Lume Vladi: Ja modeli i ri i shkollës shqiptare

440

 Vëzhgim/Një ditë me zysh Lumen, drejtoren e shkollës “Dora d’Istria”

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të jesh mësuese, t’i përkushtohesh fëmijëve dhe të punosh çdo ditë mes çiltërsisë dhe ëndrrave të tyre të pakufizuara”, shprehet për “Telegraf”, Lumturi Vladi, drejtuesja e re e shkollës “Dora d’Istria”. Është e dashur, e çiltër, e drejtpërdrejtë, është një vlerë e shtuar për arsimin shqiptar zysh Lumja e nxënësve të Tiranës. Është e vështirë të gjendet një rast i ngjashëm me të. Është e vështirë të ketë mësues për të cilën nxënësit të shkruajnë mendimet e tyre jo në një, por në dy libra, kushtuar mësueses së tyre të dashur “Qindra zemra, te një zemër” dhe “Dashuri engjëjsh”. Zysh Lumja ka 41 vjet, që edukon dhe mëson brezin e ri. Nga këto, shumë vite ka qenë në dispozicion, duke shkuar nga një shkollë në tjetrën, në Tiranë e në fshatrat në afërsi. Për disa vite ka qenë drejtoreshë në shkollat  tetëvjeçare “11 janari” e “Hoxha Tahsin”, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ndërsa aktualisht drejton shkollën 9 -vjeçare “Dora d’Istria”. Posti i drejtueses të kësaj shkollë është një sfidë për të. Ajo nuk flet vetë, nuk do të japë intervistë. Flasin nxënësit, flasin koleget e saj, flet vetë puna e saj. Kudo, që ka qenë, ka fituar dashurinë e respektin e fëmijëve, të cilët kanë gjetur tek ajo cilësitë e vyera të një mësueseje dhe edukatoreje të përkushtuar, duke i trajtuar ata si një nënë e dytë. Është edhe kjo arsyeja pse nxënësit e shkollës “Vasil Shanto”, për të cilët ajo i kujton me shumë dashuri dhe nostalgji, e quajnë atë “Nënë Tereza e fëmijëve”. Është e lumtur, e emocionuar dhe të shikon në dritë të syrit tek të tregon albumet e shumta në numër (të më besoni për këtë) me dedikimet e nxënësve të saj. Ajo vlerëson gjithçka, çdo mendim të shprehur sido, nga nxënësit e saj. Për të këto albume janë thesari i saj, i ruan me një fanatizëm të pashoq. Ajo i konsideron nxënësit e saj engjëj dhe engjëjt nuk gënjejnë kur shprehin dashurinë e tyre.

 Zysh Lumja si drejtore

E dallova, sapo hyra në shkollën “Dora d’Istria”. Ishte aty, në oborr, duke instruktuar punonjëset sanitare të shkollës. Ambienti ishte i pastër, por prapë drejtorja ose zysh Lumja siç i thërrasin të gjithë nuk është e kënaqur, kërkon maksimumin. Bashkë me ‘të ishin dhe dy nxënëse të klasës së pestë B, Ester Vladi dhe Uerda Torba. U afrohem dhe i pyes se çfarë mendimi kanë për zysh Lumen si drejtore e re. “Në shkollën tonë kanë ndodhur shumë ndryshime, shkolla është më e pastër, më e qetë, më e ngrohtë dhe më e bukur”, të thotë Esteri. Ndërsa Uerda, edhe pse 10 vjeç evidenton dhe i jep rëndësinë e duhur faktit se, “çdo të hënë, që kur ka ardhur drejtorja e re, këndohet Himni i Flamurit, gjë që duhet bërë dhe në shkolla të tjera. Tek ne dita nis me muzikë”. Të bukura dhe të sinqerta fjalët e 10- vjeçareve për zysh Lumen. Vazhdoj më tej, tashmë në krah të zysh Lumes, e cila më tregon ambientet e shkollës, laboratorët, të cilat tashmë me urdhër të saj, nuk janë më të mbyllura me çelës, por në funksion të nxënësve, ashtu dhe siç duhet të jenë. Ajo është e vendosur që ta mbajë politikën larg shkollës së saj. Për zysh Lumen, por dhe për të gjithë mësuesit, sipas saj, politika duhet të jenë nxënësit. Kurse për nxënësit duhet të jetë dija, shkolla. Në korridor has mësuesen e matematikës, Mirela Shyti. Ndalem të flas pak me të. Më intereson ta njoh zysh Lumen edhe në marrëdhënie me kolegët apo drejtues-vartës. Mësuese Mirela kujton ditën e parë të prezantimit të zysh Lumes si drejtore në shkollën e tyre. I kishte ngelur në mendje prezantimi i saj, kur u është drejtuar mësuesve të “Dora d’Istria” duke u thënë: “Unë nuk jam drejtorja juaj, por së pari jam kolegia juaj, jam shoqja juaj dhe më thërrisni Lumja. Kjo do shtojë dhe afrimitetin midis nesh dhe çfarëdo të kemi, të gjitha do t’i realizojmë së bashku. Jam shumë e hapur që të dëgjoj çdo gjë tuajën dhe jam shumë e prirur që zërin tuaj ta çoj deri lart si dhe të realizoj të gjitha pikësynimet në bashkëpunim me ju, me nxënësit dhe me prindërit”. Ndërsa thekson se, “zysh Lumja ka hije potencialiteti, ka punuar fort me nxënësit problematikë dhe i ka bërë për vete”. Mësuese Mirela na njeh dhe me ambicien e fundit të zysh Lumes si drejtuese e “Dora d’Istria”. “Kërkoj bashkëpunimin dhe impenjimin e të gjithave për ta ngritur nivelin e shkollës dhe për ta rankuar në vendin e parë në Tiranë, por dhe në Shqipëri përsa i përket cilësisë”, ka thënë zysh Lumja. Dhe duket në rrugë të mbarë, pasi siç thonë koleget e saj, ajo vjen e para dhe ikën e fundit nga shkolla.

Mësueset e fillores

Mbledhja me mësueset e fillores nuk i ngjante mbledhjeve të zakonshme që bëjnë drejtuesit e shkollave. Drejtorja u komunikoi atyre oraret e reja. Çdo gjë ishte e natyrshme, kishte bashkëbisedim për problematika të ndryshme. Ndërsa nën zë ato të thonë se kemi kaluar shumë drejtuese, por Lumja është tipi i drejtueses që i duhet kësaj shkolle. Ato, por edhe prindërit, sipas tyre, janë shumë të kënaqur me eliminimin e një sërë problemesh që e karakterizonin këtë shkollë. “Jemi të kënaqura se punojmë në një mjedis të pastër dhe të qetë”, shprehen ato.

Flasin nxënësit

Jasmin Kamberi, senatori i klasës së nëntë B evidenton faktin se, “me ardhjen e drejtores së re është se kemi më shumë siguri në çdo gjë, kur vijmë në shkollë jemi më të qetë”. Si nxënës i klasës së nëntë, shqetësimi i tij kryesor janë provimet e lirimit. Ai tregon se, “më parë konsultimet nuk ishin të detyrueshme dhe me orare të caktuara, por ishin në varësi të humorit të mësuesve. Ndërsa tani janë të detyrueshme në mëngjes dhe pas mësimit. Për ne janë të domosdoshme konsultimet, sepse 45 minutat e orës së mësimit nuk janë të mjaftueshme për të marrë dijet që na duhen neve”. Ndërsa Olsion Sita, gjithashtu, senator i një klase të nëntë tregon takimin me drejtoreshën edhe si mësuese. “Kur morëm vesh se do të na vinte sot drejtoresha të na jepte mësimin e Edukatës të gjithë ishim të stresuar. Kishim përshtypjen se ishte një zysh e egër, por kur erdhi në klasë ishte komplet një gjë tjetër. Para se të fillonte të shpjegonte mësimin, pyeti nëse kemi apo jo ndonjë problem, gjë që e ka bërë sapo ka vënë këmbën në këtë shkollë si drejtuese. Ishte shumë e dashur, kërkonte mendimet tona dhe nuk na ndërpriste fjalën, por na dëgjonte deri në fund. Ora u bë në formën e diskutimit. Gjithçka ishte ndryshe nga libri, madje ishte dhe më e saktë nga libri”.

Sibila Gjoka senatore e klasës 8 shton se “marrëdhëniet nuk janë më të ftohta si më parë, tani ka ndryshuar gjithçka. Më pëlqen shumë gatishmëria e saj në çdo gjë. Me thënë të drejtën, më parë shkolla na dukej shumë monotone, ndërsa tani janë shtuar aktivitetet, ka ndryshuar e gjithë shkolla me gjithë organizimet e  saj. Kjo gjë na ka bërë shumë mirë”. Ndërsa Kristi Sallaku, edhe ky senator i një klase të tetë mendon se shkolla ka marrë një drejtim të ri dhe të gjithë sipas tij duhet të angazhohen për të përmirësuar shkollën.

Eva Tavo, Presidentja e shkollës

Me ardhjen e drejtores së re, unë do theksoja tre ndryshime të dukshme: disiplina, pastërtia dhe mënyra e sjelljes së nxënësve. Disiplina në kuptimin që të gjithë vijnë në orar, me përjashtim të një apo dy vetave të cilat janë larg dhe vonohen nga trafiku. Përsa i përket pastërtisë, shkolla është shumë e pastër, klasat, oborri, madje dhe tualetet janë më të pastra. Mund të përmend që edhe mësueset kanë filluar ta organizojnë mësimin ndryshe. Mësuesit janë më aktivë, bëjnë më shumë pyetje për të na zhvilluar më shumë. Por më e rëndësishmja për ne nxënësit e klasave të nënta është skeda e re e konsultimeve. Edhe më parë bënim konsultime, por bëheshin jo në një orar të caktuar dhe ne nuk e dinim se kur do të bënim konsultim. Ndërsa me ardhjen e drejtoreshës së re kemi konsultim nga ora 7 e 15 deri në orën 8. Janë ditë të caktuara dhe nuk janë kur t’i caktojë mësuesi. 45 minutat e orës së mësimit nuk janë të mjaftueshme, sepse në klasë ka nivele të ndryshme dhe mësuesja duhet të shpjegojë të njëjtin mësim për të gjithë, kurse puna e konsultimeve është ndryshe. Ti punon me gjëra shtesë, gjëra të cilat ti mbase dhe i di, por i përforcon, ose mbase nuk i di dhe i mëson si gjëra të reja. Konsultimet diferencohen sipas niveleve të nxënësve, kështu nxënësit e notave 8,9 10 janë veç dhe nivelet nën mesataren janë veç. Përveç sa më sipër, mund të them, se me ardhjen e drejtoreshës së re, na janë shtuar aktivitetet shkollore dhe dera na është hapur gjithmonë për të shprehur dëshirat dhe kërkesat tona dhe siç dihet, “thembra e Akilit” për ne nxënësit janë dhe ekskursionet. Mendoj se shkolla jonë po merr një tjetër drejtim, sigurisht për më mirë me ardhjen e drejtores së re.