mungesë të titujve. “Të gjitha tekstet mësimore që ka katalogu ndodhen në njësitë tregtare të shitjes së teksteve mësimore. Nuk ka pse të stresohen dhe alarmohen, pasi tekstet janë aty. Ata mund të shkojnë në çfarëdo lloj kohe, kur e kanë mundësinë. Njësitë tregtare janë të hapura gjatë gjithë ditës”, tha ajo. Sipas Gjinit, nuk ka rritje të çmimit të teksteve shkollore, por në klasën e parë dhe klasën e gjashtë që janë me kurrikula të reja, ka shtim të librave, ndaj dhe paketa kushton më shtrenjtë. “Në kurrikulën e re kemi lëndë të reja, shtesë në numrin e teksteve për klasën e parë dhe klasën e gjashtë që detyrimisht paketa mund të ketë pak rritje. Por çmimi nuk ka ndryshuar për shkak të çmimit të tekstit për çdo tekst, por ndryshon paketa e çmimeve të rritjes së lëndëve mësimore në kurrikulën e re të arsimit parauniversitar”, shpjegon ajo.

Procesi i shpërndarjes së teksteve ka nisur ditën e premte dhe deri në 11 shtator kur të nisë viti i ri shkollor, nxënësit kanë kohë të pajisjen me të gjithë paketën e librave.

Shpërndarja e librave është kthyer edhe në një debat politik, ku nuk kanë munguar replikat mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-ministres e ministres së ardhshme të Arsimit, Lindita Nikolla. Opozita ka kërkuar ndarje falas të librave, duke deklaruar se një gjë e tillë bëhet në vendet e rajonit, ndërsa Nikolla, e cila do të rikthehet në qeveri në shtator, ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë.