MASH: Bursa studimi në Itali për vitin shkollor 2013-2014, kriteret dhe dokumentet

286

Afati i fundit për përcjelljen elektronike të formularit on-line është data 31 maj 2013

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se, ofrohen bursa studimi për studentët shqiptarë në Itali. Ambasada e Republikës së Italisë njofton se, Ministria e Punëve të Jashtme italiane ofron për shtetasit shqiptarë bursa studimi për një total prej 90 muajsh (për 620 Euro/muaj) për vitin shkollor 2013 – 2014. Këto bursa studimi mund të kryhen në Itali pranë Institucioneve Universitare dhe Shkencore për zhvillimin e veprimtarive që vijojnë: kërkime, kurse universitare e pasuniversitare (Doktoratura, Master, Specializime me përjashtim të degëve mjekësore), kurse të ndryshme (pranë Akademive, Konservatorëve, Shkollës Kombëtare të Kinematografisë) për një kohëzgjatje prej 3, 6, 9 apo 12 muajsh, si dhe kurse të gjuhës dhe kulturës italiane për mësues të gjuhës italiane për një periudhë prej 1, 2 apo 3 muajsh. Periudha e përftimit të bursës përkon me kohëzgjatjen e vitit shkollor 2013/2014, pra nga data 1 tetor 2013 deri në datën 30 shtator 2014. Megjithatë bursat e studimit do të fillojnë të paguhen vetëm duke filluar nga data 1 janar 2014. Bursat e studimit mund të kryhen pranë këtyre Institucioneve: Universitete; Institute të Formimit të Lartë Artistik e Muzikor; Institute Restaurimi; Shkolla Kombëtare e Kinematografisë; Qendra e Laboratorë Kërkimorë; Biblioteka, arkiva, muze dhe Institucione të tjera Shtetërore. Me përjashtim të Institutit Universitar Evropian, Institucion Universitar Ndërqeveritar i lidhur me institucionet komunitare, nuk mund të jepen bursa për frekuentimin e kurseve pranë Institucioneve te huaja edhe pse te vendosura ne Itali apo në Shkolla dhe laboratorë private që nuk janë të njohura nga institucionet shtetërore.

Kërkesa për kandidatët dhe afati aplikimit

Procedura e paraqitjes së kërkesës për bursë studimi nga ana e kandidatëve është informatizuar tërësisht.  Kandidati duhet të plotësojë formularin interaktiv në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane: http://borseonline.esteri.it/borseonline/it/activate.asp;

Afati i fundit për përcjelljen elektronike të formularit on-line është data 31 maj 2012.  Këtij formulari duhet t’i bashkëngjitet një kopje e pasaportës. Kandidatët që kanë përfunduar procedurën e përshkruar më lart, do të kontaktohen dhe do t’u kërkohet që të dërgojnë në Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë dokumentet e mëposhtme:

1. Formulari i kërkesës, i nënshkruar duke vendosur datën, bashkangjitur një fotografi në format pasaporte (do të jetë e mjaftueshme të shtypet formulari i plotësuar tashmë on-line);

2. Kurrikulumin e studimeve të kryera (jo më tepër se 2 faqe), si dhe titujt shkencorë të mundshëm;

3. Për nëpunësit publikë (përfshi këtu profesorët e universiteteve) njoftimi nga funksionari prej të cilit varen drejtpërdrejtë (Shefi i Katedrës apo Departamentit, Drejtori i Entit, etj.) me anë të së cilës motivohet kërkesa për bursë;

4. Certifikatë e mundshme (ligjërisht e njohur nga Shtetit Italian) që vërteton njohjen e gjuhës italiane. Paraqitja e kësaj certifikate është fakultative, por përbën përparësi në përzgjedhjen e kandidatëve;

5. Letër reference për kandidatin prej docentit referues. Vini re: për kandidatët në kurse universitare të nivelit të parë, nevojitet letër reference nga Drejtori i Shkollës së Mesme që ka ndjekur kandidati ose nga profesori/ja i/e tij kryesor; për kandidatët në kurset universitare të nivelit të dytë, Master ose Doktoraturë, nevojitet një letër reference nga ana e të paktën një Autoriteti Akademik shqiptar (p.sh. Rektori, Dekani ose Drejtori i Departamentit).

Dokumentet për Master dhe Doktoraturë

Kandidatët për kurset universitare të nivelit të dytë, Master dhe Doktoraturë, duhet të paraqesin gjithashtu edhe dokumentet që vijojnë:

1. Përshkrim i Projektit, i kujdesshëm dhe i hollësishëm (1 faqe), që kandidati synon të realizojë, duke saktësuar emrin e institucionit pranë të cilit dëshiron të kryejë veprimtarinë e tij, si edhe kontaktet me personalitete shkencore dhe akademike.

2. Letër e një profesori apo eksperti italian, i gatshëm të ndjekë kandidatin në veprimtaritë e parashikuara në projekt. Sigurisht duhet të jetë docent ose ekspert përgjegjës i Institutit universitar apo Shkencor italian ku kandidati synon të zhvillojë aktivitetin e parashikuar në projektin e tij. Letra, duhet gjithashtu, të jetë e plotësuar në kartë me stemën e institucionit, me vulë dhe firmë të gjatë (nuk pranohen as siglat dhe as firmat me prokurë); me emrin, mbiemrin dhe telefonin e atij që firmos, për të lejuar verifikimin në rast se dyshohet për vërtetësinë e saj. Përzgjedhja e kandidatëve do të kryhet brenda datës 30 qershor, nga një Komision i posaçëm i kryesuar nga Ambasada e Italisë, në të cilën do të bëjë pjesë, sikurse dhe në vitet e mëparshme, një funksionar i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të ofrojë ndihmesë në përpilimin e kërkesave dhe në përcaktimin e institucioneve pranë të cilave mund të përftohet bursa, si dhe do të vlerësojë nëse njohuritë në gjuhën italiane janë të përshtatshme për të përfituar nga periudha e studimit.

Kriteret për qendrat dhe mjediset, ku do të zhvillohet provimi i Maturës Shtetërore

Qendrat ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

– Të ketë jo më pak se sa 150 maturantë/ kandidatë;

-Në shkollat, ku numri i maturantëve dhe i kandidatëve të marrë së bashku është më i vogël se 150, KMSH-ja grupon shkollat dhe cakton qendrën ku do të zhvillohen provimet. Maturantët/kandidatët e shkollave private do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në të njëjtat qendra dhe mjedise me maturantët e shkollave publike.

Mjediset ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

-Të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara;

-Të jenë të mjaftueshme për të paktën 15 maturantë. (Domosdoshmërish të përdoren mjediset më të mëdha të qendrave të provimit);

-Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet; si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa;

-Maturantët/kandidatët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim;

-Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 x 60 cm,

-Në ditën e provimit, në mjediset, ku zhvillohet ai, nuk zhvillohen veprimtari të tjera;

-Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim;

-Çdo mjedis që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

Korrigjimi i testit nga dy vlerësues

Ndryshe nga sa është aluduar deri tani se korrigjimi i provimeve do të bëhet në dy mënyra, me atë elektronike dhe nga vlerësues të posaçëm, fakti është ndryshe. Burime pranë MASH sqarojnë se edhe këtë vit, nuk pritet të ketë një ndryshim në mënyrën e vlerësimit të maturantëve. “Do ishim shumë dakord që vlerësimi të bëhej në rrugë elektronike për hir të kohës në dispozicion. Por kjo është e pamundur. Kjo për faktin që provimet janë në dy pjesë, me alternativa dhe me zhvillim. Ndaj është e pamundur që të krijohet një lexues optik për të lexuar shkrimin e çdokujt që jep një provim mature” citon burimi pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Procedura e vlerësimit do të jetë e njëjtë me vitin e kaluar. Janë gjashtë qendra vlerësimi, në Tiranë, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Korçë (Tirana ka dy qendra vlerësimi për shkak të mbingarkesës që ka). Vlerësimi do të bëhet nga dy vlerësues të pavarur nga njëri-tjetri, të cilët rakordojnë me përgjegjësin e vlerësimit. Sipas rregullores së re të MASH, çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë, i pavarur nga tjetri. Testet kodifikohen nga përgjegjësi i vlerësimit me numra arabë. Vlerësuesit pasi marrin në dorëzim testet, konfirmojnë sasinë dhe kodifikimin e tyre. Vlerësuesit nuk mund të bëjnë shënime në test, me përjashtim të esesë ku evidentohen gabimet drejtshkrimore. Vlerësimi me pikë për çdo kërkesë të testit pasqyrohet në formularët përkatës.