Maturantët dhe 2 ditë për plotësimin e Formularit A2

538
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i APRIAL, Arben Fagu, për detaje të rëndësishme të plotësimit të Formularit A2

 Procesi i plotësimit të Formularit A2, po vijon normalisht sipas kalendarit të publikuar më parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve. Një fakt të tillë na e bën të ditur Drejtori i APRIAL, Arben Fagu, në një intervistë për “Telegraf”. Sipas zotit Fagu, deri ditën e djeshme janë plotësuar afërsisht 26000 formularë A2. Ndërkohë që, zoti Fagu, ka sqaruar se pas plotësimit on-line të formularit do të nxirret libri i transparencës, ku çdo maturant do të ketë mundësinë që të shohë të tëra të dhënat e tij. Pas kësaj, do të publikohen barkodet në uebsajtin e faqes zyrtare.

 -Zoti Fagu, si po shkon faza e plotësimit të Formularit A2, deri në këto momente që po flasim?

-Plotësimi i Formularit A2, po shkon shumë mirë në të gjitha qytetet e Shqipërisë që ne i kemi pas përcaktuar sipas datave edhe më parë se të fillonte ky proces. Po ashtu dua t’ju kujtoj se dita e parë e plotësimit të Formularit A2 u fillua në Tiranë, aty ku ishte edhe pjesa më e madhe e maturantëve, gati 1/6 e maturantëve të Shqipërisë, dhe shkoi shumë mirë. Duhet të kemi parasysh që krahas plotësimit on-line ne kemi edhe plotësimin tradicional. Kjo është bërë për të shmangur edhe ndonjë defekt që mund të lindte gjatë atij plotësimit on-line. Por formularët e plotësuar me dorë do të krahasohen, ky formular do të ballafaqojë rezultatin e aplikimit on-line. Deri para dy ditësh kanë qenë plotësuar rreth 20100 formularë. Ndërsa duke përfshirë dhe ditën e djeshme numri i tyre besoj shkon në 26000 formularë të plotësuar. Po ecet sipas kalendarit që ne kemi publikuar edhe më parë.

 -A besoni se do të mbyllet procesi në datën 5 gusht?

-Po, procesi do të mbyllet në mënyrë absolute në datën 5 gusht ashtu siç edhe ishte përcaktuar më parë. Këtë e them me bindje pasi deri tani kemi ecur mjaft mirë dhe me mjaft sukses. Tani do të plotësojmë pjesën tjetër dhe të dielën në drekë në datë 5 gusht do të mbyllet ky proces. Qytetet që do e mbyllin besoj do të jenë Peshkopia, Bulqiza.

 -Cilat janë disa nga vështirësitë që kanë pasur maturantët gjatë plotësimit të këtij formulari?

-Vështirësi nuk kemi pasur fare në plotësimin e formularit. Vështirësitë kanë qenë sulmet e shtypit që janë bërë dy ditë para fillimit të plotësimit të Formularit A2. Pasi media e cilësoi si dështim të formularit, e cilësoi të dështuar punën e bërë për këtë. Por nga ana e procedurave ne nuk kemi pasur asnjë vështirësi. Ndërsa për pjesën e maturantëve që nuk e kanë plotësuar akoma formularin duhet të kenë parasysh koeficientët e shkollave të larta për lëndët përkatëse dhe duhet të ketë parasysh që duhet të rendisë saktë preferencat. Pasi çdo preferencë prevalon në preferencën pasardhëse. Pra nuk mund të kërkojë maturanti që të vendosi preferencë të parë një drejtim që e ka ëndrrën e tij. Sepse po e vuri të parin nuk kthehet më dot tek e dyta.

 -Çfarë hapi do të ndiqet pasi të mbarojë plotësimi i Formularit në të gjitha qytetet e Shqipërisë?

-Pas plotësimit on-line të formularit ne nxirrnim librin e transparencës, ku çdo maturant do të ketë mundësinë që të shohë të tëra të dhënat e tij. Pas kësaj do të publikohen barkodet në uebsajtin tonë. Pas kësaj më vonë do të dalin dhe rezultatet që pritet të publikohen në 10 -ditëshin e parë të shtatorit. Më pas është regjistrimi, i cili është shumë i rëndësishëm dhe asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia.

MASH: Gabimet që bëhen në Formularin A2, rregullohen deri në 5 gusht

 Gabimet që mund të bëjnë maturantët në plotësimin e Formularit A2, do të mund të korrigjohen vetëm brenda datës 5 gusht, afati i fundit ky nga Ministria e Arsimit. Pas kësaj date, nëse konstatohen gabime formularët quhen të pavlefshëm dhe të rinjtë humbasin të drejtën e studimit. Sipas informacioneve të MASH, kandidatët duhet të kenë shumë kujdes në renditjen korrekte të lëndëve me zgjedhje, pasi është shumë e vështirë të kryesh veprime në sistem. Po ashtu po sipas informacioneve të MASH, bëhet e ditur se vetë sistemi, aplikimi on-line është që në çdo rast të udhëzon dhe të jep nëse ti aplikove saktë dhe vetëm kur aplikon saktë ai nënshkruan dhe  të nxjerr kopjen e printuar të aplikimit. Nëse te kopja e printuar kandidati sheh që diçka nuk shkon sipas asaj që ka përzgjedhur mund të korrigjojë dhe përsëri aty në atë moment i jepet e drejta të nënshkruajë saktë aplikimin e vet. Ndërkohë, pas datës 5 gusht do të vendosë Ministria e Arsimit nëse do të ketë një datë të dytë për plotësimin on-line të Formularit A2. Bëhet e ditur se, janë të gjitha mundësitë që të realizohen të gjitha aplikimet brenda afatit të datës 5 gusht. Nëse do të ketë, për arsye objektive, raste që të kërkohet që të plotësohet Formulari A2, atëherë kjo do të shqyrtohet dhe me komision të veçantë dhe do të vendoset për mënyrën e aplikimit, këtë rast. Aktualisht, Formulari A2, që i hap rrugë maturantëve për të konkurruar në universitetet publike e kanë plotësuar rreth 70 për qind e të rinjve, nga të cilët rreth 3000 synojnë të studiojnë në universitetet jashtë vendit.